Por fatkeqësitë nuk mbaruan me kaq. Brenda gjashtë muajsh nëna dhe babai ndërruan jetë. U mërzita pa masë. Ndjeva sërish botën të më shembej mbi kokë. Mbeta e vetme me dy vëllezërit e vegjël në një shtëpi të vjetër. Pikërisht atëherë dolën në dritë miqtë e vërtetë. Veçanërisht ngushëllimi dhe mbështetja ime më e madhe u bënë veprat “Mesazhet e dritës”. Gjeja ngushëllim duke lexuar rreth qënies dhe mentalitetit njerëzor, duke kuptuar me anë të argumenteve logjike se kjo botë është kalimtare dhe se takimi i vërtetë do të jetë në jetën e përtejme.
Veçse dyert e Allahut qenkan të pafundme. Njëra mbyllet, një tjetër hapet. E njëjta gjë ndodhi edhe me mua. U martova me një mjek që mbaroi të njëjtën shkollë. Tani jam e lumtur. Uroj që Zoti i Madhëruar të na japë të gjithëve lumturinë e ahiretit (jetës së përtejme).
Ju u bëtë shkas për ndriçimin e botës time. Edhe juve ua ndriçoftë Allahu këtë botë dhe atë tjetrën plot dritë dhe nur.

Me respekt
Zejnep Dogan
Ankara
06.10.1998

Shpëtoi im bir
 
Mësues i nderuar, nëse jeni më i ri se unë të drejtohem me dashuri, nëse jeni më i moshuar, me respekt. Mesa duket mënyrat e komunikimit në botën moderne ecin me hapa të shpejtë, gjë që më mbushi mendjen që koha e letërkëmbimit mbaroi. Por jo, s’paska qenë kështu. Letrat paskan qenë një mjet ku unë munda të shpreh botën time të brendshme. Ndjenjat që kam tani në shpirt, nuk mund t’i shpreh as me telefon e as me faks. Më duket sikur jemi ulur përballë njëri-tjetrit, si dy miq të vjetër dhe jam i gatshëm për të ndarë brendësinë time me ju.
Mësues, shkaku që po shkruaj këtë letër është biri im që sapo ka filluar universitetin. Biri im i vetëm. Kishim edhe dy vajza por fatkeqësisht ato u ndanë nga ne në një aksident. Dhe për këtë, djali u bë gjithçka për ne. Dashuria, e ardhmja jonë dhe shpresa jonë...
E lidhëm jetën tonë tek ai. Dalëngadalë shpresa jonë, djali ynë i vetëm filloi të devijojë nga rruga e drejtë. Të themi më të drejtën e mori shoqëria. Kur ishte në shkollën e mesme kishte një mësues kujdestar. Me atë kishte shumë afrimitet. Edhe djalin një mënyrë apo tjetër e prishi. Mua dhe nënën e tij nuk na përfillte fare, nuk na dëgjonte më. Bënte të kundërtën e asaj që i thonim. Kur e kritikoja hidhej menjëherë duke thënë, “jo mos më ndërhyj fare, po jetoj jetën time”.
Nëna e tij për fajin e tij u sëmur nga nervat dhe akoma shkojmë rregullisht tek doktori. Ngelëm pa zgjidhje mes katër rrugësh.
Në qytetin tonë kishim një kushëri librashitës. Para ca kohësh shkova për vizitë. Gjatë bisedës tema kaloi tërthorazi, duke ardhur biseda tek djemtë tanë. Ngaqë e kisha shpirtin plot, i derdha të gjitha. Kushëriri u shqetësua shumë nga gjendja jonë. Po kush nuk do të shqetësohej prej një dali që mbahej si syri i vetëm, por që i cili i poshtëron prindërit e tij. Këta gjëra i ndjejnë vetëm ata që i kanë jetuar.
Kushëriri im në çast për të më ndihmuar më dha një këshillë.
- Në dyqan më gjenden disa libra shumë të dobishëm për rininë, po t’i jap, a thua i lexon djali vallë? - tha.
- Nuk ma hante mendja. Djali më parë ishte i drejtë, i sjellshëm dhe i edukuar. Tani dhoma e tij është e mbushur plot me postera dhe me kaseta këngëtarësh. Mendja i fluturon, e si mund t’i lexojë ato libra?
Kushëriri nguli këmbë. Edhe unë nuk ia prisha i mora disa libra nga ato që më sugjeroi. Ngaqë ishte në universitet nuk ndodhej në shtëpi por së shpejti do të kthehej. Para se të vijë sikur t’ia lë librat në dhomën e tij, kur të vijë i sheh, ia tërheqin vëmendjen dhe mbase i lexon.
Ja pra kjo ishte bota e shpresave. E pamundur, por ja një iluzion… I mora librat dhe erdha në shtëpi. Kishte edhe tre muaj nga koha kur do të vinte djali.
