Materia, sensi i shpirtit dhe njerëzimi

Secili nga elementet është një lëndë, lënda ka peshë dhe vëllim, por energjia elektrike, nxehtësia, valët e radios dhe rrezet ultraviolet nuk kanë peshë dhe vëllim. Pra ato nuk janë lëndë, por na kryejnë shumë punë. E njëjta gjë ndodh edhe me kujtesën, zgjuarsinë, dhimbjen, shqetësimin, ndërgjegjen dhe besimin ose imanin; edhe këto nuk janë lëndë, por janë të lidhura ngushtë me lëndën. Fakti që materialistët, pra ata që i referohen lëndës ose materies, nga njëra anë shfrytëzojnë gjërat jashtë materies, ndërsa nga ana tjetër mundohen të organizojnë jetën e tyre duke adhuruar materien, e kjo tregon se ata nuk e kuptojnë dot as vetë lëndën. Në fund të fundit ashtu siç nuk vlen një fjali apo fjalë pa kuptim, po ashtu nuk ka kuptim një lëndë pa shpirt. Kështu te një i vdekur sensi i ashtuquajtur shpirt është veçuar nga materia, duke bërë kështu të shfaqet vdekja. Nëse një njeri apo një grup shoqëror ndahet apo veçohet nga ky sens, tashmë quhet i vdekur. Vdekja e njeriut nuk është vetëm shtrirja përdhe pa shpirtin e tij. Njerëzit larg njerëzimit të cilët s’di si t’i quaj apo t’i klasifikoj; a nuk janë të vdekur shpirtërisht?

Për ta kuptuar më mirë këtë le të japim disa shembuj. Kur shohim kukullën themi: “Sa të bukur e paskan bërë!”, ndërsa vogëlushes që luan me kukullën, nuk mjafton t’i themi vetëm “e bukur”, duhet të mendojmë Atë që ia ka dhënë asaj bukurinë! Çdo qënie është e krijuar; shikimi i qënies dhe meditimi për Krijuesin i përfton materies një këndvështrim shpirtëror... Çdo qënie me anë të artit të mrekullueshëm që mbart thotë: “Unë jam vepër e mjeshtërisë së Allahut”; ajo pasqyron mjaft veçori të Mëshiruesit dhe Krijuesit të gjithçkaje. Ja pra këtë të vërtetë materialisti s’e sheh dot, megjithëse ajo është cilësia më evidente e njeriut: Humanizmi. Në sajë të kësaj veçorie del në pah dallimi mes njeriut dhe kafshës. Njeriu që humb humanizmin dhe njerëzinë është tjetërsuar, ai s’është më njeri. Ja pra këtë kuptim mund t’i japim vdekjes.

Le t’i kthehemi prapë atomeve dhe të shqyrtojmë ngarkesat elektrike tek ta.

Thamë se atomet kanë bërthamë dhe se në këtë bërthamë gjenden protonet dhe neutronet. Protonet kanë ngarkesë elektrike pozitive (+), ndërsa elektronet që rrotullohen rreth bërthamës kanë ngarkesë negative (-). Nëse në atom ngarkesa pozitive është e barabartë me atë negative, atëherë atomi është neutron, pra i paelektrizuar. Për shembull elementi i natriumit kur bashkohet me elementin e klorit, formohet kripa e gjellës, pra të gjitha elementet dhe formulat e kimisë janë zbatuar edhe përpara njerëzimit. Kjo tregon se ekziston një Kimist mbinjerëzor, ndërsa librat e kimisë janë vetëm një pjesë e dijes së Tij.

Shpikësi i vërtetë i elektroneve

Pjesa më e vogël e elektricitetit është ngarkesa e elektroneve, pra nuk ka ngarkesë më të vogël elektrike se sa ngarkesa e elektronit, ndërsa neutronet në bërthamë kanë ngarkesë elektrike me vlerë zero.

