Nuk munda ta mbaj veten. E përqafova fort znj. Neriman. Fillova të qaj me dënesë. Përjetova ndjenjën e lehtësimit pas gjithë lotëve që derdha. Nëna edhe në çastet e fundit i qenka lutur Zotit për mua.
– Mos u mërzit Fatma, shpresojmë që Zoti ta ketë pranuar lutjen e saj.
M’i fshiu lotët dhe duke m’i përkëdhelur flokët si fëmijë u përpoq të më ngushëllonte.
– Bija ime, nuk të kam thënë akoma lajmin e mirë.
Në ato çaste ajo do më tregonte atë ngjarje që do të ndryshonte jetën time.
– Për një çast gjendja e saj shëndetësore u rëndua. U shtri në shtrat. U përpoqa që ta bindja që të shkonim tek doktori por nuk pranoi. Tashmë e kishte kuptuar se do të ishte udhëtare. Sytë i nguli tek dera.
– Erdhën Neriman, - dhe u përpoq të çohej pak. Në fytyrë kishte një shprehje lumturie.
– Kush erdhi Jasemin? - e pyeta duke u kthyer nga dera.
– A e sheh znj. Neriman, erdhën ata për të më marrë.
– Kush janë ata? - e pyeta.
– E kush mund të jetë tjetër, melekët që do më shoqërojnë në varr. Sa të bukur dhe të ndriçuar janë.
U kthye nga unë dhe tha:
– Po të lë amanet Fatmën. Ia kam bërë hallall të gjitha. Le të shpëtojë nga ajo rrugë e të martohet me një musliman. E vetmja brengë...
– Dha shpirt duke thënë shehadetin, fluturoi në xhennet, iku...
Pas gjithë kësaj mbeta e lodhur duke qarë në krahët e znj. Neriman. Ah e shkreta nëna ime! Edhe në çastet e fundit nuk e ka harruar këtë vajzë të mbushur me mëkate. Dhe brenga e saj e vetme paskam qenë unë. Megjithatë ma paska bërë hallall, nëna ime e dashur... Me znj. Neriman folëm gjatë. Fjalët e saj ishin një botë tjetër, ishin interpretime të tjera. Nuk i ngjasonin botës time, mendimeve dhe jetës time. Por kuptova që bota e znj. Neriman ishte e mbushur me ngrohtësi, qetësi. Kurse bota ime e civilizuar mbante erë mashtrimi, frikë dhe ndyrësirë. Kisha gabuar. Një gabim të madh që vështirë të kthehesha mbrapa. Të pastrohesha nga mëkatet ishte e vështirë. A ishte e mundur që duke fshirë mëkatet të mendoja se nuk kam bërë asnjëherë një gjë të tillë? A mund të pranoja dhe të hyja në mesin e njerëzve të ndershëm, të pastër sikur nuk kishte ndodhur asgjë më parë? Dhe a mund t’i thoja Zotit të më falë se nuk do të përsëris më të tilla gabime?
Por e shkreta nëna ime një gjë të tillë donte. Nuk e mendoja se do të ballafaqohesha me një surprizë të tillë para se të vrisja veten. Ndoshta ka një fuqi që na drejton neve drejt një vendi të caktuar. Para meje gota e çajit ishte bosh. Nuk mbaja mend as se si e kisha pirë. Kisha ndenjur rreth 2-3 orë me znj. Neriman. Sapo do të merrja leje të dilja erdhi shoqja ime Esranur. Them shoqja ime se e kam pasur shoqe në shkollën e mesme. Nuk është një shoqe e grupit. Ishte mbesa e znj. Neriman. Edhe nëna e Esranurit kishte vdekur dy vite më parë në një aksident. Tani jetonte me babain dhe gjyshen. Kati ku rrinim ne ishte i tyre.
Znj. Neriman gjithmonë është përpjekur që të na ndihmojë. Me Esranurin nuk shiheshim që prej një viti. Atëherë ka qenë një vajzë me flokë të zbuluar dhe me ide komuniste. Por tani kishte ndryshuar, ishte mbuluar. Para katër muajve një mësues i yni, i kishte dhënë Esranurit tre nga librat tuaj. Këto libra i kishin lënë mbresa të paharrueshme. Ishte mbuluar dhe kishte filluar namazin dhe kishte lënë pijen. Edhe Esranuri edhe babai i saj në ditë të caktuara shkonin në biseda fetare. Esranuri i shpjegoi me një entuziazëm librat tuaj. U bëra shumë kurioze të dija se çfarë lloj librash ishin dhe ia kërkova. I nxori nga çanta dhe m’i dha. Atë ditë qëndrova tek znj. Neriman. Kthesa e jetës sime ndodhi atë natë.
