Ata i provuan të gjitha rrugët e hyrjes për në qytet, por kudo vunë re postoblloqe të policisë, një nga të cilët e ndali makinën dhe ia kumtoi urdhërin e qeverisë.

Bediuzzamanii tha: “Unë nuk e njoh qeverinë.”

Polici: “Zotëri ju mund të mos e njihni, por mendoni pozicionin tim dhe kini dhimbshuri për mua.”

Bediuzzamani: “Atëherë për hatrin tënd po kthehem mbrapsht”,-tha dhe u kthyen për në Emirdag.

Një nga nxënësit e tij Bajram Jyksel (i cili vdiq në një aksident në Bullgari, në 1996 duke u kthyer nga Gjermania, ku kishte shkuar për shërbimet në islam. Shën. i editorit) na shpjegon:

“Kishte hyrë muaji i shenjtë i Ramazanit. Ishte data 15 Ramazan. Në farzin e jacisë na printe Mësuesi, kurse në teravih (vëlla) Tahiri. Mësuesi u keqësua gjatë namazit. Pasi u falëm e çuam në shtrat. Në njërën anë isha unë dhe në anën tjetër vëlla Sunguri, me të cilin filluam të lexonim Xhevshen (Dua, lutje). Në këtë moment Ystadi (Mësuesi) na tha:

‘Bijtë e mi, bijtë e mi, në asnjë mënyrë mos u bëni pesimistë. Risale-i Nur ia ka thyer belin të pafeve dhe masonëve. Risale-i Nur është gjithmonë triumfues. Unë do të largohem me shumë gëzim.’

Pas kësaj date nuk e lënim asnjë moment vetëm. Edhe namazet i falnim me radhë. I shtrirë në shtrat, dergjej nga temperatura e lartë. Mësuesi pa drejt meje dhe tha: ‘Do të shkojmë’. ‘Ku do të shkojmë?’,-i thashë. ‘Në Urfa’,-tha. Prapë e përsëriti të njëjtën gjë. ‘Ka temperaturë të lartë, prandaj flet kështu.’,- tha vëlla Zybejri.

(Mësuesi librat më të rëndësishëm të tij dhe xhyben e sjellë nga Mevlana Halidi, i kishte çuar në Urfa që më parë. Ai vizitorëve që vinin nga Urfa i thonte se: - Në fund të jetës time do të shkoj në Urfa. Unë i bëj dua Urfës.)

Ishte ora 2 e gjysëm e natës, kur Mësuesi filloi ti përsëriste duke rreshtuar këto fjalë: ‘Të vijnë mëngjesi, menjëherë do të shkojmë për në Urfa.’

Përgatitëm makinën. Edhe mësuesin e bëmë gati dhe e shtrimë në sediljen e pasme të veturës. Unë me vëlla Zybejri u ulëm përpara. Kur dolëm nga garazhi binte shumë shi. Gjatë rrugës shiu u shtua edhe më tepër. Kur kaluam në postobllok, nga rrebeshi madh policët kishin hyrë brenda dhe nuk na panë. Pastaj rrugës e mbuluam targën me baltë për të mos u njohur. Për një moment mësuesi u përmirësua, rrugës kishte një çezme nga ku morëm abdest dhe falëm drekën. Namazin e ikindisë e fali në makinë sepse përsëri u keqësua. Kur hymë në Konia, morëm pak djathë dhe ullinj, që do t’i përdornim për iftar, për të cilat paratë na i dha mësuesi, i cili na tha: ‘Bijtë e mi. Unë jam shumë i sëmurë. Hani ju edhe në vendin tim.’

Pasi falëm namazin e akshamit mësuesi na tha: ‘A mund të ha pak?’ Menjëherë morëm nga një lokal pak pilaf, por nuk mundi të hante as edhe një kafshatë, nuk i kalonte.

