– Lexoje këtë libër pastaj flasim, - tha.
– Në qoftë se nuk i lexon këto, as unë nuk mund të të shpjegoj ty diçka, as ti nuk mund t’i kuptosh ato që do të mund të të shpjegoj.
Nuk pranova.
– Unë nuk merrem me libra të tillë me mendime prapanike,- i thashë.
– Mos më detyro për gjëra që nuk i dua.
Im shoq këmbënguli shumë.
– Të paktën njërin lexoje. Për shembull “Mehmeti nga Dyzxheja”.
Duke parë këmbënguljen e tij dhe për të mos e lënduar, për të mos jetuar sërish grindje dhe pakënaqësi, pranova.
Profesor nuk e di se si ta shpjegoj atë moment, efektin, emocionin dhe habinë që ndjeva në çastin kur po lexoja librin. Me pak fjalë ishte i mrekullueshëm, i jashtëzakonshëm...
A mund ta mendoni, unë që isha e huaj nga feja dhe besimi dhe për më tepër armike e saj, e lexova “Mehmetin nga Dyzxheja” duke qarë. Mësova me sy të mbushur me lot fenë, besimin, pse u krijuam dhe se cilat janë detyrat tona. Ky libër ndikoi në të gjithë botën time.
Së bashku me tim shoq një të dielë falëm namazin e parë, atë të drekës. Duke falë namazin dridhesha dhe më rridhnin djersë nga emocionet që kisha.
O Zot ne duke kujtuar se kemi gjetur lumturinë, pas kujt nuk kemi vrapuar, çfarë nuk kemi përqafuar duke kujtuar se kemi gjetur qetësinë. Por lumturia paska qenë shumë pranë nesh, por nuk e dinim...
Për herë të parë e kuptova vlerën e të qënurit krijesë e Zotit, por aq shumë më erdhi turp nga vetja... Sa herë shikoja ndonjë vajzë të mbuluar, ndonjë fetar, ose tallesha me të ose kaloja duke qeshur.
Në shtëpinë tonë, në jetën tonë, në shpirtin tonë erdhi qetësia. Fëmijët tonë, vajza dy-vjeçare dhe djali katër vjeçar filluan të ndjekin veprimet tona, duke rënë dhe u ngritur mbi sexhade. Shtëpia jonë u bë si një shkollë. Im shoq, unë dhe fëmijët, të gjithë filluam të mësojmë dua (lutje). Lexuam librat tuaj. Më besoni që u bëtë shkas që të na jipet jetë. Pastaj u njohëm me Risalet dhe krijuam një rreth të ri shoqëror. Bisedat fetare filluan të ndriçonin botën tonë dhe të na japin qetësi.
Por Zoti (xh.sh.) hodhi mbi ne një dhimbje të padurueshme. Kjo ndodhi pas gjashtë muajsh të këtij kthimi. Gjyshja ishte e sëmurë dhe kisha shkuar në shtëpinë e nënës sime që ishte pranë nesh. Edhe natën rrija atje. Im shoq, që të mos mërziteshin fëmijët në shtëpi, i kishte nxjerrë jashtë për të shëtitur nëpër Izmir. Në mbrëmje tek ktheheshin i kishte dalë një mikrobus dhe ishte përplasur me makinën e tyre. Bashkëshorti dhe dy zemrat e mia, fëmijët e mi, japin shpirt aty...
Kur e mora këtë lajm u shemba përdhe, mbarova. Për mua jetës nuk i mbeti më asnjë kuptim, fillova të mendoj për vetëvrasje. Jeta e re, të cilën e kisha filluar me një dëshirë të madhe, u shua dhe shterroi.
E zbrazja dufin ndaj Zotit. “Ne erdhëm tek ti, pse e bëre një gjë të tillë?” Mendoja sikur Zoti u bë për ne vuajtje. Nga ana tjetër kisha filluar të merrja një terapi psikologjike. Fillova ta largoja veten tërësisht nga bota. Kështu doja të vdisja. Kisha filluar të mendoja vetëm për vdekjen. Sepse nuk mund ta mbaja dot këtë dhimbje, këtë tragjedi. Përfytyrimi i tim shoqi dhe i dy zemrave të mia të vogla, kurrsesi nuk më hiqeshin nga sytë. Zoti mos e gjykoftë kërkënd me një provim të tillë. Shumë e vështirë dhe e pamundur për t’u kapërcyer.
Edhe gjyshja ime vdiq. Së bashku me nënën jetonim tek shtëpia e gjyshes. Im atë më kishte vdekur shumë herët. Kisha vetëm një vëlla. Edhe ai shyqyr kishte bërë kthesë. Meqë e dinte gjendjen time, përpiqej të më ngushëllonte dhe nuk ndahej prej meje.
Një natë të premte filloi të dëgjohej zëri i ezanit deri në shtëpinë tonë. Ishte bërë plot një muaj që i kisha lënë namazet. Edhe librat i kisha vënë mënjanë. Duke iu mbështetur atyre zërave, iu mbështeta Zotit duke u lutur:
“Në qoftë se ekziston, nëse je Mëshirues, ti na di neve dhe na shikon, prandaj na ndihmo. Nëse po shkoj e po vdes, po iki pa besim...” - dhe qaja e derdhja lot duke u lutur.
