Pra njeriu duhet ta pranojë dobësinë dhe varfërinë e tij, si dhe të shfaqë adhurimet ndaj Zotit xh. sh.. Me horizontin e gjerë të dijeve të tij, njeriu duhet të bëhet dëshmitar i krijesave të tjera, të shikojë “tespihët” e tyre dhe të falenderojë Zotin xh. sh. për këto mirësi. Ai duhet ta vlerësojë mirë ndihmën e madhe të Krijuesit të Gjithmëshirshëm në Artet e Gjithësisë së sotme, Mrekullinë e Fuqisë së Zotit xh. sh. dhe të kujtohet për dobitë e Tij.

O njeri i pakujdesshëm që adhuron botën dhe e dashuron atë. Saidi i moçëm të vërtetën siç e ka parë me një ndodhi të hershme dhe të imagjinuar ta ka treguar. Ajo që të tregova e shndërroi Saidin e vjetër në të ri, por vështromë dhe dëgjomë mirë! M’u bë sikur më dërguan në një udhëtim të gjatë dhe të vështirë. Padroni im nga gjashtëdhjetë napolona flori që kishte caktuar më parë, kishte vendosur të m’i jepte nga pak. Rrugës për në udhëtim, rashë në një bujtinë qejfesh dhe dëfrimesh, ku për një natë shpenzova dhjetë napolona flori duke u dhënë pas kumarit dhe dëfrimeve, që të fitoja lavdi dhe famë. Mëngjezi më zuri me xhepat bosh dhe duar thatë. Për tregti as që bëhej fjalë, në qytetin për ku isha nisur as që shkova dhe as që bleva gjësendi. Paratë që humba më hidhëruan shumë dhe s’fitova gjë, veçse mëkate dhe shqetësime. Në gjendjen që isha, m’u shfaq një njeri që më tha:

“Mallin e humbe të gjithë dhe meriton një dënim të rreptë. Në vendin e caktuar do të shkosh duarthatë. Po qe se s’e ke humbur mendjen, dera e pendimit është e hapur. Tani që shpenzove dyzetepesë napolona flori, kryesorja është të mbledhësh mendjen. Për çdo rast që të jepet nga pesëmbëdhjetë florinj, mbasi të kesh harxhuar gjysmën, ruaje mbetjen si depozitë. Pra duhet të blesh diçka për atje ku do të vesh.” E vështrova. Nefsi im nuk po pajtohej me këto fjalë.

Ai njeri po më thoshte që një të tretën ta veçoja, por prapë se prapë nefsi im nuk po e pranonte dhe nuk po nënshtrohej. Edhe kur tha për një të katërtën, ai prapë ngulte këmbë në të tijën. Njeriu i mirë u hidhërua, më ktheu shpinën dhe u largua. Papritur gjendja në të cilën ndodhesha m’u tjetërsua. M’u duk sikur po ecja në një tren me një shpejtësi të madhe, nepër një tunel të gjatë. Asgjëkundi nuk po shihja një shteg shpëtimi.

Për çudinë time, ndërsa treni çante rrugën me shpejtësi, në të djathtën dhe në të majtën time vështroja sheshe me lule dhe kopshte me pemë frutore shumë të shijshme. I ngjaja një të çmenduri dhe zgjasja dorën për të rrëmbyer ndonjë frut të pjekur. Mjerisht, ato ishin të rrethuara me çerdhe ferrash dhe sa herë që zgjasja dorën të rrëmbeja diçka në rrugë e sipër, më përgjakeshin duart. Kjo përpjekje po më kushtonte shumë shtrenjtë. Papritur erdhi faturina i trenit dhe më tha:

“Më jep pesë groshë dhe do të të jap sa të duash lule dhe fruta! Kështu po të kushton më shumë. Shiko si i ke çarë duart! Po të më japësh pesë grosh, edhe nga dëmtimi do të shpëtosh edhe nuk do t’i marrësh pa leje, që të biesh në mëkat”. U pezmatova shumë prej marrëzisë time dhe me vete po thoja se kur do të mbaronte ky tunel i pasosur.

Duke parë me vëmendje, vura re se tuneli kishte disa gryka, ku njerëzit orvateshin të kërcenin brenda tyre. Përballë meje ndodhej një grykë e tillë. Në të dy anët ishin ngulur dy gurë varri të mëdhenj. U bëra kureshtar dhe i pashë me vëmendje. Mbi ta me shkronja të mëdha, ishte shkruar emri im “Said”. Nga paniku që më zuri, u shqetësova dhe thashë me vete: “I mjeri unë!“ M’u bë sikur dëgjova zërin e njeriut tek porta e hanit, sikur më jepte këshilla. Ai sikur më thoshte: “A të ka ardhur mendja?” Pëshpërita: “Tani e kam mendjen në vend”-dhe rashë i pafuqishëm pa ndjenja. Ai vazhdonte të më këshillonte: “Pendohu dhe bindju Zotit xh. sh.!”

