Fillova të vëzhgoja përreth pa u ngopur.
Anadolli… Një krahinë krejt tjetër. Larg nga gjërat artificiale, të mbushej syri e zemra me gjërat tërheqëse të natyrës.
E vetmja gjë që e prishte këtë bukuri ishte zëri i lartë me këngë të papëlqyera, që vinin nga kasetofoni i autobusit.
Shoferi ynë do të jetë mërzitur duke dëgjuar të njëjtën muzikë përderisa tha:
"Të nderuar udhëtarë! Më falni por do t’ju bëj një propozim. S’na mbeti këngë pa dëgjuar. Në qoftë se ka ndonjë prej jush që di ndonjë këngë ose baladë, le të urdhërojë tek mikrofoni. Edhe neve na argëton edhe koha ecën. Se s’ka mënyrë tjetër për ta shtyrë këtë rrugë." Kundrejt këtij propozimi u ndërpre menjëherë zhurma në autobus. Këtë lloj ftese me sa duket shumë veta e kishin për herë të parë që e dëgjonin. Të gjithë si edhe unë me një gjysmë habie thamë nga brenda:
"Vallë do të dalë njeri për të thënë diçka?" Sigurisht që kërkonte guxim që gjatë një udhëtimi me autobus, të dalësh para shumë njerëzve që s’i njeh, e të këndosh këngë ose baladë.
Duke kaluar disa momente pritjeje me buzëqeshje, nga sediljet e fundit u ngrit një zë kumbues:
"Zoti shofer, me lejen tuaj kam dëshirë që ta sjell unë në vend këtë propozim."
Bashkë me gjithë udhëtarët e tjerë u ktheva dhe pashë mbrapa.
Po, ishte "ai personi". Ishte ai person i cili, para se të nisej autobusi nga stacioni i Kajserisë, erdhi me një mercedes ngjyrë të errët dhe rreth tij ndodheshin njerëz që e rrethonin tamam si një president me një seriozitet të madh dhe pastaj e hipën në autobus. Kjo gjendje për momentin ua tërhoqi vëmendjen të gjithë udhëtarëve.
Ishte shumë i pashëm, i mbushur dhe kishte një trup mesatar. Kishte një veshje blu dhe syze të zeza. Flokë të krehur me kujdes dhe dukej se kishte besim tek vetvetja. S’kishte mustaqe. Sapo ishte rruajtur dhe fytyra i shkëlqente... Ishte rreth të gjashtëdhjetave. Në fytyrë, drejt mjekrës i zbrisnin dy viza të thella që s’binin në sy, por dukej sikur ruanin kujtime të rëndësishme.
"Atë person" që ishte ulur në një sedilje prapa meje, e ndoqa gjatë gjithë rrugës se si bashkë me një të ri që kishte pranë, komentonin ngjarjet që ndodhnin në botë, doktrina politike dhe ekonomike.
"Atë person" që dukej i rëndë dhe serioz në pamje, po vija re se duke folur ishte simpatik, i sjellshëm dhe ishte orator në fjalët e tij.
Ja pra "ai person" kërkoi leje nga shoferi për të kënduar. Për pranimin që bëri ndaj një propozimi të çuditshëm po shikohej me habi nga të gjithë udhëtarët.
Burri duke ecur përpara, po bëhej shenjë vëzhgimi nga vështrimet e kujdesshme të udhëtarëve. Me t’u afruar tek shoferi, i heq syzet e zeza, me një buzëqeshje të ëmbël kthehet nga ne dhe me pjekurinë e një njeriu që di respektin ndaj njerëzve dhe me një sjellje që u takon atyre, ua mbledhi vëmendjen për një moment të gjithë udhëtarëve.
Kur të gjithë ia kishin vënë veshin atij, kthehet nga shoferi:
"I nderuar shofer!"-thotë. Dua t’u shpreh nga thellësia e zemrës sime që një plaku si unë që nuk vlen asgjë, i dhatë mundësinë që të jetë sëbashku me këta njerëz të pastër dhe të sjellshëm. Në qoftë se pranoni, zemrën time të plakur keni për ta gëzuar jashtë mase."
Burri i moshuar, më pas merr mikrofonin dhe fillon të këndojë. Të gjithë po habiteshim. Me atë zë aq të mrekullueshëm dhe ndikues na bëri për vete. Që të gjithë po e dëgjonin me habi të madhe.
Me veten time:
"Kush është ky njeri?"-po thoja. "Në qoftë se do ishte këngëtar pse s’ishte dëgjuar deri më sot? Në qoftë se s’është artist atëherë nga kush i ka mësuar gjithë këto këngë kaq saktë dhe bukur?!"
