Si qau vrasësi më i pamëshirshëm
Çdo njeri fliste për të në burgun e Kajserisë. I njohur me emrin “përbindëshi Byniamin.” Personi në fjalë kishte kryer aq shumë krime saqë ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Ai kishte vrarë njerëz, kishte derdhur gjak, kishte vjedhur, etj.. Ai nuk ishte vetëm një vrasës, ishte edhe një ateist. Që kur kishte humbur besimin tek Zoti, ishte bërë si përbindësh. Nga kush do të kishte frikë një njeri në qoftë se nuk beson tek Zoti dhe në ditën e gjykimit?
Tani që ishte dënuar me burgim të përjetshëm, nuk i kishte mbetë asgjë më për të humbur. Për këtë arsye thyente e prishte çdo gjë që i dilte përpara. Ai ishte si një ëndërr e frikshme e burgut. I gjatë, i shëndoshë, vetullat e rëna mbi sy, me një fytyrë të gërvishtur... Për të shfryrë mllefin dhe urrejtjen që kishte përbrenda, tentonte të dhunonte çdo gjë. Kur vinte ai të gjithë largoheshin dhe kush i kalonte pranë i përulej.
Punonjësit e burgut ishin mërzitur tepër nga sjelljet e përbindëshit Byniamin. Mundoheshin që të mos krijonin rrethana në të cilat të shprehej agresiviteti i tij. Ata plotësonin çdo dëshirë të tij në këmbim të rregullit dhe qetësisë. Atë e kishin emëruar të punonte në bufenë e burgut. Por asnjë i burgosur nuk shkonte të blinte gjë nga frika. Edhe në qoftë se merrte nuk kërkonte kusur. Në vitin 1971 ishte bërë grusht shteti. Vala e arrestimeve kishte përfshirë çdo gjë, ku ndër ta edhe besimtarët. Përbindëshi Byniamin vazhdonte të frikësonte të burgosurit. Në ato vite në burgun e Kajserisë hyri edhe Dogan Biner me grupin e tij. Faji që kishin bërë ishte grumbullimi i tyre për të lexuar komentin e Kur’anit. Njerëz të tillë besimtarë ndanin të njëjtin burg me përbindëshin. Këta ishin takuar disa herë dhe nga këto takime kishin lindur ngjarje të dhimbshme.
Në lidhje me ato ngjarje vetë Dogan Biner na tregon:
“Të gjithë të burgosurit ishin habitur nga hyrja jonë në burg. Ata nuk mund ta kuptonin faktin se si mund të hynte në burg një njeri vetëm se ka lexuar koment Kur’ani. Ata dinin se në burg mund të hyjnë vetëm ata njerëz që prishin qetësinë e shoqërisë, si vrasësit, vjedhësit, etj.. Ata në fillim nuk e pranuan akuzën. Ishin të bindur se kemi diçka tjetër. Por më vonë kur na njohën e kuptuan të vërtetën. Shokët tonë ishin njerëz të pastër dhe besimtarë. Kujt mund t’i bënte keq një musliman? Për këtë arsye të burgosurit na respektuan shumë. Pas një kohe të shkurtër nëpër dhomat e burgut kishte filluar të falej namazi. Disa të burgosur kishin filluar të mësonin Kur’an. Pyetjeve të shumta që bënin i përgjigjeshin shokët tanë duke u bazuar tek Risale-i Nur. Në zemrat e të burgosurve shtohej dalëngadalë besimi dhe ata e ndjenin se duhet të kryenin obligimet përkatëse.
Një muaj burg që kaluam ishte si një shkollë mësimi. Në të njëjtën kohë dëgjonim edhe bëmat e përbindëshit Byniamin. Ai nuk ishte vetëm zotëria por edhe dëmi i burgut. Por deri atëherë nuk ishte krijuar mundësia të takoheshim. Në çdo bisedë të burgosurit thonin: “Ah sikur këto që na shpjegoni t’i dëgjonte dhe Byniamini, sikur të besonte edhe ai.”
Ne ishim shumë kureshtarë të dinim se kush ishte ky njeri. Pas çdo namazi lusnim Zotin që ta kthente në rrugë të drejtë. Një ditë prej ditësh shkova në bufe për të blerë letër tek Byniamini. Do të shkruanim një shkresë. Në të vërtetë shkova i frikësuar.
Me një zë të ngrohtë i thashë:
– Z. Byniamin, a mund të më jepni një fletë format?
Më vështroi me një shikim të egër me ata sy të mëdhenj. Me një zë të mprehtë më tha:
– Ç’e do letrën?
– Ne kemi ardhur të rinj këtu, donim të shkruanim një kërkesë, - i thashë.
– Hëm. D.m.th. ju jeni ata?
– Kush janë ata zotëri?
– Ai grupi besimtar.
Mendoi pak. Pastaj vazhdoi përsëri:
– Kush jeni ju? Çfarë doni nga ky shtet?
– Ne nuk duam gjë nga shteti. Një njeri që njeh Allahun dhe zbaton obligimet fetare, çfarë mund të dojë nga shteti? Çdo musliman e ka për detyrë ta mbrojë shtetin e tij dhe t’i dalë zot atij.
– Mirë atëherë, po juve pse ju kanë burgosur?
– Disa njerëz të pafe duan të prishin harmoninë dhe qetësinë që ekziston.
– Cili është qëllimi juaj? Pse e lexoni komentin e Kur’anit? Pse jeni burgosur pikërisht ju?
Duke qeshur futa dorën në xhep dhe nxora librin “Frutat. Argumentet e besimit”.
– Shikoni zotëri, - i thashë. -Në qoftë se do të kuptosh se kush jemi dhe çfarë bëjmë, të këshilloj ta lexosh këtë libër. Ndoshta është më mirë që të mos flas më.
Menjëherë u ngrit në këmbë.
– Ma jep këtë libër, – tha.
– Ti dukesh njeri i ditur. Le ta shohim se çfarë lexon. Merri letrat që deshe. Librin do ta sjell kur ta lexoj.
Mbasi e lashë librin, mora letrat dhe u ktheva në dhomë. Shokët e dhomës u mahnitën nga ajo që u tregova. Në mëngjes u takuam me “përbindëshin” Byniamin. Në mbrëmje erdhi tek dhoma jonë. Të gjithë u ngritën në këmbë kur ai hyri në dhomë.
– Ku është i zoti i librit? - tha.
– Këtu jam, - i thashë.
– Merre librin dhe a ke të tjerë si këto?
– Kam, - i thashë.
– M’i jep atëherë.
I dhashë “Udhëzuesin e të rinjve”. Pa folur asgjë ma mori librin nga duart dhe u kthye.
– Të pinim të paktën nga një çaj, - i thashë.
– Ndonjë herë tjetër, - u përgjigj. Të gjithë morën frymë lirisht. Miqësia jonë me të, dita ditës sa vinte e shtohej. Çdo ditë takoheshim dhe rrinim disa orë bashkë. Nganjëherë ai vinte në dhomën tonë për të pyetur, nganjëherë shkoja tek bufeja dhe bisedonim me orë të tëra.

Numrët kliko dhe vazhdo: <<< 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 >>>