Përballë kërkesave që vinin nga të gjitha anët, nxënësit e Risale-i Nurit në krahina e fshatra, mblidheshin nëpër shtëpi që të lexonin këto libra. Mësuesi Bediuzzaman, në zanafillë thelbin e këtij shërbimi, medresenë (ders’hanen) e parë, e hapi në fshatin Barla, ku qëndroi nëntë vjet, duke e bërë shtëpinë e tij vakuf, që të bëhet qendër e përhapjes së Risale-i Nurit nëpër gjashtë vilajete.

Në këtë mënyrë Risale-i Nur filloi të lexohej së pari në Isparta me të gjithë rrethinat e saj, në Dijarbakër dhe në të gjitha krahinat lindore. Kurse sot, me të njëjtin qëllim, nxënësit e Nurit janë përhapur në të gjithë botën, duke dhënë kontributin e tyre në shërbim të besimit.

Pas vdekjes së Bediuzzamanit, nxënësit e tij për të vazhduar idenë e mësuesit, jetën e tyre ia kushtuan shërbimit të besimit, duke u munduar me zell që të përhapin mësimet e Risale-i Nurit. Në dhomën e Bediuzzamanit ishte varur një panoramë, përmbajtja e së cilës e ndalonte marrjen nëpër gojë (gijbetin). Merreshin të gjitha masat që namazi i mëngjesit të mos mbesë pa u falur në kohën e vet. Ushqimin e hanin në kohën e caktuar. Para se të falnin namazin, i kushtonin kujdes veshjes së xhybes dhe vendosjes së çallmës, siç i ka veshur edhe Profeti (a.s.m.), duke zotëruar një devotshmëri të madhe. Ata nuk bënin biseda dhe të qeshura boshe.

Bediuzzamani nuk e mbante veten si kopetent. Ai Risale-i Nurin e paraqiste si një lloj frymëzimi hyjnor nga All-llahu, duke thënë se ato janë pronë e Kur’anit famëlartë....

“Si ka mundësi që të bëhet pronar i atyre të vërtetave të larta dhe veprave brilante një njeri si unë i vobektë, përderisa tek unë nuk mund të ndodhë një nga një mijë prej vlerave të tyre. Kështu po qe se unë i pronësoj këto të vërteta, bëj një padrejtësi të madhe. Cilësitë e vilave të rrushit të shijshëm, nuk kërkohen tek thuprat e tij të thata. Tani edhe unë jam njëlloj si ajo thupra e thatë”.

Këto fjalë autori i ka përsëritur shumë herë. Për librin “Ringjallja” thotë:

“Fjalët e librit “Ringjallja” kanë pikuar nga qindra ajete kur’anore. Meqë jam i përkohshëm dhe do të largohem nga kjo botë, një vepër që do të ishte e përjetshme nuk duhet të lidhet me mua. Armiqtë e islamit kur duan të zhdukin një vepër që atyre nuk i pëlqen, ata e kanë zakon që së pari të zhdukin autorin e veprës. Me siguri Risale-i Nur që është i lidhur me yjet e Kur`anit qiellor, nuk duhet të lidhet me një shtyllë si unë, që kundërshtohem dhe kritikohem nga shumica.”

Bediuzzamani ka konstatuar se vetëm kur ta studiosh Risale-i Nurin me kujdes, kuçedrës së mosbesimit, pra ateizmit, mund t’ia japësh përgjigjen e duhur.

Për të bërë sukses në shërbimin e Risale-i Nurit, është e nevojshme që të mos abuzohet me ndonjë interes material. Pra shërbimin e Kur’anit duhet ta bësh vetëm për hir të All-llahut (xh.sh.), e jo për ndonjë interes tjetër.

Nxënësit e sinqertë të Risale-i Nurit nuk e braktisin këtë shërbim që mban vlerën e diamantit, ndërsa në të vërtetë ata kurrë nuk duhet të turbullojnë mendjet e tyre me ndonjë punë që kundërshtohet me këtë shërbim.

Ne duhet ta falenderojmë shumë All-llahun e Madhëruar sepse neve na ka dhënë këtë dritë dhe këto punë të ndriçuara, e atyre u ka dhënë errësirën dhe punët e errëta. Meqë ata e quajnë veten të ngopur ndaj këtyre dritave dhe nuk vijnë të na ndihmojnë, si është e mundur që ne të shkojmë tek ata e të sodisim lojrat e errëta, që na dëmtojnë detyrat tona të shërbimit?!