Për një moment filluam t’i bënim njëri-tjetrit pyetje të tilla. Shoferi duke u dehur nga këngët aq të bukura po bënte të pamundurën që të mos e trondiste autobusin, duke e ruajtur nga gropat.
Pas dy këngësh autobusin e pëmblodhi një tufan duartrokitjesh. Atij po i luteshin që të këndonte edhe këngë të tjera. Pesë këngë, dhjetë këngë…derisa të lodhej...
Por, ai brenda një plani që do ta kuptonim më vonë, duke u shfajësuar me një seriozitet të madh, dukej i vendosur që ta linte me kaq.
Kur u prenë duartrokitjet:
"Dua të më ndjeni"-filloi të fliste. S’e kam zemrën e fortë kundrejt këtyre këngëve prekëse. Ju lutem të më falni. Siç e shihni po më merret fryma. Pasi jam me dhimbje zemre dhe nuk dua që në këto çaste kënaqësie të më shihni të sëmurë."
Pasi mori frymë thellë vazhdoi:
"Në qoftë se njerëzve dhe miqve si ju, plot ndenja nga shpirti iu kam jetuar disa minuta të bukura, këtë mbrëmje mund të bëj një gjumë të rehatshëm. Por, në qoftë se dëshironi që të qëndrojmë ende bashkë, mund të vazhdojmë të bisedojmë. Pasi një plak që ka ngjitur gjashtëdhjetë shkallë të moshës së vet, besoj se ka shumë gjëra për t’u shpjeguar miqve që po jetojnë pranverën e jetës."
Burri ia doli përsëri mbarë që t’ua tërhiqte vëmendjen të gjithëve. Që të gjithë i rrethoi një merak. "Ai person" që u kishte pushtuar zemrat udhëtarëve, duke kërkuar justifikim për të mos kënduar, pse dukej kaq i ngutshëm për të biseduar?
Pasi i vështroi me kujdes udhëtarët, u foli:
"Shokët e mi",-filloi të fliste. Me siguri ka mundësi të jeni merakosur se ku do të dal. Po shpjegohem:
-Jetë do të thotë luftë, ndeshje. Me një shprehje tjetër, jeta është një fushë lufte. Njeriu për të jetuar duhet që ta fitojë luftën. Sigurisht rrugët për të fituar luftën kalojnë nga dija për mënyrën e luftës.
Mënyrat e luftës nuk mësohen vetëm duke lexuar, por ajo kërkon edhe përvojë. Disa përvoja mund të dalin në rrugë qorre dhe atëherë, jeta duke qenë në beharin e saj, gjen fundin e saj. Që të mos takohemi shpesh me këtë fund të dhimbshëm, kemi nevojë për përvoja të jetuara. Ja pra unë po ju them që si një njeri që ka arritur të gjashtëdhjetat, kam jetuar dhe kam mësuar shumë në luftën e jetës. Meqenëse ndodhemi sëbashku brenda kësaj lufte, dëshiroj që t’i ndaj me ju këto eksperienca. Në qoftë se do t’iu shpjegoj juve këto gjëra të vlefshme, keni për të bërë më pak gabime në këtë luftë dhe do të rritet më shumë mundësia për të qëndruar në këmbë. Nuk do të shtypeni në luftën e jetës dhe do të mësoni si të mos shtypeni."
Për të besuar më shumë në sinqeritetin e tij, i zgjidhte fjalët të kuptueshme dhe mundohej të ndikonte duke përdorur fjalë goditëse.
"Shokët dhe udhëtarët e mi",-vazhdoi. "Dua ta filloj bisedën me disa pyetje. Vetëm tre pyetje do të pyes dhe dua përgjigjen tuaj.
E para:
-A gjendet ndonjë midis jush që gjatë gjithë ditës të jetë në rehati dhe qetësi të plotë?"
Në një moment që s’e prisnim, përballë një pyetje të tillë "bum" që s’kish komentim, mbetëm të habitur. Pse po e bënte këtë pyetje? Ç’donte të thoshte dhe ku donte të arrinte?
Të gjithë e kishin kontrolluar vetveten dhe filluan të lëviznin fytyrat duke i tundur. Kështu pra, asnjë s’po jepte përgjigje.
"Ai person" duke u shprehur me seriozitet në kulm, "pa dyshim"-tha. "Kësaj pyetjeje s’mund t’i thoni "po". Unë kam pesëdhjetë vjet e s’munda ta them. Edhe ju s’mund ta thoni.
E dyta:
A ka ndonjë prej jush të thojë që unë i kam përballuar të gjitha nevojat e mia, s’kam ndonjë nevojë?
