Muhammedi vazhdoi:
“Jam gati t’i paguaj të gjitha borxhet e tua. Gjendja ime financiare është e volitshme për këtë.”
E shoqja e Rrahmiut me të dëgjuar këtë propozim për një moment u emocionua dhe u hodh me gëzim:
“Vërtetë thoni?”
Rrahmiu tërhoqi me forcë të shoqen për krahu.
“Ti mos u përziej.”
E ëma i lutej Zotit pa ia ndalur. Nëpunësit e konfiskimit po ndiqnin diskutimin të habitur, duke pritur se si do të përfundonte.
Rrahmiu pa u menduar fare tha:
“Kurrë nuk mund ta pranoj këtë. Në tingullin e zërit kishte një vendosmëri të jashtëzakonshme.”
Muhammedi u habit akoma më tepër nga kjo përgjigje.
“Në fakt ajo që më lidh mua me ju, është pikërisht kjo sjellje e juaj, e cila më ngrohi me islamin dhe muslimanët. E dija që do të më jepnit një përgjigje të tillë dhe për këtë frikësohesha.”
Megjithë insistimin e Muhammedit, Rrahmiu nuk pranoi. Pastaj Muhammedi i tha:
“Meqë nuk e pranon ndihmën time, atëherë më lër të të jap para borxh dhe ti m’i paguan më vonë.”
Të gjithë po ndërhynin që ta pranonte këtë propozim, nëna, gruaja dhe nëpunësit...
Rrahmiu përsëri i vendosur tha:
“As këtë nuk mund ta pranoj. Ju erdhët nga Amerika për të më vizituar pasi më morët si një njeri shembull. Këto ndjenja tuaja të pastra nuk dua t’i përziej me çështje materiale... Nëse do ta bëj këtë do t’i detyrohem shumë Zotit.”
Avokati që shkonte e vinte nëpër shtëpi tha:
“Allah! Allah! D.m.th. ka akoma njerëz të tillë hë?”- filloi të mërmëriste.
Ndërsa njëri nga nëpunësit tha:
“Ja ky është burrë. Ky për shkak të drejtësisë falimentoi.”
Brenda shtëpisë nga të gjithë vinin zëra, të cilët filluan të bëjnë komente të ndryshme. Rrahmiu duke e pranuar këtë propozim, do të mund të shpëtonte nga këto probleme të rënda.
Muhammedi akoma i lutej:
“Në qoftë se kënaqësia dhe qetësia e ndërgjegjes sime ju ndihmon sado pak, nëse dëshironi që të jetoj i qetë, ju lutem pranojeni. Në qoftë se nuk pranoni, ta dini se do të mërzitem dhe do të më lëndoni shumë.”
Rrahmiu duke mos i përballuar dot më këto lutje, e pranoi borxhin.
Atmosfera e zymtë që kishte rënë në shtëpi, për një moment u kthye në një atmosferë miqësore.
Nusja me vjehrrën duke u përqafuar me njëra-tjetrën, derdhnin lot gëzimi. Ndërsa Muhammedi duke u hedhur mbi krahët e Rrahmiut, po përjetonte gëzimin e ndihmës së dikujt, që i ishte në borxh për jetën...
Avokati dhe nëpunësit e konfiskimit po mendonin për këtë mrekulli përballë kësaj “tablloje”.
“Bëj mirë, hidhe në det, nëse s’ta dijnë peshqit, ta di Zoti.”   
Sa e drejtë ishte kjo fjalë. E mira më e vogël nuk mbetej pa kompensim.
Rrahmiu pasi fshiu me dorë lotët që pikonin nga sytë tek faqet, hapi duart dhe me një ton zëri që i vinte nga zemra dhe ia dridhte të gjithë trupin, tha:
“O Zot! Sa i Madhërishëm që je! Ti vonon por kurrë nuk harron. Na mundëso me të mira dhe me ndihmën Tënde.”
Rrahmiu shpëtoi nga falimentimi financiar dhe nga ai shpirtëror nga një i huaj...
Ç’gjë e mrekulleshme!

Unë do të vdes nesër baba!