Në këtë moment trokiti dera e shtëpisë. Vëllai im Çetin e hapi derën. U duk një burrë shumë i pastër dhe me një veshje të rregullt.
Qëndrimi i tij të bënte përshtypje dhe kishte një paraqitje prej një të dituri, sikur rreth e rrotull shpërndante dituri.
Ai tha:
– Unë jam shoku i z. Ekrem. Dëgjova se kishte ndërruar jetë dhe erdha për ngushëllim.
E morëm brenda. Unë në fakt i njihja të gjithë shokët e vjetër dhe të rinj të tim shoqi. Por këtë zotëri po e shihja për herë të parë. Të gjithë me shikim për tokë, kaluam në dhomën e pritjes. U ul në kolltuk si me turp dhe respekt. Im vëlla iu ul pranë. Ne kishim zgjedhur një vend pak më larg.
“Kush jeni ju, nga vini?” - e pyeti vëllai im. Ai duke bërë sikur nuk dëgjoi filloi një bisedë fetare.
Zëri i tij ishte i plotë dhe ndikues. Fjalët i zgjidhte me kujdes. Çdo fjalë e tij sikur m’i kuronte plagët e brendshme dhe më qetësonte, duke më kumbuar si një zë i magjishëm dhe i mrekullueshëm, një zë që ndikon tek njeriu, që e magjeps atë...
Unë nuk do t’i harroj kurrë ato fjalë, të cilat më dhanë jetë përsëri.
“Fijet e gjithësisë janë në dorë të Allahut (xh.sh.). Asnjë ngjarje nuk është jashtë diturisë dhe informatës së tij. Sikur të mblidhej e gjithë mëshira e njerëzve, përballë mëshirës së Allahut nuk mund të jetë as sa një shkëndijë. Në çdo gjë që Allahu ka paracaktuar, ka një urtësi, një bukuri.”
Një moment thashë me vete se ç’është kjo urtësi dhe bukuri. Sikur të ishte dëgjuar kjo kryengritje e imja, ai dha këtë përgjigje:
“Juve ju përgëzoj të gjithëve familjarisht. Fatkeqësitë i derdhin mëkatet, i pastrojnë ato. Çdo ngjarje e tillë që i bie në kokë një muslimani është larje mëkatesh dhe gabimesh. Ky aksident do t’i japë rahmetlinjëve (burrit dhe fëmijëve) pozitën e shehidit (dëshmorit), pozitë kjo që të bën fqinj me pejgamberët dhe të dashurit tek Allahu.”
Për një moment nuk e mbajta veten. “A jeni i sigurtë?” - u hodha.
“Yt shoq në momentin e vdekjes ishte me abdest dhe mendonte Allahun. Kurse fëmijët janë të pamëkatë dhe të pafajshëm. Ata ranë shehidë. Fituan një xhennet të përjetshëm. Ata do t’ju bëjnë shefa’at (ndërmjetësim) juve. Mbase që po të jetonin edhe me qindra vjet, nuk e fitonin këtë pozitë shpirtërore. Allahu xh.sh. i dha si shpërblim asaj dhimbjeje një pagesë shumë të madhe.        
 Ata i bëri dëshmorë, juve ju dha durim dhe duke iu dorëzuar Zotit, Ai iu siguron një jetë të përjetshme në xhennet...
Falenderojeni dhe luteni Atë. Allahu i mori ata në përkrahjen e tij, ata janë në duar shumë të sigurta. Për këtë nuk duhet të mërziteni. Dorëzohuni dëshirës së Allahut.
Ngushëllime të sinqerta dhe mos harroni se ju pret një bashkim i përjetshëm në xhennet.”
Më pas u çua në këmbë. Të gjithë ne ishim mbështjellë nga një emocion i madh. Nuk na erdhi në mendje as ta qerasnim dhe as ta pyesnim se kush ishte dhe se ç’emër mbante. Pastaj u nda nga ne dhe doli.
Nëna ime vrapoi menjëherë tek dritarja për të parë se në ç’drejtim do të shkonte kur të dilte nga banesa... Por nuk e pamë të dilte nga apartamenti...
Ai njeri i mrekullueshëm që u prezantua si shoku i tim shoqi, erdhi e shkoi si me magji.
“Unë e mora me mend diçka të tillë, të jashtëzakonshme me të, se ai njeri nuk mund të jetë kaq i pastër shpirtërisht dhe kaq ndikues.  Ai person ishte krejt tjetër,” - tha nëna ime.
Zoti qoftë i kënaqur me të. Ai u bë shkak që të vinim sërish në vete. Kështu ne u takuam përsëri me kënaqësinë tonë të vjetër. Por a është e mundur t’i harroj ata tre zemrat e mia? Jetoj vetëm me kënaqësinë se një ditë do të bashkohem me ta. E lexoj shpesh shpjegimin mbi vdekjen në fragmentet e Risaleve. Pres që edhe mua një ditë të më hapet porta dhe të bashkohem me tre zemrat e mia.

Numrët kliko dhe vazhdo: <<< 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 >>>