Me të vërtetë gjeta vetveten

I nderuar profesor!
Një prej librave tuaj mban titullin e letrës sime: “Gjeta vetveten”. Ai titull është përvetësuar tashmë nga unë. Duke lexuar librin “Gjeta vetveten” me të vërtetë arrita ta gjej atë. Këtë letër e shkruaj brenda qetësisë që fitova kur lexova librin tuaj “Njeriu që kërkon vetveten” dhe “Gjeta vetveten”, të cilët përbëjnë një dyshe të përsosur. Në këto libra sikur zgjidhen të gjitha problemet, pyetjet, dyshimet që mund të ekzistojnë në zemrat dhe mendjet e të rinjve. Në këto libra pa përjashtim çdo i ri gjen diçka. Unë faktikisht në këto libra nuk gjeta diçka, por shumë gjëra. Veçanërisht më ka bërë përshtypje letra e E. Tunxherit, në librin “Gjeta vetveten”. Pasi lexova këtë libër bëra një vlerësim të vetvetes. Paskemi pasur një jetë të gabuar dhe të mangët. Kemi menduar gjithnjë se jemi në rrugë të drejtë.
Unë ndjek studimet në Universitetin e Mersinit. Qëndroj në një shtëpi me tre shokë. Të katërt jetonim larg gjërave serioze, si feja dhe besimi. Jetonim vetëm për të tashmen. Njëri prej shokëve një ditë kishte marrë dy librat tuaj nga një shok i tij i klasës. Në fillim i lexova unë, pastaj me radhë i lexuan edhe shokët e tjerë. Dua t’u them se këto libra na vunë në një gjendje “shoku-akut”. Aq shumë ndikuan tek ne, saqë kur ktheheshim nga shkolla nuk flisnim gjë tjetër veç ngjarjeve dhe historive që shpjegoheshin aty. Kërkuam dhe na bënë kureshtarë librat që përmendeshin shpesh aty me emrin “Risale-i Nur”. Pyetëm profesorin e lëndëve fetare në shkollë. Më në fund arritëm t’i merrnim, por gjuha e tyre ishte pak e vështirë dhe nuk arrinim t’i kuptonim. Ne u takuam edhe me shokë të tjerë që lexonin këto libra. Duke i lexuar këto libra zhvillonim biseda fetare me njëri-tjetrin. Fakti që më gëzon më tepër, është që në vend të një jete të çrregullt dhe pa asnjë qëllim, unë tashmë jetoj me bindjet dhe mendimet e mia të reja.
Në të vërtetë një gjë të tillë e kërkoja edhe më parë. Nuk e pëlqeja fare jetën e çrregullt që bëja, por nuk arrija as të vija një rregull. Me anë të këtyre librave njeriu e mbledh dhe e frenon veten, sepse në to shpjegohet qëllimi i njeriut, i jetës, i botës dhe me anë të argumenteve të vërteta tregohet se njeriu shkon drejt një bote tjetër.