Nuk është që elektronet dhe protonet të jenë me ngarkesë të barabartë, por të kundërta. A nuk tregon një qëllim të përcaktuar fakti që këto dy grimca të kenë një strukturë të ndryshme por që e tërheqin njera-tjetrën? Elektronet dhe protonet nuk gjenden në natyrë në një sasi prej 2-3 copash që të ndodhë rastësi. Megjithë sasinë shumë të madhe të protoneve dhe elektroneve, ngarkesa plotësisht e kundërt elektrike dhe sasia e barabartë e tyre, a nuk lë të kuptojmë nevojën e një përkujdesjeje të pafund dhe një preçizioni të prerë?!

Pa mendoni të gjithë elektronet e natyrës, megjithëse kanë një numër me limit, janë aq shumë saqë mund të thuash të pafund. Përmasat, ngarkesat elektrike dhe llojet e lëvizjeve të tyre në atome janë të njëjta. Kjo gjendje tregon se s’ka dyshim se të gjitha elektronet kanë dalë nga dora e një Krijuesi; ato janë formuar me përmasa shumë të imta. Rastësia s’mund të formojë këtë barazi që kërkon llogaritje shumë të sakta. Të thuash se të gjitha këto janë bërë vetvetiu është një thënie e kotë dhe pa kuptim.

Le të mendojmë me miliona topa bilardoje me ngjyra dhe dekore të njëjta, me përbërje xhami. A mund të themi se këto trupa prej xhami me peshë dhe vëllim të njëjtë me njëri-tjetrin të jenë formuar vetvetiu?

Me rrjedhjen e ujit në lum, gurët e vegjël do të lëmohen dhe do të marrin formën e trupave të rrumbullakët shumë të rregullt, si të kishin dalë nga tornoja, pa patur dallimin më të vogël në peshë prej njëri-tjetrit. Më pas të gjithë do të bojatisen me të njëjtën ngjyrë, të njëjtën dekor... Aq sa ç’është kjo një bestytni e rremë, po ashtu është e pavërtetë edhe në dukuritë më superiore formimi vetvetiu i elektroneve me cilësi të njëjta dhe në një numër që nuk e koncepton dot mendja jonë. Me siguri që këto kanë dalë nga një dorë e një Mjeshtri të Madh. Nga ana tjetër vendosja e elektroneve në orbita të ndryshme rreth bërthamës dhe rrotullimi mjaft i përpiktë i tyre, formimi i atomit, thërmijës më të vogël të gjithçkaje të botës tonë, a nuk tregon se forca e Tij është e mjaftueshme për gjithçka?

Përkrah karakteristikave të shumta të elektronit le ta shohim atë nga pikëpamja e peshës dhe e përmasave mjaft të vogla të tij. Sot mund të prodhohen topa shumë të bukur futbolli, por sa e vështirë është të prodhohet një top i vogël sa bërthama e fikut. Elektronet bëjnë ndërlidhjen dhe bashkimin e materies, magjithatë pesha e tyre është tepër e vogël: 17•1/1025 gram.

Përmasat e atomit të hidrogjenit janë shumë të vogla, ndërsa ato të elektronit janë dy mijë herë më të vogla se përmasat e atomit të hidrogjenit. Formimi i këtyre thërmijave që luajnë rolin bashkues të lëndës, s’mund të jetë vepër e natyrës së verbër apo e rastësisë!

Ekzistojnë edhe 15 thërmija si elektroni që quhen proton, foton, etj., të cilat me karakteristikat e tyre tregojnë se edhe ato janë krijuar nga Allahu.

Normalisht në atomet e një cope qelqi gjendet një numër i barabartë elektronesh dhe protonesh, për këtë arsye ngarkesat pozitive dhe ato negative ekuilibrojnë njëra-tjetrën duke shfaqur një gjendje neutrale. Me fërkimin e qelqit me një copë të mëndafshtë, një pjesë e elektroneve të qelqit do të tërhiqen nga copa. Ngaqë në qelq numri i protoneve është më i madh se ai i elektroneve, qelqi është i ngarkuar pozitivisht, ndërsa copa e mëndafshtë është e ngarkuar negativisht, sepse në të numri i elektroneve është më i madh se sa i protoneve.