3- Po flet e vërteta

a) Si i vlerëson Bediuzzamani ndëshkimet që i janë bërë atij

Në veprat e Risale-i Nurit është konstatuar se nganjëherë tek mizori pasqyrohet drejtësia. D.m.th. njeriu për një shkak përballohet me një padrejtësi apo zullum, e pastaj i vjen një fatkeqësi dhe dënohet. Kjo është një padrejtësi. Por kjo është edhe një arsye që të dalë e drejta në shesh. Caktimi i All-llahut atë e dënon me dorën e zullumqarit apo me fatkeqësi, për arsye se ai në një vend tjetër ka merituar një dënim të cilin nuk e ka marrë. Pra ky caktim është një pasqyrim i Drejtësisë Hyjnore. Unë shumë herë kam menduar se për çfarë arsye që prej njëzetetetë vjetësh po më çojnë nga një prefekturë në tjetrën, nga një qytet në tjetrin, e përse m’i bëjnë këto ndëshkime mizore? A jam duke abuzuar fenë për ndonjë interes politik? Meqë është kështu për çfarë nuk po mundin ta theksojnë? Nuk munden. Sepse në të vërtetë tek unë nuk ka një gjë të tillë. Në një gjyq për të më burgosur më hetojnë me muaj dhe me vite për të më gjetur ndonjë krim. Më në fund edhe ai nuk po mundet të marrë ndonjë rezultat. Në këtë mënyrë po më zvarrisin nga një ndëshkim në tjetrin, nga një fatkeqësi në tjetrën. Kështu më kaloi një kohë e gjatë prej njëzetetetë vitesh. Si përfundim edhe ata vetë e morën vesh se nuk kam lidhje me ndonjë krim që të më akuzojnë. Këtë ata e bëjnë me qëllim, apo me shtytjen e dikujt? Të gjithë e dinë se nuk jam një person që e shpërdoroj fenë për politikë. Këtë e dinë mirë edhe ata që më akuzojnë me krim. Atëherë për çfarë arsye duke mos pasur asnjë lloj krimi, përballohem vazhdimisht me mizoritë e inatçorëve? Përse nuk arrij të shpëtoj nga këto fatkeqësi?

Këto punë a nuk kundërshtojnë drejtësinë hyjnore? Kaloi një çerek shekulli dhe s’arrija të gjeja përgjigjen e këtyre pyetjeve. Tani e kuptova përgjigjen e vërtetë të pyetjeve se për çfarë arsye më ndëshkojnë fatkeqësitë. Qenkan shkaqe që të përparoj shpirtërisht dhe fizikisht në shërbimin e Kur’anit. Tani unë duke falenderuar All-llahun e Madhëruar lajmëroj se ato ndëshkime qenkan shtytje për t’i shërbyer besimit edhe materialisht edhe shpirtërisht dhe të përsosem që të shpëtoj nga tortura e xhehennemit. Zemra dhe shpirti im pengohej nga një forcë shpirtërore, duke mos lejuar që të përpiqem për jetën time individuale. Unë me shtytjen e diturisë time të zakonshme, u shtyva që të mos kem ndonjë pikësynim përveç kënaqësisë së All-llahut (xh.sh.) dhe u drejtova që të përpiqem vetëm në shërbimin e besimit. Sepse në këtë kohë për të bërë një shërbim ndikues duhet që të mos shpërdorosh asnjë gjë, atëherë idea yte rreth shërbimit të besimit mund të arrijë mbi të gjithë idetë dhe në këtë mënyrë duke ndikuar me adhurimet e zakonshme, ua mëson shërbimin atyreve që nuk dinë dhe atyreve që ndjejnë nevojë që ta dinë. Në këtë jetë të ngatërruar, duke përjetuar diçka vetë edhe të tjerëve duhet që t’i japësh mësimin dhe t’i bindësh inatçorët e ashpër. Në këtë mënyrë mund t’ia thyesh inatin të devijuarve dhe ateistëve absolutë. Vetëm kështu mund ta bindësh dikë që nuk mban ndonjë interes tjetër. Kështu nën këto kushte, këtë forcë mund ta garantosh vetëm atëherë kur fenë nuk e abuzon as për një send, as për ndonjë interes personal të kësaj bote, apo edhe të asaj shpirtërore. Përndryshe mbi ateizmin që ka pjellur komunitetin e të devijuarve dhe fraksionet, nuk do të mund të ngadhënjehesh, sikur të jesh edhe në gjendje të lartë shpirtërore, sepse ai mban personalitetin e përmbledhur nga grupe të ndryshme të të devijuarve dhe nuk arrin t’i heshtësh të gjitha dyshimet e tij. Unë e falenderoj shumë All-llahun (xh.sh.) që nuk e abuzova fenë për çështje politike. Jashta vullnetit tim, që njëzetetetë vjet, All-llahu i Madhëruar më tërheq vërejtjen duke më goditur me duart e njerëzve mizorë, që kanë këtë kuptim: “Mos! Të vërtetat e fesë mos i abuzo për interesat e tua personale, derisa nevojtarët e besimit të shpëtojnë nga shtytjet e shejtanit e të veseve dhe ta kuptojnë se vetëm e vërteta po flet.”

