Drama e një studenteje mjekësie të përjashtuar nga shkolla

Prej shumë kohësh kam dashur t’ju merrja në telefon, të njihesha dhe të bisedoja rreth disa çështjeve me ju, por nuk kam mundur. Kështu që duke menduar se letra do të më lejonte t’ju flisja më me hollësi, vendosa t’ju shkruaj.
Nuk e di nëse keni kohë të mjaftueshme për t’ia kushtuar letrave që ju vijnë, por gjithsesi uroj që t’i kushtoni pak kohë letrës së një njeriu si unë që ka kaluar një det vështirësish të cilat ia kanë prishur të gjitha ëndrrat. Në këtë mënyrë edhe unë duke ia shpjeguar brengat e mia dikujt tjetër, në një farë mënyre mundohem të gjej ngushëllim.
Kam lindur dhe jam rritur në Ankara. Vazhdoja fakultetin e mjekësisë në Universitetin e Stambollit. Për të më shkolluar mua, familja ime ishte e detyruar t’u nënshtrohej shumë sakrificave të padurueshme, sepse gjendja jonë ekonomike ishte shumë poshtë normales. Ata biles shpeshherë duronin edhe varfërinë më të padurueshme. Nëna ime, megjithëse e sëmurë nga veshkat, pastronte apartamentet, ndërsa babai ndonëse i moshuar dhe sakat, punonte në ndërtim. Gjithë pasuria jonë e kësaj bote ishte një shtëpi e rëndomtë me dy dhoma, ku jetonim.
Megjithë kushtet mjaft të vështira, me shpirt nëpër dhëmbë arrita deri në vitin e pestë. Isha një nxënëse mjaft e suksesshme. Çdo vit emri im zinte vend ndër nxënësit më të mirë të fakultetit. Qëllimi im i vetëm ishte të mos e shpija dëm mundin e familjes sime, që megjithë gjendjen e mjerueshme kishte sakrifikuar çdo gjë për mua. Mësoja me të vërtetë shumë.
Në atë kohë rrethi im shoqëror ishte shumë i ulët. Që të gjithë ishin njerëz që kishin hequr dorë nga bota, që s’njihnin rregulla e ligje, shembull i gjallë i fjalës “Ku ngryset, nuk gdhihet”. I vetmi qëllim i jetës së tyre në këtë botë ishte qejfi, zbavitja dhe kënaqësia e vetvetes. Kjo gjendje për të ardhur keq e tyre, më pikëllonte shumë por nuk bëja dot gjë. Duke u asimiluar mes tyre, në kërkim të një filozofie për jetën, mundohesha të gjeja qetësi në një jetë të çthurur.
Herë herë në vetvete vlerësoja jetesën time duke nxjerrë përfundime që s’më pëlqenin aspak.
Qëllimi i prezencës sonë në këtë botë nuk duhet të ishte vetëm plotësimi i dëshirave dhe kënaqësive vetjake. Jetesa jonë ishte e mangët, nuk ishte e drejtë. Po e drejta si duhet të ishte? Këtë nuk e dija, ndoshta nuk doja ta dija.
Ishte e enjte, një ditë si gjithë të tjerat. Kisha shkuar në një zyrë banke në Kadikoy për të tërhequr paratë që nëna si pastruese m’i dërgonte me një mijë vështirësi. Sa herë që merrja në dorë ato para, qaja dhe i lutesha Allahut që kjo jeta ime e mjerë të mbaronte sa më parë. Por për çudi në çdo lutje të tillë kisha turp nga vetja. Vallë me ç’fytyrë kisha guxim t’i lutesha Zotit për diçka?
Duke pritur në radhë përpara sportelit të bankës, më ra në sy një libër që qëndronte mbi tryezë, përpara nëpunëses... “Njeriu që kërkon vetveten”. Ky emër m’u duk shumë interesant. Ndoshta më interesantja ishte se dashur padashur kisha krijuar një paralelizëm midis titullit të librit dhe jetës sime. Sepse unë brenda vetes kërkoja një identitet më të mirë.
Si duket e kisha vështruar librin me mjaft kujdes dhe vëmendje, sepse nëpunësja e bankës duke më buzëqeshur lehtë më tha:
“Urdhëroni, po deshët mund ta shikoni.” - dhe ma zgjati librin.
Duke pritur që ajo të mbaronte punën e saj, e mora në dorë librin dhe e hapa. Në faqen që hapa u përballa me ca rreshta që sikur më shkundën të tërën.
“Njeriu nuk është lënë pa ndonjë detyrë si një kafshë që kullot ku të dojë me kapistrën në qafë. Përkundrazi, të gjitha veprat e tij merren dhe shkruhen, rezultati i të gjitha punëve të bëra ruhet për një llogari përfundimtare.
Njeriu si qënia më e përsosur është krijuar si një frut i pemës së gjithësisë për të përfituar dhe përdorur të gjitha bukuritë dhe mirësitë e saj. Ai është ndjekësi i vëmendshëm i gjithçkaje që ndodh në këtë botë. Gjithë ky rruzull i patëmeta është përgatitur si shtëpi për të. Detet, malet i janë përulur urdhërit të tij, ajri është bërë për të mjet jetese dhe transporti. Bletët për të bëjnë mjaltin, krimbi i mëndafshit veshjet. Delet dhe qingjat janë për njeriun mjet ushqimi, ndërsa pemët të cilat ushqehen me dheun e tokës, zgjasin duart e tyre duke i servisur atij frutat më të shijshme.