Elektronet e orbitës së jashtme të disa lëndëve janë në një gjendje shumë të lirë, ato mund të dalin shumë lehtë nga orbita ku ndodhen, e për këtë ata quhen elektrone të lira. Lëndët që kanë shumë elektrone të lira quhen lëndë përcjellëse. Elementet si bakri, hekuri janë përcjellëse ose tejçuese, ndërsa lëndët si kauçuku, druri i thatë të cilat kanë pak elektrone në shtresën e jashtme, janë lëndë jopërcjellëse, atomet e këtyre lëndëve janë të tërhequra fort pas bërthamës.

Në qoftë se lëndët do të ishin të gjitha përcjellëse ose të gjitha jopërcjellëse, sot nuk do të ishte e mundur të shfrytëzonim energjinë elektrike.

Fabrikat, makineritë e shumta që vihen në punë me anë të elektricitetit, avionët, shtypshkronjat e sotme automatike,... asnjëra nuk do të ishte sot, mbase do të shfaqeshin edhe anormalitete të tjera të pafund. Allahu, i Cili i krijoi me një qëllim të caktuar atomet, ndonjërit i ka vënë elektrone të lira e ndonjërit jo. Këto rezultate të qëllimshme dhe të drejtuara drejt së ardhmes, s’mund të jenë rezultate të natyrës së verbër!

Nga fërkimi i qelqit me copën e mëndafshtë, qelqi ngarkohet pozitivisht duke dhënë një pjesë të elektroneve, ndërsa copa e mëndafshtë duke marrë elektrone ngarkohet negativisht. Ndryshimi mes ngarkesës së xhamit nga ajo e copës së mëndafshtë quhet potanciel. Ja pra kjo është forca që nxjerr në pah rrymën elektrike. Ashtu siç kërkojnë të rrjedhin poshtë ujërat e maleve, po ashtu potancieli mes ngarkesave të kundërta të qelqit dhe të mëndafshit kërkon të shndërrohet në rrymë elektrike.

Ky potanciel ndryshe quhet edhe voltazh.

Në disa libra dhe enciklopedi fizikantët e cilësojnë elektricitetin si rrymë elektronesh. Faktikisht ky është një mendim i gabuar. Shpejtësia e rrymës elektrike është 300 mijë kilometra në sekondë, pra sa shpejtësia e dritës. Elektronet janë pjesë e lëndës, pra materie. Shpejtësia e asnjë materie nuk e arrin shpejtësinë e lëndës. Në momentin kur arrin shpejtësinë e dritës, masa e lëndës duhet të jetë e pafund, gjë që është e pamundur. Në këtë botë të fundme ku gjithçka është e kufizuar dhe jo e pafund, sigurisht që edhe shpejtësia dhe masa do të ketë një kufi. Pafundësia shfaqet vetëm në mëshirën e Allahut, arsyen, dijen dhe në cilësi të tilla të Tij.

Meqë elektriciteti nuk është rrjedhja e elektroneve, atëherë çfarë është? Mendoni një tel bakri brenda të cilit ka rrymë elektrike. Brenda këtij teli ekziston një korent që ecën me shpejtësi 300 mijë kilometra në sekondë.

Ç’të jetë kjo dukuri misterioze vallë?

Imagjinoni një ushtri, ushtarët e së cilës mbajnë kova uji dora dorës. Ata janë vendosur në radhë dhe nuk ndryshojnë fare vend, vetëm me lëvizjen e krahëve i transmetojnë kovat e ujit në një largësi prej 250 metrash në sekondë.

Edhe elektronet lëvizin si këta ushtarë dhe me lëvizje shumë të rregullta përcjellin elektricitetin. Në fakt ata përshkojnë rrugë, por shpejtësitë janë shumë të vogla; ata përshkojnë një rrugë të shkurtër sa 2 të qindat e centimetrit në sekondë.

Elektroni s’ka as mend, as dorë, as këmbë... Por duhet të ketë një Komandant i cili i vë në punë si ushtarë shumë të disiplinuar, sepse dukuritë që ato shfaqin janë të mrekullueshme. Ata bëjnë lëvizje në formë dridhjesh me një shpejtësi fantastike të cilën ne e quajmë dallgë. Megjithë këtë ata nuk ngatërrohen me njëri-tjetrin dhe nuk e prishin rregullin e zbatuar. Tamam si ushtarë të bindur me lëvizjet e matura dhe jashtëzakonisht preçize ata përcjellin dora-dorës forcën elektrike që e quajmë impuls. Tek lëvizjet e tyre nuk shohim asnjë gabim, asnjë pushim, asnjë mangësi, sepse shpejtësia e rrymës elektrike është e pandryshueshme, konstant, 300 mijë kikometra në sekondë.