Tani vetëm kjo është arsyeja që Risale-i Nur, duke ndikuar mbi zemrat dhe shpirtërat, entuziasmon ndërgjegjet ndaj vetes së tij. Ndërsa qindra mijëra dijetarë, me mijëra libra të tyre dhe me gojtarinë më të madhe, kumtojnë të njëjtat të vërteta. Por megjithatë nuk po mundin t’i dalin përpara ateizmit. Kurse tani fuqia dhe aftësia nuk janë të Saidit. Flet e vërteta, e vërteta e besimit. Meqë të vërtetat e Nurit po ndikojnë në zemrat e nevojtarëve të besimit, për to jo një, por edhe njëqind Saidë i sakrifikoj. Për këtë rezultat i bëj hallall vuajtjet që kam përjetuar që prej njëzetetetë vitesh, ku jam ndëshkuar me shtypje të ndryshme dhe fatkeqësi të lloj-llojshme. Atyreve që më kanë bërë zullum, që më kanë përgatitur vendin në burgje, që më kanë internuar prej njërit qytet në tjetrin, që më kanë fyer, që kanë dashur të më akuzojnë me krime të ndryshme imagjinare, të gjithëve hakun tim ua bëj hallall. Kaderit (caktimit të All-llahut (xh.sh.)) i them se: Unë i kam merituar këto goditje të Tua të mëshirshme. Përndryshe po të kisha pëlqyer si të gjithë një rrugë të zakonshme, po të kisha menduar vetëm për interesin tim të padëmshëm, të mos kisha sakrifikuar shijet materiale dhe ato shpirtërore, do e kisha humbur këtë fuqi të madhe. Unë të gjitha çështjet, qofshin fizike apo shpirtërore, i sakrifikova duke i përballuar të gjitha fatkeqësitë dhe duke i duruar të gjitha ndëshkimet. Kjo është arsyeja që në çdo vend u përhapën shkollat e dijeve të Nurit dhe të vërtetat e besimit. Kjo është arsyeja, që nxënësit e Nurit u bënë me miliona, në shërbim të besimit, e ata do të vazhdojnë duke mos u ndarë nga shërbimi i besimit, duke sakrifikuar çdo gjë, shijet materiale dhe ato shpirtërore, duke punuar vetëm dhe vetëm për hirën e All-llahut (xh.sh.). Jo vetëm unë, por edhe ata bashkë me mua kanë përballuar shumë fatkeqësi dhe kanë kaluar prova e vështirësi të shumëllojshme. Prej tyre kërkoj që, ndaj atyre që na kanë bërë padrejtësi edhe ata t’ua bëjnë hallall hakun e vet. Sepse ata të ngratë nga padija e bënë këtë, duke mos kuptuar sekretet e caktimit të All-llahut (xh.sh.), mendjet e tyre nuk arritën të kuptojnë se Fuqiploti edhe me zullumin e tyre mund t’i lulëzojë të vërtetat e besimit. Ndaj tyre dëshirojmë jo hidhërim apo mallkim, por vetëm se udhëzim nga All-llahu (xh.sh.). Unë nxënësit e mi i këshilloj që në zemrat e tyre të mos ushqejnë fare hakmarrje dhe të mos kërkojnë asnjë lloj haku. Unë për arsye se jam shumë i sëmurë, nuk më ka mbetur fuqi as të flas e as të shkruaj. Ndoshta këto fjalë janë fjalët e mia të fundit. Nxënësit e Risale-i Nurit të medresesë së shndritshme, të mos i harrojnë këto këshilla të fundit.”

b) Bediuzzamani dhe politika

Është e padyshimtë se përpara shërbimit të besimit, pengesa më e ashpër është politika. Ajo mendjet dhe shpirtërat i bën fjalamanë, njerëzit dhe komunitetet i ndan në grupe, duke i përçarë e bërë rivalë e kundërshtarë dhe i ftohë nga të vërtetat e besimit.

Për këtë arsye Bediuzzamani vazhdimisht nxënësve u këshillonte “që të mbështeten tek All-llahu i Madhërishëm, nga shejtani dhe nga politika”. Le të dëgjojmë mësuesin që të na sqarojë më mirë këtë temë:

“Pozita e shërbimit të Kur’anit famëlartë është mbi të gjitha politikat, ai nuk i përulet politikës së kësaj bote, sepse pjesa më e madhe e politikës është gënjeshtër. Jeta e njerëzimit është si një udhëtim. Me dritën e Kur’anit atë e shoh të zhytur në një pellg me baltë. Një pjesë e njerëzve po kalon në rrugë të sigurtë. Një pjesë brenda mundësive kanë gjetur ndonjë mjet dhe mundohen që të shpëtojnë. Shumica e atyreve që ecin në baltën e ndotur, e konsiderojnë atë si parfum dhe i lyejnë sytë dhe fytyrën... 80% udhëtojnë duke e ditur se janë në batakun e ndotur, por s’po mund ta shohin rrugën e sigurtë. Këto kanë dy rrugëdalje:

E para: 20% e të dehurëve t’i zgjosh me topuz.

