Një vajzë që studion
për sociologji në Francë
Jeta paska një kuptim
Zotëri Halit!
Nuk di asgjë tjetër rreth jush veç emrit tuaj. Për këtë arsye po e dërgoj letrën time në shtëpinë botuese të librit tuaj.
Një shoqe më kishte thënë se shkrimtarëve i shkojnë shumë letra nga lexuesit e tyre. Tani e kuptoj që qenka e vërtetë. Mendoni një lexues që pasi e merr librin në dorë e mbaron atë me një frymë. Ai libër ia ndryshon jetën, të menduarit dhe qëllimet në jetë. Në atë libër gjen veten e tij, shikon kritikën dhe shpjegimin e jetës së tij. I kupton gabimet e tija dhe thotë “Mjaft më”. Unë duhet të njoh veten, Krijuesin tim dhe detyrat. Duhet të bëj përgatitjen për vendin ku po shkoj.
Me këtë gëzim, me këtë paqe dhe me këtë mendim i përshëndet një ditë e re dhe një jetë e re. Ai vazhdon përgatitjet për t’u bërë një rob i përulur pa i parë vitet e humbura dhe pa ndjerë dëshirë për t’i parë ato. Sigurisht që një lexues që i jeton këto ndjenja, shpresat dhe paqen e të shkuarit drejt të së vërtetës, do t’i shkruante letra shkrimtarit të librit. Do të donte ta jetonte atë lumturi bashkë, ta ndajë atë lumturi.
Zotëri Halit!
Unë jam një nga këto lexues. Këtë letër po e shkruaj pasi kam lexuar librin tuaj “Njeriu që kërkon vetveten” dhe jam njohur me veprat Risale-i Nur.*
Jam shumë e emocionuar, me ndjenja të përziera. Për këtë arsye fjalët dhe fjalitë e mia mund të jenë të parregullta dhe pa kuptim. Do të doja ta pranonit këtë lexuese kështu.
Duke shpjeguar ngjarjet që ndryshuan jetën dhe si ndryshoi jeta ime, do të doja ta ndaja këtë lumturi me ju.
Shkollën e mesme e mbarova në Antalja. Jam vajza e vetme e babait tim nga gruaja e dytë. Babai im ishte një tregtar i pasur. Nëna ime ishte shumë më e re se babai dhe unë isha fëmija i vetëm i familjes. Të gjithë i kishin sytë tek unë dhe e ardhmja e shtëpisë ishte programuar sipas të ardhmes sime.
Nuk kisha ndjerë shtypjen, mangësitë dhe dhimbjet në jetë. Gjithmonë shkollë private, mësues privatë, makinë personale, shokë të veçantë dhe një jetë të veçantë. Në dukje, një jetë që të gjithë e dëshirojnë dhe nuk mund ta arrijnë. Por ajo jeta e bukur dhe tërheqëse kishte vështirësitë e saj. Më mbrapa e kuptova më mirë se nganjëherë të kesh çdo gjë shumë të mjaftueshme, në një aspekt (këndvështrim tjetër) tregon mangësi, në veçanti shpirtërore si dhe mungesa në formën psikologjike.
Mbas gjimnazit mbarova Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Stambollit. Të gjitha dëshirat ishin të dilja jashtë shtetit dhe të zhvilloja studime në lidhje me fushën time. Në këtë mënyrë duke parë kulturën e perëndimit dhe duke parë kulturat dhe kombet e tjera, doja të zhvilloja diturinë dhe të menduarit. Familja ime duke qenë se isha fëmija i vetëm doli kundër dëshirës sime, por kur unë këmbëngula, më lejuan të shkoja në Paris.
Babai njihte një familje franceze me të cilën kryente marrëdhënie pune dhe ishte ortak me ta. Ata disa herë kishin kaluar pushimet tek ne në Antalja. Familja franceze kishte një vajzë në moshën time. Duke qenë se unë dija frëngjisht kuptoheshim mirë.
Kur ra puna që unë do të studioja në Paris, kjo familje këmbënguli që unë të rrija tek ta. Më pas shkova në Paris. Fillova studimin e sociologjisë gjë që e kisha dëshiruar shumë në fakultet, po nuk kisha mundur. Kombet dhe çështjet lidhur me racat e ndryshme më kishin tërhequr vëmendjen që nga shkolla fillore.