Një nga udhëtarët nga mbrapa:
"S’ka mundësi i nderuar",-u hodh. "A mbarojnë nevojat? Ku jemi ne dhe ku është përballimi i gjithë nevojave? Jo më këtu tek ne."
"Shumë bukur",-ia ktheu përgjigjen "personi". "Atëherë po pyes pyetjen e tretë:
-A ka ndonjë midis jush që të thotë se unë e kam jetën e garantuar, s’kam frikë dhe nuk shqetësohem prej asgjëje?"
Udhëtarët që ishin prezent përballë këtyre pyetjeve, ndonjëherë të habitur e ndonjëherë duke qeshur, shikonin njëri-tjetrin. Kurse unë ndryshe nga gjithë këto deri në një farë grade isha brenda një shqetësimi se si do të përfundonte kjo bisedë. Së pari zëri i tij i bukur ishte përgatitja e tabanit të mrekullueshëm për t’i bërë për vete… Fitimi i miqësisë duke marrë shënime nga udhëtarët… Pastaj duke përdorur këtë dialog me tregimin e pikësynimit të ëndrrave dhe ngatërrimit të pikave të dobta të njerëzve, po na ngopte akoma më shumë. Më së fundi:
"Me qetësinë e shpirtit s’mund të përgjigjeni me "po" këtyre pyetjeve, pasi jeni të privuar nga një regjim që s’i ka lejuar këto lloj pyetjesh",-tha më së fundi të vërtetën.
Nuk më gënjyen ndjenjat.
Varfërinë, shtypjen, mizorinë po i shpjegonte me aq shembuj profesionisti, saqë brenda atij autobusi, shumë pak veta e kuptuan se ai po bënte propagandë komunizmi. Duke e zbukuruar fjalimin e tij me humor dhe me mendime të pikasura, shmangej nga qëllimi i hapur dhe helmin që donte të ta ushqente, ta jepte me një profesionalizëm, duke i shtuar edhe mjaltë.
Ata që s’e kishin kuptuar bisedën, e dëgjonin me habi.
"Sa bukur që po flet ai more…"
"Dhe shembujt i ka shumë të goditur, ëhë!"
"Tamam një orator..."
"Jo vetëm aq, por di edhe psikologjinë e njeriut."
"Çdo gjë që shpjegoi, shkronjë për shkronjë ishte e drejtë."
"Tamam si profesor."
"Më tepër…"
"Ai personi" ndonjëherë në fjalimet që i shtynte me aq profesionalizëm, tregonte edhe ndonjë ajet ose hadith si argument, ndonjëherë midis fjalëve përdorte edhe fjali anglisht dhe arabisht. Disa udhëtarë flisnin:
"Sikur të ishte dijetar xhanëm",-pëshpërisnin mes njëri-tjetrit. "Kështu duhet të jetë njeriu i fesë."
"Ai personi" ndonjëherë me shenja, ndonjëherë haptazi, e mbrojti me një guxim të madh mendimin për: "Kundërshtimin dhe mosbindjen ndaj ligjeve ku ndërgjegjja e gjen të vërtetën." Çdo gjë të mirë dhe të bukur në këtë botë ai e shpjegonte si "komunizëm".
Doja ta kundërshtoja e t’i dilja kundër…, por kundër atyre ndjenjave habie që ishin formuar ndaj atij njeriu, e dija se s’do të mund të arrija ndonjë rezultat. Pasi me ata që i kanë mendimet e njëjta me "atë person", komunist të përbetuar, me ata që e pranojnë se ato që thotë janë fetare dhe e pandehin si një fetar dhe mes atyre që sillen sa për t’i bërë qejfin, të çohesh e të kundërshtosh ç’do të ndryshonte?
U mendova…
Pikë së pari për bisedën e bukur që do të ndërprisja, do të përballohesha me kundërveprimin e udhëtarëve. Më pas kuptova se ky njeri ishte një demagog i vërtetë dhe bile kishte aftësi që një të vërtetë të devijuar ta tregonte gabim haptazi. Kundërshtimi që do të bëja në qoftë se para udhëtarëve do të dilte në formën e një dialogu, nga njëra anë ajo që do të doja unë nuk do dilte dhe nga ana tjetër të vërtetat që do të doja të shpjegoja, ngaqë s’do i shpjegoja në mënyrë të përshtatshme, do të bëja dëm.
Por patjetër duhet të bëja diçka. Duke ngritur disa herë dorën desha të merrja fjalën. Megjithëse më shihte, me këmbëngulje s’donte të shihte. Në qoftë se do hidhesha e do të bëja rrëmujë, kjo do të thoshte se do të pranoja humbjen. "Ai person" e vazhdoi bisedën për rreth dy orë për të zbrazur helmin në mendjet e pastërta.
