– Bërtisje dhe thërrisje, pastaj re nga muri dhe ne të sollëm këtu.
Në këtë incident gjuri më ishte përplasur për tokë dhe më ishin thyer të gjitha kockat e gjurit. Meqë nuk kisha dikë që të kujdesej për mua, u sorollata shumë nëpër spitale pa pesë para në xhep. Kështu që gjuri më mbeti sakat dhe akoma eci duke çaluar.
Sapo u çova pak në këmbë, përsëri fillova të kërkoj fëmijët. Një ditë më njohu një shok i fëmijëve.
– Djali yt i vogël, Vakkas vdiq në një aksident me makinë, kurse djalin e madh Turan edhe ne kemi disa muaj që nuk e shohim,- tha ai.
O Zot si mund të duroja. Kjo është më e madhja dhimbje. Ah sikur të ma kishin prerë mishin copa-copa, por këtë lajm mos ta dëgjoja.
E gjeta varrin e tim biri. Pa emër, pa identitet... Me ditë dhe muaj të tërë derdha lot dhimbjeje dhe trishtimi. Me ditë fjeta pranë varrit të tij, e përqafoja në ëndërr, e puthja...
“Të dua baba,”- më thoshte. “Nuk jam i hidhëruar me ty...”
Kjo m’u bë ngushëllim dhe dritë shprese. Sikur më solli në jetë trupin tim të vishkur dhe të shkatërruar.
Përsëri nuk u largova nga varri i tim biri. Fillova të punoj në varreza, si lulishtar, shisja ujë, simita, etj.. U enda pranë varrit të tim biri për tetë vjet me radhë. Aty të gjithë më njihnin. Më përshendesnin dhe më thërrisnin “baba Ekrem”. Nganjëherë edhe më ndihmonin. U dhimbsesha njerëzve rreth e rrotull. Ia di për faleminderit atyre, nuk kursyen as ndihmën më të vogël.  
Atëherë isha rreth të pesëdhjetave. Kisha ndërtuar një kolibe në të cilën jetoja. Punoja në dru dhe qymyr.
Çdo fëmije që më dilte përpara dhe u prezantoja, i tregoja dramën e jetës sime dhe i këshilloja ta kalonin kohën e tyre të çmuar duke lexuar.
Një ditë çuam me kamion një ngarkesë qymyri dhe fillova të shkarkoja thasët e qymyrit, të cilat mezi i mbaja për shkak të moshës.
Pronari i shtëpisë, një djalë i ri më erdhi pranë:
– Xhaxha,- më tha,- nga jeni ju?
– I përzier, Adana, Ankara, Stamboll...,- i thashë.
– Ju quheni Ekrem?
– Po,- i thashë. Mua më thërrasin “baba Ekrem”.
– A je ti babai i Turanit?
Ah, sikur më ra një hi i nxehtë dhe më përvëloi të gjithë trupin për atë moment.
– Mos e njeh?- i thashë plot emocion.
– Po,- më tha. E njoh. Kam jetuar katër vjet me Turanin. Pastaj u ktheva tek familja ime dhe u martova. Kjo është shtëpia ime.
Nuk po e dëgjoja fare djaloshin.
– Ku është Turani? Ku është Turani?- bërtisja.
Djaloshi ishte shumë i qetë.
– Mos u shqetëso xhaxha,- më tha. - Turani është mirë dhe ka krijuar një jetë normale. Edhe ai prej shumë kohësh po iu kërkon. Ne shihemi shpesh.
– Ku është Turani im? T’u bëfsha kurban më thuaj ku është?
– Prit t’i telefonoj dhe të vijë,- më tha.
Aman o Zot ky emocion, ky gëzim, si mund të durojë zemra ndaj këtij lajmi?!
Rrahjet e zemrës m’u shpejtuan, sytë m’u errësuan. Pastaj nuk kujtoj më asgjë. Hapa sytë. Më kishin çuar në shtëpi. Turani ishte tek koka ime.
– Baba, baba, unë erdha,- qante me ngashërim.
U përqafuam. Zoti i bashkoftë gjithë të përmalluarit dhe i tregoftë rrugën për në folenë e tyre. Mua më mjaftoi era e tij, shikimet e tij, buzëqeshja e tij. Mashallah ishte bërë goxha djalë... Gjithë nur. Asgjë nuk kishte mbetur nga e kaluara e errët. Vetëm me njërin sy nuk shikonte, kaq. Tashmë punonte në një firmë private. Një mijë herë faleminderit Allahut. Pronari i tij e kishte gjetur në një gjendje të mjeruar buzë rrugës. E kishte ndihmuar dhe e kishte çuar në spital duke shpenzuar për mjekimin e tij dhe pastaj i kishte dhënë punë në firmën e vet. Dhe im bir duke hequr dorë nga e kaluara e tij, kishte filluar një jetë të re.
Pas këtij takimi më mori dhe më shpuri në shtëpinë e tij. Kishte një vit që ishte martuar. Kishte marrë një vajzë të pastër, që falte edhe namaz...
Pronari i tij zotëri Hysniu, ishte një burrë besimtar. Tim biri i kishte dhënë libra të bukur, e kishte çuar në vende ku predikohej feja. Pastaj ishte njohur me ju. I kishte marrë dhe lexuar të gjithë librat tuaj. Në sajë të tim bri edhe unë u njoha me risalet, pas gjithë atyre viteve të shkuara kot. Por më mirë vonë se kurrë. Pastaj edhe unë u njoha me ju. Faleminderit Zotit, ju na ndihmuat shumë. Më vjen ndër mend tek bërtisja: “Më ktheni fëmijët...”
Allahu i Madh ma pranoi atë dua dhe më solli këtë lumturi. Tashmë jetoj me tim bir dhe nusen e tij. Allahu ma ndriçoi edhe botën reale dhe atë të brendshme. “Risalet” u bënë ilaç për plagët tona, i dogji papastërtitë shpirtërore, na tregoi detyrat tona si krijesa. Edhe ju na u bëtë mbështetja jonë me telefonatat, letrat dhe vizitat tuaja. Zoti qoftë i kënaqur me ju. Ju bëj dua pas çdo namazi.
Nëse pyesni se ç’u bë me gruan time të parë, nuk kam rastisur në asnjë gjurmë të saj.
Miku im besnik zotëri Halit!
Allahu ju ruajtë ju dhe familjen tuaj nga belatë dhe të këqijat. Ju dhëntë një jetë të gjatë dhe bëftë të mundur shërbime të hajrit (të mira).

Numrët kliko dhe vazhdo: <<< 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 >>>