Me përshëndetjet më të ngrohta...

08.07.1995
Harun Kılıç
Adapazarı

Më jepni fëmijën tim
Vëllai im i dashur, miku im besnik! Megjithëse ju jeni më i vogël se unë, ndihma dhe përkrahja që do të më jepni është aq e madhe, sa për këtë ju puth duart dhe lus Allahun që t’ju japë një jetë të gjatë, duke u bërë shkas për shërbime të dobishme.
Ju jeni bërë shkas të më ridhurohet jeta dhe shpirti. Jetoja si një i vdekur dhe unë u ringjalla përsëri. Isha një njeri i mbaruar, asgjë për mua nuk kishte më kuptim. Në sajën tuaj rigjeta veten përsëri, njoha veten time. Si mos t’i lutem Zotit për ju... në çdo moment, në çdo namaz...
Ju deshët që ta hedh në letër rastin tim. Dhe unë me kënaqësi pranova. Por meqë as të shprehurit dhe as shkrimi im nuk është dhe aq i disiplinuar, punën e redaktimit po e lë në dorën tuaj.
Fatkeqësitë që më rënë mbi krye do të përpiqem t’i shkruaj. Ta shoh se si do ta shkruaj, si do të duroj.
Allahu askujt mos i dhëntë dhimbjen e fëmijës. Shumë e vështirë, shumë e vështirë... 100 herë në ditë, 1000 herë rikthehem në ato ditë dhe sytë më mbushën me lot.
Kur erdha të punoja në Ankara isha 16 vjeç. Ishim tre vëllezër. Babai na kishte vdekur kur ishim ende të vegjël. Xhaxhai ynë na u bë edhe baba edhe nënë. Kaluam ditë të mbushura plot dhimbje, skamje, uri, varfëri... Atëherë jetonim në Adana. Unë së bashku me disa shokë erdhëm në Ankara, ku fillova edhe punë. Meqë askush nuk më ndaloi të më tregonte të drejtën dhe të gabuarën, kam hyrë dhe kam dalë në shumë qorrsokake, prandaj nuk ndërtova dot një jetë të ndershme. U endëm nëpër klube nate dhe fole endacakësh. Natyrisht që jeta jonë, eci me hapa të pasigurtë, herë këndej e herë andej, nëpër vende të shëmtuara. Nëna ime rahmet pastë, këmbëngulte shumë:
– Eja biri im, andej nuk është për ne. Paratë që po fiton nuk të sjellin ndonjë dobi...
Ishim të rinj... Nuk dëgjuam. Për këtë arsye mes meje dhe nënës së bashku me vëllezërit që ishin në Adana ndodhi një ftohje. Ata ishin njerëz fetarë, besimtarë, të drejtë dhe të besueshëm. Ndërsa tek unë këto ndjenja ishin fshirë nga punët e pista. Pasi bëra ushtrinë, u ktheva përsëri në punët e vjetra. Gjatë kësaj kohe u njoha me një vajzë. Dashuruam njëri-tjetrin dhe u martuam. Por martesa zgjati vetëm tre vjet. Zoti na fali dy djem, por punët në familje nuk shkonin fare mirë. Ne bëheshim xhelozë të njëri-tjetrit. Sepse jeta që jetonim nuk ishte jetë... Një ditë erdha në shtëpi dhe ç’të shoh? Kishte ndodhur ajo që prisja. Unë isha jashtë qytetit, nuk më prisnin që të kthehesha herët. Por unë kisha mbaruar punë herët.
Me të parë atë skenë u hodha mbi të dashurin e gruas sime duke e qëlluar për vdekje me armë, kurse vetë u plagosa. Kjo ngjarje ndodhi përpara dy fëmijëve tanë, njëri dy dhe tjetri një vjeç.  
Kurse gruaja ime ia mbathi nga frika. Pastaj filluan një sërë problemesh pa fund. Kurimi im, burgu dhe dy fëmijët që kishin mbetur në mes të rrugës...
Ia di për faleminderit një shoku tim që u interesua për fëmijët, duke i çuar në një qendër arsimore. Gjatë kohës së vuajtjes së dënimit edhe nëna ime kishte vdekur. Njerëzit e mi më ishin hidhëruar për arsye se nuk kisha shkuar në varrimin e nënës, por edhe unë isha hidhëruar me ta për arsye se nuk më kishin ndihmuar në ato ditë të vështira. Për dhjetë vjet me radhë fëmijët qëndruan në atë institut, ndërkohë që unë përsëri i isha kthyer punëve të pista. Gjatë kësaj kohe e kam kërkuar shumë edhe time shoqe, por nuk munda t’i gjej asnjë gjurmë. Pastaj u martova përsëri dhe i solla fëmijët në shtëpi. Por fëmijët hoqën shumë nga njerka e tyre. Ajo i keqtrajtonte ata, të cilët duke mos duruar më, braktisën shtëpinë. Vrapova pas tyre duke kaluar një ditë në shtëpi e pesë ditë përjashta.
Isha mbërthyer në një jetë të shkretë. Doja që fëmijët të mos kishin fatin tim. Por ajo që më frikësonte tashmë kishte ndodhur... Dy vjet me radhë fëmijët jetuan sa në shtëpi, sa në rrugë dhe përfundimisht e braktisën fare atë. Gjithë këto vuajtje po bënin që të luaja mendësh. Dhimbja e fëmijëve më digjte shpirtin. Duke mos duruar dot u nisa t’i kërkoja. Ata ishin e vetmja gjë që kisha në këtë jetë. Në qoftë se atyre do t’i ndodhte ndonjë gjë, do të vrisja edhe veten.
Shkova në Stamboll. I kërkova në çdo cep e në çdo qoshe. Më në fund i gjeta. Me kuptimin e plotë të fjalës ata ishin në një gjendje të shkretë, të këputur dhe të mbaruar. Njëri kishte thyer këmbën dhe nuk mund të ecte. Tjetri nga zënkat kishte humbur njërin sy. Por mua nuk më pranuan. Iu luta, por më kot.
“Të krijojmë një jetë të re. Të jemi bashkë. Nuk kemi tjetër veç njëri-tjetrit...”
Qava shumë por nuk më dëgjuan, nuk pranuan. Ma thyen zemrën. Ata mendonin se duke marrë gruan e dytë, i kisha nxjerrë në dorë të dytë. Por unë edhe gruan e dytë e kisha përzënë nga shtëpia. Kisha arritur në atë pikë saqë po çmendeja. Fëmijët që janë gjaku im, çdo gjë e imja, nuk më pranonin. U ktheve me fytyrë nga turma e njerëzve dhe bërtita:
– Stamboooll...! M’i jep fëmijët e mi. Ata janë gjaku im, pjesë e imja, zemra ime, shpirti im. Unë nuk mund të jetoj në qoftë se nuk m’i kthen ata.
– Mallkuar qofshin ata që e kanë prishur këtë turmë njerëzish. Mallkuar qofshin ata që e prishën rininë... Mallkuar qofshin ata që mashtrojnë femrën për tre groshë dhe shesin nderin e saj... Mallkuar qofshin ata që i morën bijtë e mi prej meje.
– M’i kthe fëmijët e mi Stamboooll...!
Nuk e di sa bërtita, sa fola dhe sa thërrita. Hapa sytë dhe pashë që isha në pavionin e ndihmës së shpejtë të një spitali dhe mbi kokën time qëndronin dy policë.
– Çfarë më ka ndodhur mua,- pyeta.

Numrët kliko dhe vazhdo: <<< 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 >>>