Ai që e vë në lëvizje elektronin është Allahu

Mos të duket sikur është kuptuar brendësia dhe esenca e elektricitetit. Esenca e thërmijave si elektroni nuk e shpjegon plotësisht strukturën e brendshme të tyre. Pjesa më e madhe e lëvizjeve të elektronit dhe format e tejçimit të forcës shtytëse që e quajmë elektrik mbetet gjithmonë e fshehtë.

Dimë se elektronet me lëvizjet e tyre në formën e dallgës e përcjellin elektricitetin. Njohuritë tona rreth elektricitetit janë asgjë në krahasim me ato që nuk dimë. Për këtë arsye kur shohim funksionet që kryen elektriku në ampula, televizione, fabrika dhe në shumë mjete të tjera s’mund të kalojmë duke thënë “forca elektrike që tashmë e dimë”. Këtyre dukurive të mrekullueshme që shfaqen te këto thërmija nga Allahu, të mjaftohesh vetëm duke i thënë: “Ky është elektriku, zbatohet ky ligj, kjo formulë!”, është vendosja e një perdeje, një mosmendim. Në këto dukuri madhështore mosnjohja e Allahut është pranimi si perëndi i çdonjërit prej elektroneve. Po, të gjitha këto funksione të magjishme, elektroni nuk i kryen dot pa pasur një tru të paanë, sy dhe vesh që të shohë dhe të dëgjojë përnjëherësh gjithçka, një forcë që të udhëheqë çdo gjë. Meqenëse çdo elektron nuk mund të posedojë cilësi të tilla, ka vetëm një Zot, Ai është Allahu.

Zëri që del nga mikrofoni shpërndahet në altoparlante nëpërmjet rrymës elektrike që kalon nëpër kabllo. Fillimisht zëri kthehet në rrymë elektrike, kjo rrymë elektrike shndërrohet përsëri në zë nëpër altoparlantë. Në kabllo zërin e përcjellin elektronet. Ato lëvizin në mënyrë aq të matur saqë ruajnë dialektikën, trashësinë e zërit dhe çdo karakteristikë tjetër të folësit. Edhe në qoftë se flasim me miliona njerëz, veçoritë e ndryshme të zërave transmetohen ashtu siç janë. Për çdo lloj zëri ndryshimi i situatës së elektronit tregon se secili prej tyre gjendet nën një disiplinë të fortë dhe udhëhiqet nga një Dije e Pafund. Ky Drejtues është pa dyshim Udhëheqësi i botërave. Ky Drejtues është Ai që vë në lëvizje nën një bindje absolute elektronet, planetet, yjet, me një fjalë gjithçka.

Mendoni një tel përcjellës elektrik në të cilin lëvizin elektronet. Ata janë pa ndërgjegje, pa mend; janë grimca të rrumbullakta pa duar e pa këmbë. Ata notojnë me shpejtësi në brendësi të lëndës dhe me lëvizjet e tyre nxjerrin në dukje elektricitetin, mekanikën, atomin shkurtimisht formula të ndryshme të kimisë dhe fizikës. A mund të themi se këto thërmija bëjnë lëvizje të ndërgjegjshme dhe të llogaritura në detaje?! A mund të themi se secili elektron është më i ditur se një profesor dhe se njohuritë e formulat e kimisë dhe të fizikës i ka marrë që më parë në një fakultet?! Nëse do të përgjigjemi se po, sigurisht që do të bënim marrëzi.

Esenca e elektricitetit nuk dihet, por ekzistenca dhe karakteristikat e tij, ndikimet dhe funksionet që ka, me siguri dihen. Sikurse këtë, dimë edhe ekzistencën e Allahut, cilësitë e Tij, punët dhe dukuritë që na paraqet Ai.

Numrët kliko dhe vazhdo: <<< 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 >>>