PROFETI MUHAMMED (A.S.M.)

DHE RRUGA E TIJ

Parathënie

Ftesa për të hartuar një parathënie të botimit shqip të veprës “Profeti Muhammed (a.s.m.) dhe vepra e tij”, të autorit të famshëm Bediüzzaman Said Nursi, më erdhi e papritur. Unë mësuesi i vjetër i një vendi të largët, me një jetë plot zigzake e vështirësi, disi i topitur dhe i hutuar, mendova se kërkesa ishte drejtuar gabim. A jam i denjë unë të shkruaj për një vepër të Said Nursiut, fjalët dhe mendimet e të cilit plot urti qiellore, duhet t’i përsërisësh disa herë që t’i kuptosh? A jam i aftë unë të parashtroj mendime për Profetin tonë të dashur, të cilit i kanë thurur vargje poetët më të shquar të shekujve, e kanë vlerësuar filozofët më të mëdhenj të kohërave dhe dijetarët më të nderuar të botës!

Ftesa duhej pranuar qoftë edhe si shenjë nderimi që më bëhej.

I dashur lexues, këto fjalë ndoshta do të duken disi të tharta si ato frutat e papjekura, por dije mirë se janë fjalë zemre që gufojnë nga dashuria për All-llahun xh.sh. dhe të Dërguarin e Tij, Muhammedin (a.s.m.). Unë kam lexuar shumë biografi të Hz. Muhammedit (a.s.m.), kam studiuar me hollësi të gjiha mevludet e shkruara në gjuhën shqipe për Profetin tonë Fisnik. Të gjitha më janë dukur të bukura, secila vepër ka vlerën e vet njohëse dhe edukuese, por tek Said Nursiu, Profeti Muhammed (a.s.m.) paraqitet me një mënyrë krejt tjetër. Këtu nuk kemi një biografi të mirëfilltë, as hymne lavdëruese me fjalë poetike. Jo, tashmë autori me një aftësi të jashtëzakonshme analizuese dhe përgjithësuese, si një filozof i përsosur e paraqet Profetin tonë të nderuar në pamjen e plotë të së vërtetës islame, e vërtetë që buron nga Drita Hyjnore, nga Kur’ani famëlartë, nga fjala, sjellja dhe vepra e ndritur e Profetit (a.s.m.).

O lexues i nderuar, mbrehe veshin tënd e dëgjo mirë, kthjelloje vështrimin tënd e shiko mirë, gjallërohu e vështro në librin e madh të gjithësisë, këtu do të gjesh të vërtetat e larta që t’i mëson Risale-i Nur. Autori me të drejtë thotë: “Fjalët janë shumë të bukura, por ato i kanë zbukuruar edhe më shumë cilësitë e Muhammedit (a.s.m.)”. Ndërsa unë më mirë po hesht. Po ia lë radhën fjalëve të plakut të urtë, Saidit të ditur. Ky si një filozof i lashtë e vështron botën me të gjitha bukuritë dhe hijeshitë, që si në një sipërfaqe uji të kulluar, pasqyrohen Emrat e Bukur të Përsosmërisë së Krijuesit.

Nursiu me fantazinë e tij krijuese, na çon në Gadishullin Arabik. Atje flet ai, Vula e profetëve, imami i të gjithë besimtarëve, me një zë madhështor kumton: “S’ka Zot tjetër përveç All-llahut”. E këtë e dëshmojnë miliona besimtarë të shpërndarë në të gjithë botën që si në një kor madhështor gjëmon në veshin e së ardhmes “La ilahe illall-llah”. Dëshmia shumëfishohet në shifra marramendëse të një miliard e gjysëm besimtarësh islamë të të gjitha racave, kombësive dhe shtresave shoqërore.

Dhe e gjitha kjo lidhet me personalitetin e dëshmuesit të parë, mësuesit dhe edukatorit të parë islam, Muhammedit (a.s.m.). Po cilat janë cilësitë themelore të këtij thirrësi reformator?

