Çdo organ shqisor, duke pasur vlerën e një diamanti, rrezaton i përthyer në mijëra thërmija, duke i dhënë vlera materiale dhe jo shpirtërore këtij fenomeni. Siç kemi thënë, qëllimi dhe esenca e filozofisë materialiste është jeta e shkurtër, e cila e ulë njeriun në pozitën e një kafshe, gjithmonë të mbushur me pakënaqësi dhe nevoja të pashterrshme. Me kalimin e kohës materia shndërrohet e shkon drejt asgjësë.

E shikon pra se ku e zbret mosbesimi krijesën më të vyer, njeriun, që shkëlqen si diamant?

Pamja e dytë:

Besimi është si një Nur plot me dritë, e ndriçon njeriun, ndriçon çdo shqisë, çdo molekulë të qënies së tij, ku në secilën mund të lexosh një Mesash Hyjnor. Kur ndriçon kjo krijesë, e gjithë Gjithësia, katërcipërisht ndriçon. Këtë sekret të Madh më mirë e zbulon ky ajet:

"5_24022010151818.jpg"

Po tregojmë një ndodhi të imagjinuar:

Ndër dy male të lartë varej një urë e tmerrshme. Nën të kalonte një lum i thellë dhe i rrëmbyer. Unë rrija mbi urë. Gjithë botën e kishte kllaposur errësira. Me imagjinatën timë çava errësirën dhe pashë në të djathtë një varr të stërmadh, në të majtë përmes errësirës dallova dallgët e fuqishme që krijonte stuhia.

Të paktën mua kështu m’u shfaq. Hodha përsëri sytë nën urë dhe vura re greminën e thellë. Për t’u përballuar me errësirën, në xhep kisha një fener të vogël, të cilin e përdora në këtë çast të vështirë. Nën dritën e tij të vagëlluar pashë gjendjen e mjerë ku ndodhesha. Përreth urës një lukuni ujqërish prisnin me vështrim dhe me gojë të çapëlyer në drejtimin tim. Aty kishte gjithfarë lloj egërsisrash: dragoj, luanë, etj.. Mbase, po të mos kisha këtë fener me dritë të dobët, nuk do të kisha vënë re asgjë. Atë e ktheja në të gjitha drejtimet dhe ngado e njëjta pamje më shfaqej. Me vete thosha: “Ky fener po më bën dëm!” dhe u hidhërova pa masë. Në inat e sipër e përplasa fenerin me sa fuqi që kisha pas gurëve dhe e bëra copë-copë. Kur përplasa fenerin, m’u bë sikur kur klikoj çelësin e një llambe elektrike, që në çast e shpërndau errësirën dhe të gjithë vendin ku ndodhesha, e mbështolli drita në të katër anët. Kur llamburiti drita, pashë anën e vërtetë të secilit vend.

Por çfarë kisha parë në të vërtetë? Ura nuk ishte urë, por një bulevard i gjerë dhe i drejtë në mes të një fushe. Në anën e djathtë nuk kishte varr, por një plantacion të gjelbërt dhe për rreth kopshte të blertë, që i punonin njerëz të mbështjellë nga gëzimi dhe hareja. Ata shprehnin në fytyrat e tyre një ndjenjë të ngrohtë adhurimi. Biseda e tyre ishte e përzemërt dhe gazmore. Ata bënin “dhikër” (përmendnin Zotin) gjatë gjithë bisedës. Ana e majtë, ku më parë kisha greminën dhe ku dëgjoheshin britma të tmerrshme, nuk ishte ashtu. Ajo ishte e hijeshuar dhe e zbukuruar si për festë. Harxhime të mëdha ishin bërë për një gosti, që pritej të shtrohej nga çasti në çast. Kudo shëtisnin njerëzit. Kafshët e egra që m’u shfaqën në errësirë, ishin ca kafshëza të buta dhe të bukura. Aty kishte deve, kuaj, qè, dhi, etj. Kur pashë këtë ndryshim falenderova Zotin, që më dha Dritën e Besimit.

"5_24022010151821.jpg"

Kur këndova ajetin e Zotit xh. sh., përnjëherë u zgjova.

Tani po u sqaroj kuptimin e kësaj ndodhie. Njëri mal është fillimi i jetës, kurse tjetri, fundi i saj, pra dy botërat dhe fundi - jeta e varrit.

Ura është rruga e jetës.

E djathta është e kaluara.