Pasi falëm jacinë vazhduam të udhëtonim gjatë gjithë natës. Në syfyr mbërritëm në Osmanije, nga ku morëm benzinë dhe bëmë edhe syfyr. Mësuesi përsëri s’mundi të hante asgjë. Edhe namazin e sabahut e fali në makinë. Rruga ishte e prishur dhe gjithashtu gjithë borë e baltë. Shumë makina kishin mbetur në rrugë. Kurse e jona vazhdoi rrugën pa asnjë problem, duke ecur si era. Kur hymë në Urfa ora ishte fiks 11.00. Shkuam në xhami për në të cilën vrapoi vëlla Zybejri për të thirrur një nga nxënësit tjerë, Abdullah Yeğin (i cili edhe sot vazhdon shërbimet e islamit në Gjermani. Shën. i editorit). Mësuesi tha: ‘Shpejt se unë nuk kam kohë të pres.’ Vëllezërit Abdullahu me Zybejrin ia mbërritën me vrap. I thamë vëlla Abdullahut që të na çojë në një hotel të pastër. Shkuam pastaj në ‘Ipek Palas’. Duke e zbritur mësuesin nga makina ishte mbledhur një kallaballëk i madh para hotelit. U ngjitëm në katin e tretë, në dhomën me numër 27.

Menjëherë u hap lajmi për ardhjen e Bediuzzamanit në Urfa dhe populli vrapoi drejt hotelit. Njerëzit filluan të ngjiteshin lart për ta vizituar mësuesin. Vëlla Zybejri i priste mysafirët në derë, të cilët i fuste në dhomë me radhë. Ata ia puthnin dorën mësuesit, kurse ai ia puthte kokën. Unë i thoja atyre, ‘tani ti shko, le të vijë tjetri’. Por ata thonin ‘nuk na lëshon Mësuesi’. Edhe ne po habiteshim sepse ishte diçka që se kishim parë më parë. Sepse kur ishte i sëmurë nuk pranonte askënd, qoftë edhe nxënësit e tij, por tani po i pranonte të gjithë me radhë.

Gjatë kësaj kohe ia mbërritën dy policë:

“Kush është shoferi, përgatituni, duhet të ktheheni.”

“Mësuesi ynë është i sëmurë”,-i thamë. Në këtë moment erdhën edhe 10 policë, disa të veshur e disa të tjerë civilë.

“Përgatituni, menjëherë do të shkoni në Isparta.”

Unë: “T’i themi mësuesit”,-i thashë. Shkova pranë mësuesit dhe ia shpjegova gjendjen. Ai kërkoi që t’i takonte policët, të cilët ia kumtuan urdhërin të ardhur direkt nga ministri i Punëve të Brendshme.

Mësuesi i tha: “E çuditshme, unë kam ardhur këtu për të vdekur. Ju po e shihni gjendjen time...”

Policët: “Ne jemi rob të urdhërit. Çfarë të bëjmë?”

Para hotelit ishte turma e madhe e njerëzve të mbledhur. Ne i thamë atyre që, duan të na kthejnë. Populli u irritua dhe njerëzit filluan të thonë: “Si është e mundur që një mysafir tonin të nderuar, ta çojnë me zor nga shtrati i vdekjes.” Punonjësi i hotelit Mahmud Efendiu e shtyu komisarin e policisë duke i thënë: “Si mund ta dërgosh me zor mysafirin tim?”

Tashmë gjendja ishte acaruar dhe policët nuk mundeshin të ngjiteshin lart më. Megjithatë njerëzit rifilluan vizitat në dhomën e Ystadit (mësuesit).

Përsëri erdhi komisari dhe duke na lutur tha:

— Kemi urdhër të prerë që të dilni nga Urfa. Nuk mund të shkoni me makinën tuaj, do t’ju dërgojmë me ambulancë.

— Zotëri, është i sëmurë rëndë. Nuk mund ta përballojë edhe një herë një udhëtim prej 24 orësh.

— Ashtu siç ka ardhur, ashtu do të shkojë. Ka urdhër të prerë nga lart.

Ne i thamë:

— Ne nuk e lëndojmë mësuesin, ejani e thuajani vetë.

Kryetari i Degës së Brendshme u irritua dhe e përsëriti urdhërin.

Në këtë moment vjen edhe kryetari i Partisë Demokratike për Urfën, i cili i mërzitur nga ngjarja i thotë kryetarit të Degës që:

— Ky është mysafiri ynë, asnjë hap nuk mund ta largoni.

Kryetari i Degës:

— Kemi urdhër nga lart zotëri.

— Si mund të kthehet i shkreti, i sëmurë në këtë gjendje. Ai është mysafir i Zotit. Nuk ka nevojë për kaq shtypje.

Populli i informuar për ngjarjen ishte drejtuar drejt hotelit, ku ishin mbledhë rreth 5-6 mijë vetë.