“U pendova!”-thashë. Menjëherë pas këtyre fjalëve u zgjova. Saidi i Vjetër u largua dhe unë e ndjeva veten si një Said i ri.

Me këto ndodhi të imagjinuara All-llahu e bëftë për hajr! Po sqaroj kuptimin e dy pjesëve, kurse kuptimin e pjesës së tretë ta nxirrni ju vetë.

Udhëtimi fillon nga bota e shpirtërave, barku i nënës, vazhdon me fëmijërinë, rininë, burrërinë, pleqërinë deri tek fundi - varri, jeta e varrit, që nga Tubimi i Madh, duke kaluar nga ura e Siratit dhe vazhdon deri në përjetësi.

Gjashtëdhjetë napolonat flori janë mosha mesatare e njeriut. Kur e imagjinoja këtë ndodhi, më dukej vetja rreth dyzetepesë vjeç.

Një nxënës i zellshëm i Kur’anit ishte ai që më këshilloi. Senet nuk kam, por prej atyre pesëmbëdhjetë vjetëve që më kanë ngelur, gjysmën dua ta shpenzoj për jetën e Mbrapme.

Hani, vendqendrimi, për mua ka qenë Stambolli.

Treni është koha, ku secili vit është një vagon.

Shpella është kjo jetë e përkohshme.

Lulet dhe frutat janë shijet dhe ndjenjat e ndaluara dhe lodrat haram si ato ferrat që kur iu afrohesh të hidhërojnë dhe të plagosin zemrën, duke menduar ndarjen prej tyre dhe s’merr dot diçka që dëshiron. Ato ta japin dënimin menjëherë.

Faturina i trenit më pati thënë: “Më jep pesë groshë, të të jap sa të duash lule dhe fruta”, që duhet kuptuar kështu: Njeriut duhet t’i mjaftojnë ato që fiton me djersë dhe t’i shijojë ato që janë të lejuara për të, nuk ka nevojë të futet në haram.

Të tjerat mund t’i kuptosh vetë.

Pika e katërt: Njeriu në Gjithësi ngjan me një fëmijë nazik dhe të përkëdhelur. Në dobësinë e tij ai gjen një fuqi të madhe, ndërsa në varfërinë e tij fshihet një pasuri e begatë, sepse ky njeri i ka mbledhur rreth vetes, me fuqinë e dobësisë dhe me ndërmjetësimin e paaftësisë, të gjitha qëniet, duke i ka vënë në shërbim të tij.

Po qe se ky njeri e pranon dobësinë e tij me gojë e me vepër dhe lutet për ndihmë tek Krijuesi i Gjithmëshirshëm, kjo do t’i japë atij suksesin. Duke vazhduar falenderimet ndaj Zotit, për të janë të panumërta arritjet për punët e tjera të përditshme (ahiret). Njeriu duhet ta pranojë me ndërgjegje se as 1% të këtyre realizimeve nuk do të kishte përmbushur pa ndihmën dhe dashamirësinë e Zotit xh. sh.. Dobësive të veta njeriu mund t’i kundërpërgjigjet vetëm me anë të lutjeve dhe adhurimit ndaj All-llahut. Kur njeriut i pëlqen vetja dhe e mbivlerëson atë, kujton se është i zoti për të përmbushur dëshirat që ka. Për këtë që thamë, po japim një shembull. Dobësia e tij zogut të pulës i sjell në ndihmë nënën e vet, kur e sulmon dhelpra. Po kështu, këlyshi i luanit për të përmbushur kërkesat e tij për ushqime vë në shërbim nënën e vet, që shqyen kafshët e tjera dhe i siguron ushqimin e nevojshëm. Ajo sakrifikon vetveten për fëmijët e saj, sepse vetë nuk ha, por ia lë atij. Vazhdojmë me një shembull tjetër, për të ilustruar pikëpamjet tona.

Një fëmijë nazeli për të plotësuar kërkesat e tij dhe për të shprehur gjendjen e tij të uritur fillon të qajë e të thërrasë. Pa dashur ai fëmijë më të fortët se vetja i sjell në shërbim të vetvetes. Me aftësitë e veta fëmijërore, ai asnjë prej kërkesave nuk do të kishte plotësuar. Pra dobësia dhe paaftësia e fëmijës është arsyeja për t’iu përgjigjur me mëshirë dhe mbrojtje kërkesave të tij. Vetëm me gishtin e tij të vogël, me një shenjë, ai heronjtë i vë në shërbim të vetes. Pra ky fëmijë, si ka mundësi që më kokëfortësi të mohojë se këtë ndihmë ia ka sjellë tjetërkush dhe të thotë se e ka siguruar me përpjekjet dhe mundin e tij, kur dihet mirë se sa është në gjendje që t’i shërbejë vetvetes? Po qe se do ta bënte këtë marrëzi, ai me të vërtetë do të meritonte shpullën fytyrës. Le të kthehemi tani tek i rrituri. Si mundet që ky njeri i ndërgjegjësuar të mohojë Mëshirën e Krijuesit dhe të dyshojë në diturinë e Mrekullisë të Tij? Me këtë veprim ai bën si ai “Karuni”, më bukëshkali që ka thënë:

"5_24022010152418.jpg"

Me siguri që edhe ky njeri, ashtu si “Karuni”, do ta meritojë dënimin e rreptë. Domethënë kjo mbretëri e dukshme e njerëzimit, ky përparim, kjo përsosmëri nuk është arritur as me përpjekje dhe as me fitore. Patjetër që, të gjitha shërbimet dhe shërbëtorët njeriut i janë vënë në shërbim dhe ndihmë, sepse ai është i dobët, i paaftë dhe i varfër. Njeriu duke qenë injorant, në çdo kohë i vjen frymëzimi i Zotit xh. sh.. Ai e kupton se të gjitha sa i janë dhënë dhe administron në këtë jetë, i janë dërguar nga Bujaria, Mëshira dhe Dituria e Kulluar e Zotit xh. sh..

Njeriu shumë lehtë mund të bjerë pre e një akrepi, e një gjarpëri pa duar dhe dhëmbë, por All-llahu xh. sh. atij i ka vënë në shërbim insektin pa duar për ta veshur me mëndafsh, apo një bletë që mban me vete helm dhe prej saj rrjedh mjalti që na ushqen. E gjithë kjo nuk është gjë tjetër, veçse një fakt që tregon se Ai, Zoti i Madh e ka zgjedhur njeriun si krijesën më të pëlqyer për Vete dhe tërë Gjithësinë e ka vënë në shërbim të tij, vetëm e vetëm se është i dobët dhe i paaftë për vetveten, duke mos mundur të bëjë dot asgjë. Atij i duhet patjetër ndihma e All-llahut xh. sh..

O njeri! Meqenëse të vërtetë tjetër veç kësaj nuk ka, hidhe tej “un”-in dhe kryelartësinë tënde dhe me gjuhën e paaftësisë dhe dobësisë trokit në Portën e Hyjnisë së Tij. Për ty ajo gjithmonë është e hapur!

Duke u lutur me përkushtim tek Ai, shpalle dhe tregoje me bindje se je robi i Tij dhe thuaj:

"5_24022010152422.jpg"

Mos thuaj: “Unë jam një hiç, ç’ka kam rëndësi që All-llahu me Diturinë e Mrekullueshme dhe të Kulluar të Tij, tërë Gjithësinë e ka vënë në shërbimin tim dhe kërkon nga unë një falenderim të përgjithshëm”. Ke shumë të drejtë, duke iu nënshtruar nefsit tënd, bie në gjendjen e një “hiçi”. Por po qe se do ta vlerësosh detyrën tënde, siç duhet dhe të njohësh pozitën tënde ti do të jesh një vrojtues i kujdesshëm dhe një lexues i saktë i librit të madh të Gjithësisë.

Pra o njeri! Ti me trupin tënd të brishtë dhe me nefsin (pangopësinë) tënde shtazore, je më i vogël se të vegjëlit, je një krijesë e varfër dhe e dobët. A nuk e sheh se je duke u zhytur në dallgët e rrëmbyera, midis qënieve të tmerrshme? Me Dritën e Dëshirës Hyjnore që mban në vetvete, si pasqyrë e Dritës së Besimit dhe e edukatës së fesë Islame, si të mbushesh dhe të pasurohesh me cilësitë e racës tënde, me robërinë tënde tek Zoti do të jesh bërë një mbret. Individualiteti yt është kompletuar e nga vogëlsia jote ke dalë dhe në vetvete ke përqëndruar të gjitha botërat. Nga pozita e ulët (poshtërimi) ke fituar një pozitë dhe rrethvështrim më të gjerë. Si të kesh arritur në këtë arsyetim, do të thuash: “Zoti im! Mëshira Jote e Plotë këtë botë ma ka ndërtuar si një shtëpi. Hënën dhe Diellin si një llambë për të ndriçuar shtëpinë time. Pranverën ma ke sajuar si një buqetë me lule, verën si një sofër plot me prodhime (nimete). Kafshët i ke krijuar që të vihen në shërbimin tim, kurse bimët të më hijeshojnë kopshtin”.

Numrët kliko dhe vazhdo: <<< 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36 37 38 39 40 41 42 >>>