Si shumë të tjerë edhe unë iu përkushtova me të gjitha mundësitë e mia, duke punuar ditë e natë që të arrinim idealet tona. Dalëngadalë duke m‘u rritur posti në sindikatë, m’u rritën edhe detyrat e përgjegjësitë. Dhe gjithashtu fillova të njoh edhe njerëzit që ishin në majë të piramidës. Gjëja më e rëndësishme që më shqetësonte, ishte se nuk arrija të kuptoja përse ata që mbështesnin komunizmin refuzonin ekzistencën e Zotit. Përderisa mbrojmë të drejtat e njeriut, barazinë e vëllazërinë, përse u dashka që të refuzojmë fenë? Përkundrazi, a nuk duhet që t’i afrohemi më shumë fesë? Kësaj pyetjeje nuk po i jepja përgjigje. Por pastaj e kuptova se komunizmi dhe marksizmi ishte bërë një me filozofinë materialiste. Dhe kështu që nuk kishte vend për Zotin dhe fenë.
Sindikata na çonte të krijonim lidhje me klasën punëtore të vendeve si Bullgaria, Rumania dhe Jugosllavia. Në këtë mënyrë na u tregonte se si zbatohej në praktikë regjimi socialist. Pra po krijonim një vetëdije edhe në fushën politike.
Në Turqi në vitin 1968 kishte filluar era revolucionare komuniste. Komunizmi mbrohej haptazi dhe kishte filluar të derdhej gjak për një periudhë të re marksiste. Edhe ne ishim të besimit se ishte e natyrshme derdhja e gjakut, për të sjellë një sistem të shumëpritur. Kjo rrymë u forcua edhe më shumë në vitet 70. Tashmë ne e shihnim shumë afër komunizmin. Sepse atëherë ishte nisur një bashkëpunim i ngushtë me marksistë të vende të tilla si Rusia, Kina, Kuba, Shqipëria dhe Bullgaria. Paratë në lidhje me propagandën rridhnin lum. Bëhej çdo lloj ndihme për një revolucion. Qeveria s’kishte më forcë të bënte një propagandë antikomuniste. Por megjithëse shumë shkrimtarë, media, lidhjet studentore, arsimtarët, universitetet, sindikatat dhe një pjesë e policëve, kishin dhënë përkrahjen e plotë të tyre, revolucioni nuk po u realizonte. A thua se ishte një forcë e fshehtë që e pengonte atë.
Kur m’u rrit detyra në sindikatë dhe kur njoha më mirë liderët e sindikatës, gazetarët marksistë, liderët e fraksioneve të majta, të parët e lëvizjeve socialiste, kisha vënë re një të vërtetë. Dhe ishte kjo:
 Liderët që nxisnin protestat e rrugëve të rinisë e punëtorëve, ata që nxisnin për gjakderdhje, ata që mbronin tezën e fitimit të bukës me djersën e ballit, ata që mbronin tezat e vëllazërimit dhe të lirisë, pikërisht këta ishin ata që vetë jetonin në një luks të vërtetë. Pra nuk ishin të sinqertë as në idelaet e tyre. Ata vraponin vetëm pas interesave të tyre. Me të ardhurat materiale që kishin përvetësuar nga lëvizjet socialiste, kishin arritur të formonin kapitale të mëdha, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë. Një herë ishim të ftuar në shtëpi të një prej liderëve komunistë. U pata habitur nga jeta luksoze që bënte në një vilë madhështore. E pyeta në lidhje me këtë gjendje dhe përgjigjja ishte interesante:
“Shok” - tha. “Në qoftë se nuk jeton rehat dhe në luks, nuk mund t’i shikosh ngjarjet me një kokë të qetë.”
Tashmë e kisha kuptuar mjaft mirë mashtrimin e lëvizjes socialiste. Por a ishte e mundur të dilje më? Dhe në fakt edhe unë e kisha humbur atë shpirtin humanitar të njeriut të pastër të Anadollit. Vitet ma kishin nxirë jetën. Kishte vite që, xhamia, ezani, Kur’ani dhe fjala “Allah”, për mua nuk kishin më ndonjë rëndësi. Ne që mbronim rehatinë e njerëzve, lirinë dhe vëllazërinë, ishim mbytur në shqetësimet tona shpirtërore dhe u mundonim të gjenim një rrugëzgjidhje. Këto ideale ne na kishin përfituar një shpirt të zi katran dhe një botë me divergjenca. Të gjithë i shikonim si armiq dhe mashtrues.
Lëvizja socialiste kishte filluar të merrte plagë të rënda. Kishin dalë një mori fraksionesh. Këta duke mbrojtur tezën se do të sillnin diktaturën e proletariatit, e akuzonin njëri-tjetrin si tradhëtarë, fashistë dhe agjentë. Kjo gjëndje kishte bërë që idealet të ishin të lidhura me luftën e interesave personale. Rreth e përqark aq ishte trazuar gjendja, saqë e drejta kishte humbur nga tradhëtitë dhe ngatërresat dhe qëllimi i pastër kishte humbur me kohë.