E dyta: 80% t’ua tregosh një dritë që të mund të shohin se ku kanë rënë dhe të dalin në rrugën e sigurtë. Unë po shoh se përballë 20 vetëve, 80 të tjerë kanë marrë një topuz në dorë dhe ua tregojnë rrugën atyre. Ndërsa përballë atyre 80 që s’kishin rrugëzgjidhje dhe ishin në dyshim, nuk iu tregua drita me të drejtë. Edhe në qoftë se u tregohet, për arsye se në një dorë mbajnë shkopin e në tjetrën dritën, bëhet e pasigurtë. Dyshuesi duke u shqetësuar nuk i zë besë dhe thotë se: “Mos vallë më mashtron me dritë që të afrohem pranë, e pastaj ndoshta më godet me shkop”. Bile nganjëherë duke u përleshur me shkop, drita shuhet ose largohet. Tani kuptimi i kësaj që thamë është kështu:

Pellgu i ndotur është pakujdesia e njerëzve që mundohen të marrim shije nga devijimi. Dyshuesit janë ata që e urrejnë devijimin por nuk mund të dalin nga ajo, duan të shpëtojnë por nuk arrijnë të gjejnë rrugë shpëtimi... Topuzi dhe shkopi janë rrymat politike. Drita, personifikon të vërtetat e Kur’anit. Ndaj dritës nuk bëhet grindje, me të nuk duhet të armiqësohesh. Përveç shejtanit askush nuk bën urrejtje ndaj saj. Për këtë arsye unë për të mbajtur mirë dritat e Kur’anit thashë:

I mbështetem All-llahut nga dëmi i shejtanit dhe i politikës!

Vetëm në këtë mënyrë mund ta hedh politikën dhe t’i kapem dritës më mirë. Unë pashë se në rrymat politike, tek politikanët e një partie dhe tek kundërshtarët e tij mund të gjesh persona që i duan të vërtetat e Kur’anit dhe duan të hyjnë në fe. Mësimet e Kur’anit janë në një pozitë aq të lartë saqë s’mund ta arrijë asnjë rrymë politike dhe këto të vërteta janë shumë larg nga shpifjet dhe urrejtjet e tyre...

Ne e falenderojmë shumë All-llahun (xh.sh.) që për shkak se u larguam nga politika dhe u lidhëm me të vërtetat e Kur’anit me vlerë diamanti, bëmë që vlerat e Kur’anit të mos i zbresim në copa qelqi të pavlera për propagandë politike.”

Pyetje: Për çfarë arsye u tërhoqe nga politika dhe nuk i afrohesh më fare?

Përgjigje: Saidi i vjetër para nëntë apo dhjetë vitesh hyri pak në politikë, duke menduar se ndoshta me politikë do t’i shërbejë fesë dhe dijes, por u lodha kot dhe pashë se ajo rrugë nuk ishte e sigurtë, me shumë telashe dhe fare pa dobi. Madje rruga e politikës i pengon punët e dobishme. Pjesa më e madhe e politikës është gënjeshtër dhe ka mundësi që ti pa vetëdije i ndihmon ndonjë fraksioni të jashtëm. Në qoftë se unë futem në politkë në anën e kundërshtarëve, do të duhet të kontribuoj ose me mendim ose me forcë. Me mendim për mua nuk ka nevojë sepse çështjet janë të hapura e çdokush ka njohuri për to. Të fjalosësh pa vlerë nuk ka kuptim. Kundërshtimi me forcë dhe me provokime për një rezultat që nuk është i sigurtë, atëherë ka mundësi që të hyj edhe në mijëra gjynahe. Për shkak të një personi shumë të tjerë hyjnë në bela. Mua nuk ma lejon ndërgjegjja që të bëhem shkak e t’i fus në gjynahe njerëzit e pamëkatshëm. Në këtë rast Saidi i vjetër i braktisi gazetat, bisedat e përditshme dhe politikën. Kështu që, prej tetë vitesh nuk kam lexuar asnjë gazetë. Kurse para tetë vjetëve Saidi i vjetër ndoshta ka lexuar 8 gazeta në ditë. Dhe që prej pesë vitesh po më ndjekin me një kujdes të madh. Po qe se dikush tek unë ka parë një pikë politikë, le ta thotë.

Numrët kliko dhe vazhdo: <<< 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36 37 38 39 40 41 42 43 44 45 46 47 48 49 50 51 52 53 54 55 56 57 >>>