Fillimisht thashë t’i shoh unë këto libra. Tashmë jemi edhe në pension. Si do qoftë kemi kohë të lirë. Të tjerëve i këshillojmë libra, por për vete nuk lexojmë.
Miku im më kishte dhënë katër libra. Njëri ishte një roman fetar. Tjetri ishte një libër në lidhje me adhurimet (ilmihal). Libri i tretë kishte lidhje me nacionalizmin dhe libri i fundit ishte libri i juaj “Njeriu që kërkon vetveten”. Brenda një muaji i lexova të katër këto libra. Dhe në fakt mua më ishin nevojitur së pari. Sa kisha pasur nevojë për to dhe sa i uritur kisha qenë ndaj tyre dhe nuk e kisha ditur.
Libri i juaj me një fjalë të vetme, i mrekullueshëm... Mua më ndikoi shumë. Faleminderit Zotit, qoftë edhe jo krejtësisht i kryenim detyrat tona ndaj Zotit, por veten tonë, qëllimin tonë, përse jemi krijuar, ku po shkojmë dhe kujt do t’i japim llogari, nuk i mendonim shumë. Adhurimet tona i kryenim në mënyrë sipërfaqësore, jo nga brenda.
“Njeriu që kërkon vetveten” ma hapi mua këtë portë. Kështu u njoha me njerëz që lexonin libra fetarë dhe bënin bashkëbisedime rreth besimit. Dhe në fakt jeta ka një kuptim tjetër me besim (iman) dhe adhurime (ibadet), duke të përfituar një qetësi shpirtërore.
Pastaj së bashku me bashkëshorten i vumë një rregull jetës sonë, duke u kujdesur më shumë për adhurimet tona. Unë merrja pjesë në mbledhjet fetare të burrave, kurse gruaja në atë të grave. Në shtëpinë tonë erdhi qetësia. Çdo gjë është nën urdhërin e Allahut... Ashtu si të dëshirojë Ai, bëhet. Duhet t’i dorëzohesh Atij. Prandaj shpresonim edhe për djalin tonë... dhe luteshim për të. Sepse mëshira e Zotit është aq e madhe, saqë nuk e kthen mbrapsht këtë dëshirë.
Duke e parë problemin nga ky këndvështrim, edhe ne u qetësuam. Shpëtuam edhe nga tortura psikologjike. Filluam të presim se ç’do të na sjellë Mëshira e Madhe e Allahut.
Djali ynë pasi mbaroi semestrin e parë të vitit të parë, erdhi për pushime. Sytë e nënës së tij dhe të mitë ishin gjithnjë në rrugë, se kur do të vinte. Edhe ishte hera e parë që rrinte kaq gjatë larg shtëpisë, edhe ishim kuriozë të dinim në lidhje me gjendjen e tij.
Menjëherë sa u takuam, gjëja e parë që na bëri përshtypje ishte prerja e flokëve. Sepse me gjithë këmbënguljen tonë, i pati zgjatur flokët duke i lidhur edhe nga mbrapa. Atëherë u patëm mërzitur shumë për këtë. E ëma për ditë të tëra iu pati lutur me të qara, por nuk patën vlejtur aspak.
Pastaj kishte veshur edhe një palë pantallona të rregullta. Edhe kjo na bëri përshtypje. Kurse ai më parë përdorte xhinse të grisura. Më parë rruhej një herë në javë, kurse tani ishte rruar si jo më mirë. Shkurt, kishte ndryshime të mëdha në paraqitje.
Kjo gjendje fillimisht na çoi në këtë konkluzion:
“Djali ynë tashmë po rritet. Kështu që universiteti e ka pjekur atë. Ka mësuar se si duhet të sillet me më të mëdhenjtë, duke e kuptuar edhe gabimin. Prandaj edhe është veshur kështu me rregull dhe ka prerë edhe flokët.
U përqafuam fort dhe pamë se po sillej më i dashur dhe i afrueshëm. Pra nuk kishte ndryshuar vetëm paraqitja e tij e jashtme, por edhe brendësia e tij.
Inshallah është e hajrit, thoja dhe i lutesha Allahut.
U ulëm dhe filluam të çmallemi. Djali u çua në këmbë dhe tha:
“Po më kalon koha e faljes (namazit). Le të falem një herë, pastaj flasim,” - tha.
  Burrë e grua shikuam njëri-tjetrin. Nuk mund ta besonim. Inshallah gjithë ato lotë të derdhur nuk na kanë shkuar kot. Ai Zot i Madh sigurisht që i dëgjon gjithë ato lutje dhe përgjërime.

Numrët kliko dhe vazhdo: <<< 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 >>>