Librin “Njeriu që kërkon vetveten” e mbarova atë natë. Një libër i mrekullueshëm. Nuk mendoja asnjëherë që një libër të ndikonte në ndryshimin e jetës së një njeriu. Pastaj ngjarjet rodhën vetvetiu. Zoti m’i hapi dyert e mëshirës... Dhe kështu u pranuan edhe lutjet e nënës. Mbas leximit të librave tuaj zbulova e njoha vetveten dhe u ktheva edhe njëherë në jetë. Falenderoj Zotin që më shpëtoi nga mëkatet. Duke lexuar veprat tuaja u njoha edhe me Risale-i Nurin. Këto u bënë si një dritë që rrezatoi dhe ndriçoi të gjithë jetën time. Mendoj se njeriu që ka parë nëna në ëndërr ka mundësi të jetë Said Nursiu, si thoni?
Sot mbas gjithë këtyre ngjarjeve jam nusja e njeriut që u bë shkas të ndryshonte jetën time, znj. Neriman. Pra u bëra nëna e Esranurit. Babai i saj ishte shumë më i madh se unë, por unë jam e kënaqur nga ai si njeri dhe nga ata si familje. U bënë dy vjet që jam martuar. Kemi një vajzë të vogël që e kemi quajtur Jasemin (emri i nënës). Jam shumë e lumtur dhe e qetë. Kam një bashkëshort që më mirëkupton. Dëshira ime e vetme që më ka mbetur është të marr lajm nga babai.
Tani mjaft më, se më tepër se një letër u bë roman. Rreshtat e kësaj letre janë mbushur me lot. Kam shkruar vetëm një pjesë të jetës sime. Juve ju falenderoj pa masë. Më keni shpëtuar jetën. Zoti ju dhëntë shëndet dhe lapsit tuaj forcë.

Në fillim paguaj borxhin ndaj Allahut
dhe kombit
Kam lindur në një vend të bukur të Anadollit në kushte të kufizuara ekonomike. Mospasja e babait dhe gjendja e varfër e familjes, kishin ndikuar shumë në psikologjinë time. Ditët e fëmijërisë janë të mbushura me dëshirat e shumta të parealizuara. Një çantë e re. Një palë këpucë të reja ishin pothuajse një ëndërr për mua. Duke parë gjërat që blenin shokët e mi, nganjëherë bëhesha xheloz dhe shkëputesha prej tyre duke menduar, “Pse ato kanë e unë jo?”
Unë, nëna dhe vëllai jetonim në një shtëpi të vogël. Kryetari i një shtëpie pa baba është gjithmonë nëna. Ajo përpiqej që të na rriste, të na mbronte dhe të na vishte duke bërë sakrificat më të mëdha. Ndoshta një nënë që nuk hante vetë, nuk vishej vetë për të na e lënë neve. Në shtëpinë tonë përdornim një rrëgozë për t’u ulur. Gjithmonë për të mos patur ftohtë flinim herët ose mësonim nën batanije. Kur merrnim ndonjë libër të ri gëzoheshim shumë edhe pse ishte i vjetër. Megjithë vuajtjet, dhimbjet dhe varfërinë që jetonim, nëna na inkurajonte gjithmonë për të mos rënë në grackë të keqe. Përherë na thoshte:
– Mos u mërzisni bijtë e mi. Zoti përcakton, di dhe sheh gjithçka. Bëni durim dhe mësoni se padyshim në fund do të hapet edhe për ne dera e shpëtimit.
Nëna përpiqej të na rriste me frymën e Kur’anit dhe islamit që në moshë të vogël. Në këtë mënyrë mundohej të na përgatiste të fortë përballë kushteve të jetës.
Isha në klasë të dytë fillore. Vëllai i madh ishte në klasë të pestë. Kishte rënë një dëborë e paparë ndonjëherë. Duke shkuar në shkollë kishim shkelur dëborën e pastër. Ishte shumë ftohtë. Shkuam në shkollë por kur mbërritëm atje, nga këpucët e vjetra dhe të shqyera, na kishte hyrë aq ftohtë sa na ishin ngrirë këmbët. Unë nuk i ndjeja as këmbët e as duart. Isha ngrirë i tëri. Edhe vëllai kishte mërdhirë. Të dy filluam të qanim nga gjendja jonë. Nxënësit e klasës që na panë në atë gjendje të mjeruar vrapuan për të na ndihmuar. Këpucët e prishura ishin mbushur me borë dhe mbeten në të. Në këmbë nuk kishim çorape. Nën uniformë kishim nga një triko të hollë. Na ulën afër sobës për t’u nxehur. Mësuesi nga njëra anë ndizte sobën, nga ana tjetër fshinte lotët tanë. Ai aq shumë ishte ndikuar nga ne, saqë as ai nuk mundi t’i mbante lotët.
Pas ndezjes së sobës filluam të nxeheshim pak.

Numrët kliko dhe vazhdo: <<< 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 >>>