Në ato kohë kishte edhe diçka tjetër që kisha vënë re:
Kundra grupeve të armatosura të komunistëve kishte edhe grupe të djathta që u përgjigjeshin me gjuhën e armëve. Por në fakt këta ia lehtësonin punën komunistëve, sepse qëllimi i tyre ishte që të kishte një luftë vëllavrasëse, në mënyrë që të humbte autoriteti i shtetit. Për ne problem ishin ata që pa rrokur armët, me forcën e mendjes dhe të logjikës, luftonin kundër marksizmit. Dhe këta ishin besimtarët. Këta ishin armiqtë më të mëdhenj tanët.
Në këtë periudhë kaosi, tashmë edhe ne mundoheshim të gjenim një rrugëzgjidhje. Flamuri komunist që ne valvitnim, tani kishte filluar të na hante edhe neve. Kishim ardhur në një pikë të tillë që edhe ai që dilte nga grupi humbte toruan edhe ai që hynte rishtazi po ashtu.
Grushtshteti i 1980-s çdo gjë e kishte kthyer mbrapsht. Ishte bërë si një rrugë shpëtimi për ata që thonin “mjaft më”. Kishte edhe prej atyre që e ndjenin veten rehat edhe nëpër burgje.
Edhe ne si shokët tanë që mbronim idenë komuniste, hymë në burg. Jeta e burgut për mua u bë si një pikë kthese, sepse u bë shkas që ngjarjet t’i shoh me gjakftohtësi. Tashmë e kisha kuptuar se në shumë pika kishim bërë gabim, se ishim përdorur nga të tjerët dhe ishim mashtruar.
Mijëra miq rreth meje tani kishin humbur. Mbetëm vetëm për vetëm me llogaritë tona. Kjo çështje në të cilën kishim hyrë me plot sinqeritetin tonë, na kishte sjellur në burg. Dhe për më tepër të gjitha bukuritë e shpirtit tim, ishin futur në një botë të brendshme të zezë.
Ditët e burgut ishin të mërzitshme. Nuk hynte as gazetë, as radio, madje edhe orën e dorës ma kishin marrë. Po kuptoja dhimbjen që më shkaktonte fakti i humbjes së konceptit të kohës.
Në këtë kohë një i afërm i imi që më erdhi për vizitë, më solli një letër nga bashkëpunëtori ynë Salih Gökkaya (me emrin e vërtetë Salman Eser). Në letër flitej për kthesën e Salihut, duke u bërë një besimtar dhe fetar. Nuk munda ta besoj. Ne Salihun e shihnim me syrin e një lideri. Ç’ishte Lenini, Stalini dhe Troçki për popujt e tyre, për ne ishte Salihu.
Ai i afërm që më kishte sjellur atë letër, më kishte sjellur edhe disa nga librat e Bediuzzaman Said Nursiut, si: “(Frutat) Argumentet e besimit”, “Prijësi i rinisë”, “Ngushëllimi dhe shpresa për të sëmurët”... Diçka e çuditshme ishte fakti, se aty ku më kishin marrë edhe orën, librat nuk i kishin parë. Ndoshta ishte ajo që Allahu e dinte se sa nevojë kishim ne për këto libra.
M’i la librat mua dhe shkoi. M’u duk sikur m’i kishin lënë njerëzit e mi më të dashur dhe me të afërt. Mund ta përfytyroni se ç’mund të jenë librat për një, që s’ka ç’të bëjë diçka tjetër nga mëngjesi deri në darkë, përveç se të lexojë.
Librat i lexova disa herë. Me një fjalë të vetme ishin të mrekullueshëm. Bota ime e brendshme e nxirë, tashmë po ndriçohej. Po kuptoja që isha rob i Dikujt, që kam ardhur për një qëllim të caktuar në këtë botë dhe që duke njohur Fuqiplotin, Atë që më kishte sjellur mua në këtë botë, t’u bindem urdhërave të Tij. Kjo gjë më jepte një qetësi shpirtërore, e cila në fakt kishte qenë kaq pranë, por ne e kërkonim larg atë. Kështu fillova të lexoja dhe kuptoja Risale-i Nurin (Mesazhet e Dritës). Dhe kur fillova t’i kuptoj këto vepra, kuptova edhe përse kishte bërë kthesë Salih Gökkaya.
Askush nuk më besoi kur i thashë gardianëve të burgut se, “dua të falem, prandaj më ndihmoni”. Një ditë erdhi kryegardiani dhe më pyeti se ç’është kjo puna e të falurit (namazit). Sepse për të nuk ishte diçka e rastit që një marksist i rrezikshëm si unë, të falte namaz...

Numrët kliko dhe vazhdo: <<< 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 >>>