Dobia e dytë që kam pasur prej tyre është kjo: Disa shokë të mi muslimanë kishin mendime radikale ose politike, sidomos kundër sistemit në fuqi. Në të vërtetë unë largohesha nga ky grup. Duke u larguar nga ata m’u krijua një ftohje ndaj islamit. D.m.th. kur njeriu nuk pëlqen sjelljen e një muslimani largohet edhe nga islami. Këto dyshime m’i hoqi Risale-i Nur. Sepse ato ndjekin një metodë më të zhvilluar se politika e sotme dhe theksojnë se rregullimi i shoqërisë ose i shtetit nuk bëhet me dhunë ose me armë, por ai bëhet me bindje në besim. Tregon se një problem shoqëror zgjidhet vetëm në qoftë se njeriu është në rregull. Ky mendim ndikon shumë në ruajtjen e paqes brenda shoqërisë. Kështu që patjetër duhet që shteti këto mendime t’ia transmetojë shkollave dhe të jepet në trajtën e një lënde. Feja vetëm në këtë mënyrë mund të shpëtojë nga sulmi i politikës. Tërhiqen mënjanë edhe ata të cilët dalin me armë kundër shtetit. Në qoftë se bukuritë e fesë nuk shpjegohen me metoda të drejta dhe vëllazërore, atëherë përpara nesh do të dalin grupe të pakontrolluara. Në ditët e sotme librat Risale-i Nur po vlerësohen nga intelektualë të ndryshëm për mesazhin që pasqyrojnë. Po të pyesim se nga lind gjithë kjo kureshtje mund të përgjigjemi:
Unë isha një njeri prej të cilit nuk kishte dobi as familja ime dhe as shoqëria. Duke lexuar librat Risale-i Nur fitova besimin dhe kuptova qëllimin tim dhe përveç kësaj kuptova që ata të cilët shfrytëzojnë islamim për politikë, në të vërtetë janë të dëmshëm për fenë islame. Në qoftë se një libër arrin që një të riu t’ia heqë veset e këqija dhe ta edukojë me bindje ndaj Allahut, atëherë kjo rrugë është shumë e rëndësishme. Shteti duhet ta vlerësojë këtë rrugë.
Profesor ju lutem të më falni që po përsëris gjëra që ju i dini, por jam shumë i emocionuar. Libri “Njeriu që kërkon vetveten” mund të bëhet një film i bukur. Pse nuk e mendoni një gjë të tillë? Çdo i ri duhet t’i lexojë këto libra. Inshallah Zoti më bën të pasur. Puna e parë që do të bëj do jetë shpërndarja falas e tyre. Ju uroj suksese.
Shpresojmë të takohemi.

Me nderime
H. Mehmet Kibar

Shpresa
Shoku im i dashur prof. Hasani kishte disa kujtime të paharruara. Duke marrë lejen e tij vendosëm t’i shkruanim disa prej tyre.
p
Kur babai i tij braktisi të ëmën ai ishte vetëm një vjeç. Në një krahinë të vogël të Anadollit ai kishte mbetur vetëm me nënën e tij 18-vjeçare. Të dy e dinin që babai donte të ndahej me shkakun e punësimit në Ankara. Ai kishte vendosur të mos kthehej nga Ankaraja. Bukuritë e Ankarasë sikur e magjepsën disi atë. Për një njeri i cili preferonte shëtitjen dhe argëtimin, Ankaraja ishte vend ideal. Kur e ëma e mori vesh lajmin se i shoqi nuk do t’i kthehej më, përjetoi një dhimbje të madhe.
Për të tani kishte filluar një jetë e vështirë. Bashkë me nënën e tij shkuan tek kushërinjtë e saj. Ndonjëherë të uritur dhe të etur, nëna bashkë me Hasanin e vogël në krahë, kishte filluar luftën e vërtetë të jetës. Gjëja më e vështirë ishte se një grua e ndershme si nëna e tij, e cila nuk e meritonte braktisjen, tashmë ishte nevojtare e një kafshate buke, e një rrobe, e një palë këpucëve. Të gjithë ditën e kalonte duke u marrë me punët e shtëpisë, ndërsa kur binte nata, me mërzitjen e braktisjes dhe të vetmisë, e kalonte duke qarë deri në të zbardhur. Hasani mundohej të kuptonte shkakun e lotëve të pashterrur të nënës. Nënës së tij i vinin propozime për martesë. Kushërinjtë e nxisnin duke i thënë:
“Mos rri vetëm, prano fatin e parë që të vjen. Kjo do të shpëtonte si ty, ashtu dhe djalin dhe të paktën do të rritej në duar të sigurta.”
Por nëna e tij çdo herë i refuzonte duke i thënë se jeta e saj ishte me Hasanin dhe se porta e martesës ishte e mbyllur për të. Babai i tij ishte martuar përsëri në Ankara dhe kishte filluar punë në një vend të mirë. Me kalimin e kohës Hasani e kuptonte mirë vuajtjen e të qënurit pa baba. Të qënurit pa baba e prekte shumë. Sa herë që në rrugë shihte ndonjë fëmijë me babain e vet, vuante dhe bëhej xheloz dhe përpiqej ta vinte veten e tij në vend të tyre.