Mbeta i habitur nga guximi dhe vërtetimi që ai i bënte thënies së vet. Me të vërtetë qe një gjë e pabesueshme. Megjithëse ishte në atë moshë, duke menduar vështirësitë që heq dhe sinqeritetin që ka ndaj kësaj thirrjeje të kotë, po mundoja të pyesja veten se ç’mund të bëjë në qoftë se i jepet me shpirt thirrjes së vërtetë.
Metoda që përdorte "ai person" ishte shumë tërheqëse. Isha i sigurtë se kjo gjë ishte e tij, personale. Në të gjitha fjalimet e tij dukej qartë se ishte me aq kulturë, i zgjuar dhe i vetëdijshëm, saqë me filozofinë e tij mund të sillte një rrymë më vete.
Ndodhitë e së ardhmes, mendimet e mia kanë për t’i nxjerrë të sakta.
Të dish kaq mirë psikologjinë e njeriut..., të jesh i aftë të formosh një dialog të tillë me njerëzit..., ta ketë kaq të mirë stilin për të ndikuar tek të tjerët për të shpjeguar mendimin që mbron, e të mos ta numërosh fare veten përballë mundësive të mëdha të rreziqeve të jetës..., me të vërtetë është një gjë për t’u habitur. Nuk mund ta harroj dot. Fjalimin e tij e mbaroi kështu:
"Shpresoj dhe dua të shpresoj që përtej kësaj, dua t’iu lë trashëgim:
Ato që shpjegova, le të jenë një mjet për të luftuar jetën dhe kështu u mundova t’u tregoja juve, se ku do të mbërrini. Kur të gjeni atë botë do t’u përgjigjeni me "po" pyetjeve që ju pyeta."
Mes një duartrokitjeje të fuqishme u ul në vend të vet. Duke falenderuar shkonte e vinte brenda autobusit.

Biseda që filloi në malet Toros

Po i ngjitemi maleve Toros. Po prisja me padurim e me të shpejtë që autobusi të ndalonte për pushim, për shkak se koha e namazit të drekës ishte në të dalë. Kur kuptova se shoferi s’kishte ndër mend të ndalonte, atëherë u çova prej vendit dhe eca përpara.
"Shofer",-do i thoja. "Dua të fal namazin, a do të ndalojmë tani afër?"
Sa bëra disa hapa drejt shoferit, nga mbrapa u dëgjua një plasje e madhe. Makina duke u lëkundur sa majtas djathtas, u fut në një kanal, kurse udhëtarët ia behën në këmbë nga frika. Dolën të gjithë përjashta mes një paniku.
Kishin plasur rrotat e pasme të autobusit, të dyja përnjëherë.
Shoferi shikonte me një habi të madhe.
"Për Zotin",- tha, "kam 15 vjet që e bëj këtë punë, po që të plasin të dyja gomat e pasme në një kohë, është hera e parë që shoh. Qoftë e hajrit inshallah, por me sa duket ka punë të gjatë."
Kur ia tregova një më të madhi këtë ndodhi, më tha: "Mirë që nuk ka shpërthyer autobusi. Si mund t’i rezistonin gomat atij mohimi të rëndë që bëhej? Sigurisht që pëlcasin."
Shumica e udhëtarëve të habitur nga gjelbërimi i malit, u shpërndanë, kurse unë për të marrë abdest vrapova për tek uji i kristaltë që rridhte mes pemëve të pishave. Në ajrin e pastër të pyllit që më mbushte mushkëritë dhe nën ndikimin e cicërimave të zogjve u mallëngjeva nëpër pyll.
Me të falur namazin kërkova "atë personin".
Ishte mbështetur mbi një trung pisheje të madhe dhe po pushonte. Në fytyrë nuk i lexohej lodhje, por kënaqësia për shërbimin që ai kishte bërë ndaj thirrjes së vet.
Duke iu afruar afër e përshëndeta. Pasi ma ktheu përshëndetjen me sinqeritet dhe me një sjellje të ngrohtë duke treguar një shkëmb të madh, tha:
"Nuk po urdhëroni? Eja të ulemi bashkë".
U ulëm përballë njëri-tjetrit. Me një buzëqeshje të ëmbël dhe me një shprehje të ndritshme të syve, po më shihte mua. Ishte mëse profesionist për të dhënë imazh, të kuptoje se përballë kishe një shok për kokë.