Ne mbaruam studimet bashkë me z. Shefik. Ai në çdo aspekt ishte ndryshe nga ne. Ishte një që lexonte, kërkonte dhe pyeste shumë. Planifikonte çdo gjë dhe i zbatonte planet e bëra. Gjatë ditës nuk ishte e mundur të qëndronte bosh përveç katër orëve të gjumit. Vlerësonte çdo minutë dhe përpiqej që çdo ditë e re të ishte më e dobishme se ditët e kaluara. Ai kishte një interes si për shkencat natyrore, teknologjinë ashtu dhe për Kur’anin. Nga njëra anë mësonte anglisht nga ana tjetër arabisht. Duke e mbushur mendjen me lëndët shkollore e me kërkimet shkencore, nga ana tjetër ai ushqente zemrën dhe shpirtin me besim dhe shpresë. Me një fjalë z. Shefik ishte një njeri i veçantë. Veçanëria e Shefikut u shpalos brenda një kohe të shkurtër. Ai tashmë ishte bërë dr. Shefiku. Arriti të studionte në shkencat natyrore dhe ato shpirtërore, ishte bërë një njeri i ditur dhe i kulturuar. Ai ishte bërë si një engjëll mbrojtës për njerëzit përreth, një doktor që nuk merrte para nga njerëzit e varfër. Ai ishte dhënë tej mase pas ndihmesës së njerëzve, kishte marrë në plan të parë shëndetin e tyre dhe nuk bënte pazarllëk me to nga ana e pagesës. Përkundrazi ai kishte vizituar pa pagesë shumë të varfër dhe në shumë raste kishte paguar vetë. Njerëzit i thonin:
“E gjithë kjo është e tepërt z. Doktor. Mos u kujdes kaq shumë për to, nuk ia vlen.”
Por ai i përgjigjej:
“Zoti më dha mendjen dhe bëri të mundur që të bëhesha doktor. Përballë këtyre mirësive duhet një falenderim. Falenderimi i një doktori nuk bëhet vetëm për t’u pasuruar. Ne si doktor falenderimin tonë duhet ta shprehim duke ndihmuar të pashpresët që rënkojnë, të varfërit që kanë humbur shëndetin dhe njerëzit që kanë mbetur pa dikënd. Duke vepruar në këtë mënyrë, mund të dalin njerëz që kundërshtojnë veprimin tuaj. Kjo nuk ka rëndësi. Ne ndihmojmë për hir të Zotit. Unë nuk mendoj anën tjetër. Ata të cilët mendojnë dhe veprojnë ndryshe, herët a vonë do të turpërohen.”
Politikanët që e dinin popullaritetin e Shefikut, i propozuan atij kanditurë për kryetar bashkie. Por përgjigjja e Shefikut ishte shumë interesante:
– Popullariteti im qëndron në zemrat e njerëzve. Mua më mjaftojnë duatë dhe urimet e tyre. Ju po më ofroni mua një post kalimtar dhe po më privoni nga posti i mëshirës dhe i humanizmit.
Dr. Shefiku nuk ndihmon vetëm të sëmurët, ai përpiqet të ndihmojë edhe nxënësit që nuk kanë mundësi ekonomike për të studiuar. Ai i siguron atyre shtëpi, ushqime, veshje dhe i shpjegon të fshehtat e suksesit. Përveç kësaj ai nuk i shpjegon vetëm suksesin që arrihet në fushën materiale, por suksesin që ekziston në vlerat morale, në kuptimin se përse jetohet dhe vlerat e larta të besimit.
“Lëndët e shkencave natyrore dhe atyre fetare, duhet të jepen bashkë. Në qoftë se jepen vetëm lëndët natyrore do të krijohet mundësia e dyshimit dhe e mohimit, nga ana tjetër, në qoftë se jepen vetëm lëndët fetare, atëherë krijohet mundësia e nënvlerësimit të shkencave të tjera.”
Janë shumë domethënëse fjalitë që dr. Shefiku i shkruan në një letër nxënësit të tij.
“Në mendjen e një nxënësi duhet të zërë vend dija, suksesi dhe adhurimi, në sirtarin e tavolinës duhet të gjendet sexhadeja. Një nxënës që vepron në mënyrë të tillë, do të vrapojë jo vetëm nga suksesi në sukses, por për të fituar kënaqësinë e Allahut do të vrapojë në ndihmesë të njerëzve.
Z. Shefik bënte një jetë shumë të thjeshtë. Jetonte në një shtëpi joluksoze, vishej me rroba të thjeshta dhe përdorte një makinë të vjetër. Disa nga shokët e tij çuditeshin nga kjo gjendje e Shefikut. Ndërsa ai i përgjigjej:
“Unë nuk jam i një mendimit me ju. Ashtu siç jetojnë këto njerëz duhet të jetoj edhe unë. Në qoftë se nuk jetoj si ata, si mund t’i kuptoj hallet dhe shqetësimet e tyre? Dhe në qoftë se unë do të bëja një jetë luksoze, do të largohesha nga njerëzit e varfër dhe në të njëjtën kohë ata nuk do të më afroheshin mua.”

Numrët kliko dhe vazhdo: <<< 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 >>>