Gjithë sa u përmend më lart së bashku, secili me gjuhën e vet shpallin dhe lajmërojnë Madhështinë dhe Njësimin e të Gjithëpushtetshmit të gjithësisë. E pra, njeriut i është dhënë nderi dhe detyra për të qenë përkthyesi dhe përfaqësuesi i të gjitha krijesave.
A është e mundur që një Madhëri e tillë, i Cili e ka vënë këtë gjithësi nën urdhërat e njeriut, ta lërë racën njerëzore të paimpenjuar në jetën e varrit? A mundet vallë të mos i kërkojë llogarinë e gjithë këtyre harxhimeve? A është e mundur të mos i japë shpërblimin e merituar të bindurve dhe dënim rebelëve?”
(Bediuzzaman Said Nursi)
Këto rreshta flisnin për jetën dhe modelin e njeriut që unë kërkoja. Më besoni profesor, më tërhoqi aq shumë, saqë nuk e kisha dëgjuar zërin e nëpunëses që më thërriste. Ishte një e vërtetë sa e mrekullueshme aq edhe kuptimplotë. Gjithësia është krijuar për njeriun dhe llogaria e gjithë kësaj do të kërkohej një ditë. Po jeta jonë? Erdha në vete vetëm kur nëpunësja e bankës më preku dorën.
“Kaq shumë të pëlqeu?” - më tha.
“Po” - i thashë. Nuk mund të flisja më tepër, vazhdoja ta përsërisja me vete. Menjëherë aty për aty vendosa:
“Unë jam rob i Allahut. Këtë nuk duhet ta harroj kurrë. Duhet ta di mirë se ç’është adhurimi i vërtetë dhe ta jetoj atë.”
“Librin po deshët mbajeni. Le të jetë dhuratë nga ana ime.”
Nëpunësja e bankës më zgjoi përsëri. E falenderova pa e kundërshtuar aspak. Më pas shtoi:
“Ne së bashku me disa shoqe të tjera, të shtunave dhe të dielave mblidhemi dhe mundohemi të përfitojmë nga libra të tillë. Në qoftë se keni dëshirë mund t’ju ftojmë edhe ju.”
Sërish pranova pa e kundërshtuar aspak. Pasi mora paratë dola nga banka. Tashmë jeta kishte filluar të përmbante një kuptim krejt tjetër.
E lexova “Njeriun që kërkon vetveten” me një frymë. Më preku shumë. Në të gjeta gjëra që i kërkoja prej kohësh. Shkova edhe në bisedat për të cilat më kish folur nëpunësja e bankës. Dalëngadalë fillova namazin, Zoti na e pranoftë. Vazhdoj t’i fal edhe namazet e prapambetura. Tashmë në shkollë shkoja e mbuluar. Më vinte keq për gjithë ato vite të kaluara zhytur në brenga e errësirë. Qetësinë shpirtërore e paskam pasur kaq afër pa ditur ta arrij. Por... lumturinë dhe qetësinë që më ndriçoi dhe zbukuroi jetën dhe zemrën, nuk munda t’ua shpjegoj shokëve që më rrethonin. Ata të zhytur në fantazitë dhe zbavitjet e rreme të kësaj bote, filluan të më tallnin. Në të vërtetë nuk kishte ndryshuar asgjë. Unë isha nxënësja më e mirë e degës. Mbulesa e kokës nuk kishte ndikuar aspak në diturinë dhe kapacitetin tim. Përkundrazi, kisha filluar të jetoja jetën më me disiplinë, më me rregull, më me kuptim. Po të njëjtët profesorë që më kishin ngritur në qiell për rezultatet e larta, pasi mbulova kokën, ma çuan fletën e lavdërimit me postë, pa ma dhënë në ceremoni. Normalisht njerëzve të shkencës si ata duhet t’i interesonte brendësia dhe jo ç’shihnin në sipërfaqe.
Edhe nëna dhe babai duke u frikësuar nga paralajmërimet për përjashtim nga shkolla dhe humbje të të gjithë mundit të derdhur, dolën kundër mbulimit tim. Në një anë urdhëri dhe adhurimi i Allahut, në një anë presionet e shkollës dhe dëshira e prindërve për t’u zbuluar.
Luftova në këtë mënyrë plot një vit. I gdhija netët duke qarë. Njerëz të papërgjegjshëm nga kjo botë ngriheshin në piedestal, ndërsa ata që adhuronin Zotin u nënshtroheshin shtypjeve të tilla. O Zot ç’sprovë e tillë ishte kjo?
Më në fund pa ju dhimbsur aspak, më përjashtuan nga shkolla. Faleminderit Allahut, nuk u ndikova aspak në adhurimin tim.
Kur u ndava nga shkolla shumë shoqe të zbuluara më përqafuan duke qarë. Pas lamtumirës së fundit vështrova e pikëlluar për herë të fundit shkollën. Iu luta Zotit që një ditë edhe vajzat e mbuluara, të mund të hyjnë në këtë shkollë pa probleme ashtu si vajzat e tjera.
Prindërit u mërzitën shumë. Pas një viti do të dilja mjeke.

Numrët kliko dhe vazhdo: <<< 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 >>>