“Baba, baba.” Këto fjalë ishin të paarritshme për të, ishin fjalë magjike. Dëshironte t’ia kapte dorën, ta ndjente afër, t’i kërkonte para për të blerë diçka ose edhe t’i bënte naze. Kur filloi shkollën, si uniformën ashtu edhe librat dhe këpucët e para që kishte veshur, ia kishte dhuruar një bamirës. Nga frika se mos i grisen këpucët ose ndoten, atë ditë i kishte marrë në dorë dhe ishte kthyer në shtëpi i zbathur. E ëma kishte filluar të sëmuret shpesh, si nga lodhja e punës ashtu dhe nga shqetësimi për rritjen e Hasanit. Gjatë kësaj kohe ajo po kalonte një periudhë tepër të vështirë. Nuk kishte mundësi të merrte doktor e as të blente ilaçet që i duheshin. Sëmundja e saj ishte e rëndë dhe nuk mund të kurohej lehtë. Ajo ishte braktisur nga i shoqi në një moment të papritur, kur gjithçka shkonte mirë. Duke pritur lajmin që i shoqi t’i tërhiqte në Ankara, ajo mori lajmin e hedhjes në gjyq për ndarje. I dukej sikur i ishte shembur e gjithë bota mbi kokë. Tashmë i kishte humbur shpresat dhe jetonte vetëm për djalin e saj.
Koha kalonte dhe Hasani rritej me shpresën që ta ndihmonte të ëmën, t’i bëhej krah asaj. Nga ana tjetër mendonte me urrejtje edhe babain që e kishte braktisur në një moshë të vogël. Mësuesi i tij e ndihmonte shumë dhe gjithnjë i jepte kurajo duke i thënë: “Ti duhet të vazhdosh shkollën. Përpara vetes ke dy rrugë, të studiosh ose të rrish e të jetosh me nënën në këtë krahinë të braktisur. Duhet të zgjedhësh njërën nga këto”. Pëgjigjja e Hasanit ishte:
“Do të vazhdoj shkollën dhe do të bëhem njeri i rëndësishëm. Do të marr hak ndaj babait dhe do ta ndihmoj nënën.”
Shkollën fillore e mbaroi me rezultate të mira. Të njëjtin vit me ndihmën e mësuesit hyri në provim dhe fitoi shkollën për të dalë mësues. Gjashtë vite më vonë do të bëhej mësues dhe do ta ndihmonte nënën. Nënë e djalë u gëzuan shumë për këtë. Hasani filloi shkollën. Mësonte shumë, dëshironte të ishte më i miri. E vetmja gjë që e mundonte ishte pamundësia financiare. Për të nxjerrë të ardhura mori një arkë të vogël për të lyer këpucë. Gjatë fundjave lyente këpucët e shokëve dhe fitonte diçka. Shokët dhe mësuesit përpiqeshin ta ndihmonin. Një pjesë të parave që fitonte ia dërgonte nënës për doktorin dhe ilaçet. Nëna e tij gëzohej shumë kur merrte paratë që i dërgonte Hasani, por në të njëjtën kohë mërzitej dhe vuante për sakrificën e të birit. Ajo lutej gjithnjë për të. Megjithë çka kishte ndodhur, malli që e brente Hasanin për babain e tij nuk kishte mbaruar. Pavarësisht nga braktisja e të atit, ai ëndërronte gjithmonë ta takonte, ta merrte në telefon, ta përqafonte. Kishte dëshirë të njihej edhe me fëmijët që kishte babai i tij me gruan e dytë. Por nga ana tjetër ai ishte i mbushur plot urrejtje ndaj tij për gjestin e pashembullt që kishte bërë ndaj nënës dhe atij.

Numrët kliko dhe vazhdo: <<< 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 >>>