E majta është e ardhmja.

Feneri është koka e njeriut që i pëlqen vetëm mendimi i vet, që nuk i përgjigjet mesazheve të Zotit xh. sh., pra është “uni” i vetvetes.

Ato që i quajtëm egërsira, janë ndodhitë dhe ngjarjet e ndryshme të njerëzve.

Kush i beson “un”-it të vet, bie në errësirën e pakujdesisë. Ai që u ngjitet pas atyre që ndjekin rrugën e prapësive, ngjan me atë gjendjen time të fillimit. Drita e fenerit është njohuria e pamjaftueshme e materialistëve, të cilët të kaluarën e çmojnë si një varr të madh. Sipas tyre, jeta shkon nga hiçi.

E ardhmja për sytë e materialistëve duket si një stuhi e tmerrshme, sepse ata janë të verbuar nga mosbesimi dhe e quajnë çdo gjë të rastësishme. Ky mosbesim ua bën atyre të ardhmen si një egërsirë të tmerrshme, që do t’i përlajë nga çasti në çast. Në realitet secili është një nëpunës i Zotit xh. sh. që lëviznën dritën e Diturës së Tij të Kulluar.

"5_24022010151824.jpg"

Kur në zemrën e njeriut të kenë hyrë udhëzimet e Zotit xh. sh. dhe besimi të jetë rikthyer, duke mos i lënë hapësirë palaçolleqeve dhe djallëzive, atëhere ai do të më ngjajë mua, në gjendjen time të dytë shpirtërore, siç ua tregova më lart nepërmjet imagjinatës. Për të arritur në këtë gjendje shpirtërore, njeriu duhet t’u nënshtrohet urdhërave të Librit të Zotit xh. sh. dhe papritur hapësira do të mbushet me Dritën e Nurit Hyjnor. Në këtë çast Gjithësia duket e qartë. Këtë gjendje e shpjegon ajeti i famshëm:

"5_24022010151827.jpg"

Njeriu i zgjuar, me syrin e zemrës së tij, do ta shohë të ardhmen, e cila nuk do t’i duket si një varr, por si një rrugë plot dritë.

Njerëzit në çdo periudhë i ka drejtuar një Pejgamber i Zotit xh. sh. apo një Evlija i Shenjtë. Ata e kanë udhëzuar popullin me shpirt të pastër dhe me adhurimin ndaj Zotit xh. sh.. Pasi kanë përmbushur detyrën e tyre duke thënë: “All-llahu Ekber”, kanë fluturuar në të ardhmen, me pozita të larta, të cilat i kanë merituar duke bërë të mira në këtë jetë.

Në të majtë, do të vësh re shndërrime të çuditshme, vila luksoze dhe vreshta të begata të xhennetit, të përgatitura për kënaqësinë e njerëzve. Aty do të shtrohen gosti hyjnore për të gjithë besimtarët. Me Dritën e Besimit do të shohësh se si do të shndërrohen të gjitha ato dukuri që ndodhin në jetë si: stuhitë, tërmetet dhe murtaja, në gjëra krejt të vlefshme. Me Dritën e Besimit stuhitë dhe shirat e furishëm në stinën e pranverës janë mjaft dobiprurës dhe një argument i Mëshirës së Kulluar të Zotit xh. sh..

Pra, për besimtarin edhe vdekja quhet si fillimi i kënaqësive të përjetshme, bile varri është si një portë për të kaluar tek kjo shtëpi përrallore.

Pamja e tretë:

Besimi është Dritë (Nur) dhe Fuqi.

Kush e zotëron Besimin e vërtetë, nuk i trembet askujt dhe asgjëje. Për të zotëruar këto cilësi duhet të thotë: “Tevekkeltu Alall-llah”, që domethënë: “Mbështetem tek Zoti, për të gjitha presionet, shantazhet dhe problemet që kam”. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpëtoj pa marrë asnjë goditje në anijen e jetës, që përplaset midis dallgëve e trishtuar. Me një siguri të përsosur, besimtari do t’i soditë ngjarjet dhe fenomenet e botës së bashku me peshën e rëndë të jetës, duke qenë i ndërgjegjshëm se të gjitha këto janë kurdisur nga ana e të Plotfuqishmit të Plotmëshirshëm. Njeriu e di fort mirë se fuqien e Tij nuk mund të mposhtë kurrgjë, prandaj përulet nën pushtetin e Zotit xh. sh., që kështu të largohet nga kjo botë i qetë dhe pa probleme. Ai largohet nga kjo botë për të pushuar përjetësisht në jetën e varrit. Pastaj duke “fluturuar” hyn në parajsë.