Familja ku rrija më mbante shumë afër. Më jepnin çdo lloj mundësie që të mos e ndjeja veten të huaj. Vajza e tyre nuk më linte vetëm dhe e ndante çdo gjë me mua. Qoftë moda e njohur në të gjithë botën dhe jeta me zbavitje të shumta në Paris, qoftë jeta e veçantë e familjes ku jetoja, në fillim m’u duk interesante dhe tërheqëse. Por në çdo rast binte në dukje se isha prej një kombi dhe kulture tjetër. Në veçanti në jetën brenda familjes dhe në jetën e përditshme kishte mentalitete që nuk mund t’i pranoja. Megjithatë duke menduar se kjo ishte “qytetërim dhe shoqëri moderne” përpiqesha t’i pranoja.
Vajza franceze ishte kërkuese, shumë e zgjuar dhe me logjikë. Sikur të ishte ndryshe nga vajzat e tjera franceze, ishte e matur, e pjekur dhe kishte marrëdhënie të ngrohta shoqërore ashtu si njerëzit në popujt e lindjes. Unë habitesha shumë nga kjo sjellje. Mua më pyeste shpesh rreth popujve të lindjes dhe mënyrën e jetesës së tyre.
Unë i thoja: “Mos më pyet pyetje të tilla, unë jam rritur në një popull të lindjes si një perëndimore, nuk kam asnjë ndryshim nga ti.”
Në këtë mënyrë kalova dy vjet në Paris. Nga shkolla nuk kisha asnjë problem. Çdo gjë ishte në rregull. Por jeta e Parisit më kishte ndikuar. Ky ndikim mund të quhet dhe mbetje në mes dy rrugësh. Edhe pse nuk e prezantoja diçka të tillë, jetoja portretin e muslimanes, ku nga brenda kisha disa ndjenja që nuk mund t’i fshija. Në fund të fundit unë i përkisja kombit turk dhe isha muslimane. Por në të vërtetë rreth islamit nuk dija asgjë dhe nuk jetoja asnjë nga principet e tij. Vetëm kur shokët francezë më pyesnin, u thoja që “Jam muslimane”. Prandaj jetën në Paris nuk e kisha pranuar dot të gjithën nga brenda. Kisha disa gjëra që nuk ua dija shkakun dhe nuk mund t’i shpjegoja.
Kishte mbetur dhe më pak se një vit të mbaroja studimet në Paris. Vajza e familjes ku rrija erdhi një ditë dhe më tha:
“Dua të flas disa gjëra të rëndësishme me ty.”
U futëm në dhomën time. Filluam të flisnim.
Vajza franceze:
“Mendoj e ke kuptuar se çfarë dua të flas me ty”- e filloi bisedën.
“Pas ardhjes tënde këtu, disa herë të kam pyetur rreth islamit dhe popujve të lindjes. Të kam pyetur rreth mënyrës së jetuarit, besimit dhe mendimit të kësaj shoqërie. Unë kam kureshtje të veçantë rreth këtyre çështjeve. Kjo vjen për tre arsye:
– E para: Besimi kristian nuk më plotëson nevojat shpirtërore. Botën shpirtërore nuk ma ndriçon, pyetjeve të mia nuk mund t’i jap përgjigje. E ndiej veten bosh, pa qejf dhe pa ndonjë qëllim në jetë.
– E dyta: Duke qenë se studioj sociologji, kam rast të njoh dhe të krahasoj botën perëndimore dhe atë lindore. Popujt lindorë më impresionuan shumë dhe sidomos vendet muslimane. Kam simpati për këto kombe.
– E treta: Muajin e kaluar u njoha me një vajzë turke. Vajza e një familje punëtorësh që jetojnë këtu. Ka një jetë të rregullt. Kjo rregullsi vjen nga lidhja që kanë me besimin e tyre. Ajo më pëlqeu shumë. Dua të përfitoj nga kjo vajzë në këtë drejtim. Doja të më ndihmoje në këtë çështje. Më njih me të njohurit e tu. Më sill libra nga vendi yt ose gjej ku mund të pyesim për këto çështje. T’i shkruajmë atyre, të mësojmë”.
Këto çështje që shoqja ime i shpjegonte nga brendësia e zemrës, për mua ishin shumë larg, ngaqë nuk i kushtoja rëndësi dhe nuk isha shqetësuar fare ndonjëherë për to. I kisha dëgjuar kërkesat e shoqes shumë herë për këtë problem.

Numrët kliko dhe vazhdo: <<< 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 >>>