MOS HARRO SE KE PËR TË DHËNË LLOGARI!

O vëlla! Kujdesu e mos e ço jetën kot,
Se atje gjykimit nuk i shpëton dot,
Ose do të kënaqesh, ose sytë me lot,
Atë ditë kur ringjallesh dhe jep llogari.

Ty mos të të mashtrojë kurrë shëndeti yt,
Se të kushton shtrenjtë në jetën e dytë,
Ku e shpenzove jetën, Ai ka për të pyetur,
Atë ditë kur ringjallesh dhe jep llogari.

Mos harro se ke ardhur për t’u provuar,
Që të mos kalosh moshën duke mohuar,
Se një ditë para Zotit ke për të shkuar,
Kur ringjallesh dhe do të japësh llogari.

Askujt si kalon mosha fare pa dert,
Përpiqu që ta përfundosh jetën me festë,
Mos u bëj mendjemadh, por bëhu modest,
Ke për t’u ringjallur e për të dhënë llogari.

Me veprimtarinë veten e ke sqaruar,
Minutat e sekondat ku i ke mbaruar,
Me fqinjët e dashamirët si ke kaluar,
Ke për t’u ringjallur e për të dhënë llogari.

Duke bërë tregti dhe duke bërë qare,
Duke rivalizuar me shokët, duke bërë garë,
A ke qenë si shembull, apo larë-larë,
Ke për t’u ringjallur e për të dhënë llogari.

Ti nëpër botë për kë e bëre vrapin,
Në çfarë vendesh e ke hedhur hapin,
Për secilën frymë do ta japësh hesapin,
Atë ditë kur ringjallesh dhe jep llogari.

A je përpjekur ta kënaqësh Krijuesin,
A ke qenë i zoti ta mbrosh namusin,
Që të mos qash kur të tjerët bërtasin,
Atë ditë kur ringjallesh dhe jep llogari.
Se je i fortë vëlla mos i bëj kujt keq,
Bëhu si melek e mos u bën si dreq,
Se një ditë nga shokët ke me u tërheq,
Ke për t’u ringjallur e për të dhënë llogari.

Mos harro vëlla se ke me dhënë shpirt,
Doemos një ditë do t’i mbyllësh sytë,
Ose do të ndëshkohesh ose shumë në dritë,
Atë ditë kur ringjallesh me dhënë llogari.

Apo do të mbyllesh në dënim e në terr,
Apo do të digjesh me katran në ferr,
Apo ke merituar të kënaqesh përherë,
Del në shesh kur të ringjallesh dhe jep llogari.