Nëse nuk i je bindur Zotit xh. sh., atëhere të gjithë peshën e jetës e ke mbi shpatulla dhe ndoshta kjo të zhyt në thellësinë e xhehennemit.

Domethënë, njeriu duhet të besojë se Zoti xh. sh. është Një dhe i Vetëm. Ai duhet të mbështetet dhe t’u bindet urdhërave të Zotit xh. sh. dhe pikërisht, kjo bindje mundëson kënaqësinë e të dy jetëve.

Sidoqoftë mbështetjen dhe bindjen ndaj Zotit xh. sh. mos e mendo si një sakrificë për të fituar të drejta më shumë, por si një mundësi të analizosh shkaqet dhe arsyet dhe të besosh tek Ai. Mbase të duhet që shkaqet dhe arsyet t’i pranosh, si perde përpara fuqisë së Zotit xh. sh..

Përdorimi i shkaqeve apo arsyeve në vetvete është një farë lutjeje, e cila bëhet përmes punës dhe më vonë pret rezultatin prej Zotit xh. sh.. Mirënjohjen për këtë realizim duhet t’ia shprehësh vetëm Atij dhe askujt tjetër. Këtë të vërtetë e kuptojmë më mirë nga ky shembull:

Në kohëra shumë të lashta jetonin dy njerëz. Një ditë, pasi prenë nga një biletë, hipën në një anije për të bërë një rrugë të gjatë. Njëri nga ata, pasi e lëshon barrën e vet diku në anije, ulet edhe vetë mbi të. I lehtësuar nga pesha ai hedh sytë në të majtë dhe në të djathtë duke soditur pejsazhin e mrekullueshëm.

Tjetri, që ishte pak si fyçkë nga mendja, vazhdon të mbajë peshën e vet mbi shpinë. Shoku i thotë: “Hej bre, pse nuk lehtësoshesh prej barrës që ke mbi shpinë?”

Mëndjelehti ia kthen: “Jo, nuk mund të bëj ndryshe. Unë jam ca i fortë dhe barrën e mbaj mbi shpinë, që mos të më humbasë”. Përsëri shoku i thotë: “Kjo anije e Mbretit, që po na mban është më e fortë se ne. Mbi anije barra do të jetë më e sigurtë dhe më e mbrojtur. Ty, mbase të trulloset koka prej barrës dhe bie mbi valë së bashku me ngarkesën që ke mbi shpinë. Gjatë rrugës forca të humbet dhe me lartësinë e trupit që ke, duke u kolovitur majtas dhe djathtas dhe me mëndjelehtësinë tënde, do të biesh sëbashku me ngarkesën. Ti do të mërzitësh timonierin dhe ai do të dëbojë apo të shajë, duke të quajtur shpirtkeq, sepse po nënvleftëson anijen e tij me kryeneçësinë tënde. Ka mundësi që ai të urdhërojë punëtorët e t’u thotë: “Burgoseni këtë mendjelehtë!” Në këtë rast, ti i shëmbëllen një njeriu maskara, sepse për njerëzit e kulturuar sjellja jote tregon dobësinë e karakterit tënd. Kështu shfaqet pafuqia jote, sedra e sëmurë, hipokrizia dhe poshtërsia e sjelljes tënde artificiale. Nuk e kupton se sa bajat u bëre para njerëzve për rreth!? Ata po qeshin me ty.”

Pas këtyre fjalëve njeriu u pendua, i thirri mendjes dhe hodhi mbi anije barrën e rëndë të plaçkave duke thënë: “Zoti të mëshiroftë! Tani shpëtova nga burgu i mendimeve të këqija dhe nga rruga e pamoralshme”. O njeri, që nuk i bindesh Zotit xh. sh.! Ti i ngjan këtij personi që treguam më lart. Mblidhe mendjen dhe bindju deri sa të shpëtosh nga pozita e një lypësi ku ke rënë dhe të mos lëkundesh nga trishtimi i jetës! Mundohu të shpëtosh nga pesha e kokës, nga mizerja dhe vuajtjet. Mendo për Jetën e Mbrapme si dhe për detyrimet e kësaj jete.

Numrët kliko dhe vazhdo: <<< 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36 37 38 39 40 41 42 >>>