Duke u përgatitur për të thënë diçka, u tregua më i shkathët se unë, duke më pyetur për punën dhe qytetin. Kur e mori vesh se isha mësues:
"Aaaa!",-tha. "Sa bukur! Gjatë gjithë jetës sime ka qënë një profesion që e kam dashur shumë. Më besoni mësues, që në qoftë se do të vija përsëri në këtë botë, kisha për të zgjedhur profesionin e mësuesit. Mësues për shkollën fillore. Është rruga më ideale që një popull ta shpëtosh nga problemet dhe brezin e ri ta drejtosh në rrugën që di vetë… pasi jemi në themel të punës. Ndërtesa e vendit do të ndërtohet mbi këtë themel. Kupton apo jo? Kështu mund të nxjerrësh tipe të rinj njerëzish…"
Ajo që tha ishte e drejtë.
Dhe një të vërtetë tjetër që kuptova ishte se duke më bërë komplimente tërhiqte bisedën në temën që dëshironte dhe ishte në mendimin që unë ta pranoja atë.
Me të gjetur rastin ndërhyra në fjalën e tij:
"I nderuar”,- i thashë. “Shkaku që iu kërkova juve kishte lidhje me bisedën në autobus. Në më tepër se dy orë të fjalimit tuaj i mahnitët udhëtarët. Si një person që e di psikologjinë e njeriut dhe si një njeri me kulturë, prekët disa çështje të ditëve tona dhe në temën për kurimin e disa plagëve që pikojnë gjak, na treguat disa propozime dhe rrugëdalje.
I dëgjova me kujdes fjalimet tuaja dhe pashë se mendimet tuaja ishin më tepër për gjendjen politike e ekonomike dhe çështje filozofike. Veçanërisht në temën e marksizmit, vërtetuat se ishit një njeri me kapacitet. Pa dyshim se duke dashur të përfitoja shumë nga një njeri i shumëanshëm, erdha pranë jush për një bisedë private, qoftë edhe e shkurtër."
Burrit që ndodhej përballë meje iu bë qejfi nga këto komplimente që i bëra. Duke u përkulur drejt meje tha:
"Mësues i ri. S’ka gjë më të lumtur për mua sesa t’u ndihmoj juve. Në qoftë se doni që t’u sqaroj ndonjë çështje, pyesni mos u tërhiqni. Unë jo një herë, por dhjetëmijë herë dëshiroj që mbledhja e diturisë, të jetë garanci e së ardhmes sonë dhe të gjendet një mësues si ju."
Si fillim, për të patur mundësinë që të futesha direkt në temë, doja që ta tërhiqja bisedën në temën e besimit. Pasi burri që ndodhej përballë meje ishte një marksist i ditur, kuptova gjithashtu se në fushën e tij ishte shumë i zoti dhe i aftë në të folur. Edhe pse në fjalimin e tij kishte fjalosur me ajete dhe hadithe, këtë s’e kishte bërë për t’i pranuar, por kuptohej shumë mirë që e kishte bërë për të përfituar nga ndjenjat fetare të udhëtarëve.
Për shkak se e ndjeva se "ai burrë" ndodhej në një boshllëk të madh besimi, duhet t’i shpjegoja ekzistencën e All-llahut dhe tema të tjera besimi me metoda të dijes dhe argumente që i pranonte mendja. Temat filozofike dhe ekonomike mund të fjaloseshin pas kësaj. Pasi një njeriu që nuk beson, t’i shpjegosh nga All-llahu dhe Kur’ani, s’do të kishte asnjë dobi.
Duke u kthyer nga ai, që prej këtij momenti priste prej meje ta pyesja ose t’i kërkoja të dhëna për ndonjë temë. I thashë:
"I nderuar, me sa munda të përmbledh ju sqaruat probleme të përgjithshme me rreth të gjerë. Gjithë botën… Gjithë njerëzimin… Tema politike dhe ekonomike… Zgjidhje për probleme të përgjithshme.
Kurse unë pa hyrë në çështje të gjera e të gjata dua t’ia filloj më nga afër. P.sh. të njohësh e të dish vetveten, të kuptosh rëndësinë e sekreteve të fshehta dhe të qarta dhe dua të zbuloj pikën e lëvizjes brenda vetes time. Në qoftë se doni të vërtetën unë s’kam mundur të marr një përgjigje të plotë dhe të hapur. Mbase ju këtyre pyetjeve të mia mund t’i tregoni një rrugëdalje."
Duke tundur kokën me një buzëqeshje, priti që pyetjen t’ia shprehja më kuptueshëm dhe vazhdova të flas:

Numrët kliko dhe vazhdo: <<< 1 2 3 4 5 6 7 >>>