Menjëherë shkuam në spital dhe i thamë doktorit për gjendjen e mësuesit, i cili tha:

— Në këtë gjendje që është, me temperaturë 40 gradë, nuk mund të shkojë askund. Ejani nesër t’ua jap një raportë.

Pas namazit të akshamit ne ishim lodhur aq shumë saqë s’kishim më fuqi për të qëndruar në këmbë.

Pas mesnate isha përsëri pranë mësuesit. Buzët i ishin tharë. Unë ia fshija me një shami të lagur. Kishte shumë temperaturë. Ora ishte 2:30. Që të mos u shqetësonte nga drita, mbi llambë vendosa një shami. Në atë moment mësuesi më përqafoi, kurse unë ia fërkoja krahët. Pastaj Ystadi (mësuesi) i vendosi duart mbi gjoks dhe fjeti. Më pas ndeza sobën dhe u ula te këmbët e tij duke pritur se kur do të zgjohet.

Ah por nuk e dija që Mësuesi ishte larguar për në botën e pasosur. Nuk kisha parë ndonjëherë diçka të tillë që ta kuptoja. Kujtoja se po flinte...

Të katër (nxënësit e tij që ndodheshin aty) po prisnim tek koka. Nga Mësuesi nuk dilte zë hiç, por trupi ishte i nxehtë. Unë fillova te merakosesha së tepërmi. Vëlla Zybejri tha që të thërrasim Vaiz Ymer Efendiun, se ai merr vesh (nga kjo gjendje). Pasi erdhi dhe e pa mësuesin, menjëherë tha:

— Inna lil-lahi ue inna ilejhi raxhiun (Të All-llahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi). Mësuesi ka ndërruar jetë vëllezërit e mi.

Unë në asnjë mënyrë nuk e besoja vdekjen e mësuesit. Vëllezërit tanë Zybejri, Hysniu dhe Abdullahu u larguan dhe shkuan për të dërguar telegraf nëpër qytetet e tjera.

Në mëngjes njerëzit filluan të mblidhen poshtë hotelit për të vizituar Mësuesin. Unë dola në dritare dhe i thashë atyre:

— Mësuesi ka fjetur.

Mësuesin e kishim mbuluar me një mbulesë. Në këtë moment erdhi pronari i hotelit dhe pasi hapi pak derën e kuptoi gjendjen dhe filloi të qante me dënesë. Kur u takua jashtë me kryetarin e Degës, ai i tha se ç’është ky telash? Ai iu përgjigj: ‘Hazreti Bediuzzaman ka ndërruar jetë.’

Kështu kryetari i Degës e dërgoi mbrapsht xhandarmërinë që kishin ardhur për ta dërguar Mësuesin në Isparta.

Por megjithatë ai për ta vërtetuar diçka të tillë thirri një doktor, i cili pasi e vizitoi: ‘Allah, Allah, është shumë i nxehtë. A ka një pasqyrë’,-më tha mua.

Kur ia vuri pasqyrën afër gojës dhe nuk u panë shenjë fryme, tha: ‘Po me të vërtetë ka ndërruar jetë, por nuk i përngjet ndonjë të vdekuri. Unë nuk dua që kjo kufomë të ngrihet menjëherë. Të rrijë pak, unë dyshoj.’

Në drekë e morën kufomën e pastër të mësuesit dhe e çuan në xhami për të përgatitur xhenazen. Populli i Urfës kishte mbyllur dyqanet dhe ishin mbledhur në një kallaballëk të madh. Atë natë xhenazja e Mësuesit ndenjti në xhami. Ne filluam të këndojmë hatme deri në mëngjes.

Kishim vendosur që xhenazja të varrosej të xhumanë (të premten). Kishin filluar të vinin njerëz jo vetëm nga të katër anët e vendit por edhe nga jashta vendit. Kështu kishte filluar të bëhej shumë kallaballëk, prandaj prefekti i Urfës na thirri dhe na u lut që namazi i xhenazes të falet të enjten në ikindi. Atëherë u lajmërua me altoparlantë se kishte ndërruar orari i varrimit.

Kështu me pjesëmarrjen e mijëra vetëve dhe të vetë prefektit dhe kryetarit të Bashkisë, xhenazja u fal pas namazit të ikindisë së të enjtes dhe u varros në xhaminë e Urfas.

Numrët kliko dhe vazhdo: <<< 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36 37 38 39 40 41 42 43 44 45 46 47 48 49 50 51 52 53 54 55 56 57 >>>