Imagjinoni Hz. Muhammedin (a.s.m.) në minber. Ai ka marrë në dorë Kur’anin e madhnueshëm dhe sqaron sekretet e çuditshme: “Çfarë je? Nga vjen? Ku po shkon?” Ai zotëri e sqaron këtë problem që ka turbulluar mendjet e dijetarëve më të shquar të botës, me përsosmëri e përpikmëri. Ai përhap dritën e së vërtetës, shpallë fenë islame, përmend emrin e Krijuesit të të gjitha qenieve, me të gjithë forcën e fesë së tij. Kjo dritë e shenjtë vendosi paqen e harmoninë midis qenieve, shpërndau frymën e miqësisë dhe të vëllazërimit. Ardhja e fesë e lartësoi njeriun në rangun më të lartë ndaj të gjitha krijesave dhe e shndërroi në një “mbret nazik dhe të zgjuar”, siç thotë Nursiu. Këtë të vërtetë ka mundur ta sqarojë vetëm një person i famshëm, dhe ai është Hz. Muhammedi (a.s.m.). Ai është zbuluesi dhe soditësi i thesareve hyjnore, ai është një shembull i përsosur i dashamirësisë dhe i mëshirës, ai shëmbëllen si një ylber që ndriçon punën e Krijuesit të gjithësisë, ai është një argument i drejtësisë dhe si një Dritë e Diellit për udhërrëfyesin. Ai është një mundësi shpëtimi. Jo me tirani, por me bindje ai u pushtoi mendjet, zemrat dhe shpirtrat e njerëzve. Ai u bë i dashuri i zemrave, mësuesi i mendjeve, pastruesi i nefseve dhe analizuesi i shpirtrave.

Lexues i dashur, vështro pak në atë kohë të artë. Profeti ynë shumë tradita të lashta të ngulitura fort në popuj, në një kohë fare të shkurtër, ka mundur t’i shkulë, duke mbjellur në vend të tyre cilësitë më të bukura. Ai mundi që ata njerëz të egër dhe injorantë, t’i kthejë në mësues dhe mjeshtra për të edukuar popujt e tjerë. Duke pohuar këtë vepër madhështore edukative, Said Nursiu gufon: “Le të ngrihen dhe të shkojnë atje me qindra filozofë dhe le të punojnë 100 vjet, përsëri një për qind të veprave të Profetit Fisnik, nuk mund t’i realizojnë (megjithëse ai nuk ka ditur as të shkruajë as të lexojë)”.

A nuk shihni sot se ç’luftë bëhet kundër përdorimit të drogës, alkoolit, duhanit, kumarit, prostitucionit, etj. plagëve të rënda shoqërore! Cili shtet apo superfuqi ka mundur që t’i nënshtrojë? Cili reformator dhe edukator sot mund t’i përballojë? Këto plagë shoqërore po rriten e po rriten e janë bërë një dënim për shoqërinë që i mbars dhe i ushqen. E krahasoje këtë me veprën e pashembullt të Profetit Muhammed (a.s.m.). Profeti është kthyer nga “Arshi i Madh” me duart e ngritura dhe bën dua, lutet me zërin e tij që gjëmon në të gjitha kohërat dhe e dëgjojnë të gjitha qeniet. Gjatë të gjithë jetës së këtij Fisniku të devotshëm me lutjen e vet ai kërkon lumturinë e përjetshme në parajsën e lumtur, në takimin me të Madhin Zot.

Të gjithë poetët për të argumentuar këtë kanë trajtuar tre momente të jetës së Profetit (a.s.m..), lindja, miraxhi dhe ndërrimi jetë. Amineja e sheh të birin e vet të sapolindur në sexhde duke mërmëruar: “Va ymmeti, va ymmeti”. Prandaj poeti këshillon:

“Aj e lyp ymmetin tuj qen’ fëmij,

e ti tuj qen’ plak, e len rrugën e Tij”.

Në miraxh, në audiencën madhështore, para All-llahut, ai Fisnik kërkon vetëm një gjë: mëshirë e shpëtim për ymmetin, kërkon lumturinë e përjetshme, parajsën e amshuar.

Në çastet e ndërrimit jetë, kur engjulli “që merr shpirtrat”, Azraili është tek shtrati, ai Zotni lutet që të ketë kujdes ymmetin. Për këtë poeti shkruan:

“Ja Azrail, un ke ti kam nji rixha:

– Ymmetit’Em, kur t’i vish, fort me kadal,

shpirtin e atyne me t’mir’ me m’iu marr.

Zahmetin e ymmetit t’Em Mu ma jep,

mos me m’i dhanun Ti zor, ban rahmet!

Zorin e tyne Un e hjek, po ndigjo!

Ja Azrail prej Teje s’due tjetër gja”.

A vini re se mëshira dhe dituria e kulluar, Drejtësia Absolute vetëm nga lutja e të Dërguarit, Muhammedit (a.s.m.) do të kishte krijuar lumturinë e përjetshme, parajsën.

Nga sa thamë Said Nursi arrin në dy konkluzione me vlerë:

Së pari Pejgamberia e Muhammedit (a.s.m.) është një arsye, është një shkak për të sqaruar se kjo jetë është një vend prove, ku njeriu me bindjen e tij e me liri të plotë zgjedh rrugë e tij. E Profeti për këtë është dërguar, për t’u treguar njerëzve rrugën e drejtë, është dërguar si mëshirë dhe si edukator i njerëzimit.

Së dyti, lutja e Profetit, ibadeti i tij i ndjekur nga miliona besimtarë, është një arsye e qartë për sqarimin e jetës së lumtur në botën tjetër. Çdo gjë që na rrethon është krijuar me një bukuri të pashoqe. “Kjo gjithësesi nuk kishte mundësi të ishte më e mirë se kaq”. Edukata e Krijuesit nuk pajtohet me të shëmtuarën dhe çrregullimin. Ashtu si krijoi çdo krijesë me përsosmërinë më të madhe, Ai Krijuesi i Plotfuqishëm, do të pranojë lutjen e Ringjalljes dhe të Lumturisë së Përjetshme. E kjo është e lehtë për Krijuesin, i Cili sjell pranverën dhe ripërtërin çdo gjë në cikle të rregullta, pa as më të voglën vështirësi.



Në pjesën e dytë të veprës kumtohet ky mesazh themelor: “O njeri, në se do të ngrihesh në lartësinë e duhur, në se do të fitosh dashurinë e mëshirën e All-llahut të Madhërueshëm, ndjek rrugën e Pejgamberit (a.s.m.). Në se e doni All-llahun, atëhere ejani pas meje, që All-llahu t’ju dojë.”

Sot kemi arritur në kohë të vështira, sidomos në vendin tonë shumë veprojnë në kundërshtim me rrugën e All-llahut, prandaj marrin kuptim të veçantë fjalët e Profetit: “Në kohën kur njerëzit e lënë rrugën time (sunnetin), kush e vazhdon atë ka fituar sevapin e një qind shehidëve”.

Pikërisht për këtë ka rëndësi fjala e Plakut të urtë, Said Nursiut: “Në këtë moment të përjetosh një cilësi sado të vogël të Pejgamberit, është një devotshmëri e madhe, e cila tregon një besim të fortë”. Kjo të kujton All-llahun e të kthen në praninë e tij. Edhe punët më të vogla e të zakonshme, mund të sjellin shpërblime. Kush i mbështetet sunnetit dhe këtë ia bën zakon vetes, atëhere edhe veprimet më të thjeshta të përditshme, i shndërron në adhurim, kështu të gjithë jetën e vet njeriu e mbush me mirësi (sevape). Lidhur me këtë Nursiu nxjerr një mësim nga jeta e vet:

Numrët kliko dhe vazhdo: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 >>>