Për shembull: Një fëmijë i sëmurë bërtet: “O doktor, shikoma pak plagën dhe më jep këtë ilaç!” Dhe mjeku, pasi dëgjon ankesën, i jep ilaçin e duhur duke ia plotësuar kërkesën, por duke iu referuar shkencës së mjekësisë. Mjeku e di fare mirë se fëmijës i nevojitet ilaç tjetër për kurimin e dhimbjeve, një ilaç më i efektshëm, ndërsa ilaçi që kërkon fëmija, nuk bën efekt, ndaj dhe mjeku nuk ia jep, edhe pse i lutet. Pra All-llahu i Madhërishëm, ngaqë është Mbizotërues Absolut dhe Mbikëqyrës, secilin nga robtë e Vet nuk ia lë lutjen pa përgjigje. Në qoftë se ndokush është në gjendje të trishtuar, All-llahu atij i paraqitet shpirtërisht duke i thënë: “Robi im, mos u trishto dhe mos u frikëso! Unë, Krijuesi yt, jam pas teje!” Zoti më mirë se kushdo tjetër e di se cila nevojë duhet përmbushur më parë, sepse kjo lidhet me Diturinë e Tij të Kulluar dhe të Mrekullueshme. Ia plotëson apo jo kërkesën dikujt, kush mund ta dijë më mirë se Ai?

Lutja ndaj Zotit xh.sh. është një adhurim (ibadet) dhe frutet e saj do të vilen në jetën e ardhshme. Me lutjet tona (duatë) ne përcaktojmë edhe qëllimin e tyre të menjëhershëm. All-llahu më mirë e di se çfarë vlere kanë ato për këtë jetë apo për jetën e ardhshme. Çdo lutje ka kohën dhe qëllimin e vet.

Kërkesat nuk janë qëllimi kryesor i lutjes. Për shembull, lutja që bëhet për të rënë shi, më tepër se kërkesë është koha e një adhurimi për All-llahun. Thatësia është koha e saj reale, pra e Adhurimit, dhe lutjet nuk janë për të sjellë shiun. Është e vërtetë se, në qoftë se këto lutjet kanë pasur si qëllim kryesor rënien e shiut, atëhere kuptohet se në to ka munguar sinqeriteti ndaj Zotit xh.sh., e si rrjedhojë nuk miratohet lutja e tyre. Njëlloj të gjithë e dimë se me perëndimin e diellit ka ardhur koha e faljes së namazit të mbrëmjes, ndërrimi i diellit me hënën përcakton ato kohë të veçanta që quhen “Kusuf” dhe “Husuf” dhe që janë dy kohë të ndryshme adhurimi.

Domethënë me argumentet e veçanta të natës dhe të ditës, kur Madhëria e Tij dritën e shndritshme e mbulon me errësirën e zezë, do t’iu kujtojë robëve të Vet se është koha kur duhet të bëjnë adhurimin e tyre. Nuk është e thënë që, pikërisht këto dy lloj adhurimesh bëhen me qëllimin e vetëm që të agojë dita apo të vijë nata. Edhe shkencërisht dihet se errësira është e kufizuar. Ajo do të vazhdojë derisa të agojë dita e re.

Po kështu, thatësira ka kohën e lutjes dhe të adhurimit të vet. Në mënyrë të njëjtë, pllakosja e fatkeqësive, apo sulmi i egërsirave ka kohën e vet të përcaktuar, ku All-llahu xh.sh. e fton njeriun të pranojë dobësinë e tij dhe me anë të lutjeve të adhurimit të mbështetet tek Ai. Megjithëse ne shumë lutemi dhe fatkeqësitë nuk mbarojnë, kjo nuk do të thotë se lutja jonë nuk është pranuar. Mbase është më mirë të themi se nuk ka ardhur koha kur lutja të na pranohet. Në qoftë se Zoti e tërheq fatkeqësinë nga ne, gjatë kohës që ne jemi lutur dhe kemi bërë adhurimin tonë, kjo është akoma më mirë dhe koha e lutjes në këtë çast merr fund, sepse nevoja u zgjidh.

Domethënë, lutja në vetvete përmban një lloj sekreti të adhurimit. Adhurimi duhet të jetë i sinqertë dhe i pastër ndaj Zotit xh.sh. dhe për Hirën e Tij. Pra gjithmonë duhet besuar në Mëshirën e Zotit, në kujdesin e Tij, sepse Ai ka një Dituri të Kulluar dhe universale. Mos të dyshojmë kurrë në këtë të Vërtetë Absolute. Me këto argumente qiellore, tepër reale, vërtetohet se të gjitha krijesat e All-llahut bëjnë nga një “tespih” dhe adhurim të veçantë. Secila nga ato bën një “sexhde”, gjë që do të thotë se çdo qënie, sipas mundësisë dhe gjendjes së vet, lutet dhe bën dua ndaj All-llahut xh.sh..

Si shembull mund të sjellim bimët dhe kafshët, të cilat me një gjuhë dhe aftësi të veçantë, kërkojnë nga Krijuesi një fytyrë të vetën, ku të pasqyrohen të gjithë Emrat e Bukur. Gjithashtu, secila krijesë me gjuhën e nevojës, për të arritur sukses dhe për të vazhduar jetën e mëvonshme, në mënyrë të veçantë shprehin kërkesat e tyre ndaj Fisnikut. Për të përmbushur këto kërkesa të domosdoshme jetësore, ato përpiqen që duke u lutur t’i përmbushin ato, në formën e ushqimit, sipas aftësisë së tyre. Po me gjuhën e paaftësisë, ato bëjnë një lloj duaje për të shpëtuar nga fatkeqësitë. Çdo qënie që është me shpirt kërkon mbështetjen e fortë të All-llahut xh.sh..

Këto tri lloj lutje, në qoftë se diçka nuk i bëhen peng, gjithmonë janë të pranuara.

Lloji i katërt është lutja jonë e cila është edhe më e fuqishme. Ajo ndahet në dy pjesë:

— Njëra lutje është me punë dhe mirëqënie.

— Tjetra, me zemër dhe me gojë.

Po japim një shembull:

Njeriu nga Krijuesi kërkon me gjendjen e tij. Ai duke lëvruar tokën e ka bërë trokitjen e parë në Arkën e Zotit xh.sh.. Këto lloj lutjesh që bëhen me punë dhe janë të mbështetura nga funksionet e Emrave të Bukur të Fisnikut Absolut, shumë rrallë mund të ndodhë që të mos pranohen.

Me gjuhë dhe zemër njeriu duhet t’i lutet Zotit, për ato nevoja apo kërkesa, ku dora dhe mendja e tij nuk arrin. Fruti më i rëndësishëm i kësaj lutjeje është se, ai që lutet e kupton që është “Një”, që dëgjon gjithçka që kalon nëpërmes zemrës së tij, pra Zoti xh.sh., i Cili i vlerëson mendimet e mia. Dora e Tij arrin të plotësojë çdo dëshirë, sado e vogël qoftë, duke mëshiruar dobësinë. Ai i gjen shërimin varfërisë sime.

Shiko pra o njeri i pafuqishëm dhe i varfër! Mos e hiq nga duart këtë mundësi, që është çelësi i Thesareve të Mëshirës dhe një levë e zotërimit të një force të pashterruar. Nëpërmjet kësaj leve ngjitu dhe ngrihu në kulmin e lartësive të njerëzimit. Bëhu si një mbret që i tërheq nga vetja lutjet e Gjithësisë, ku lutja jote të përzihet me mijëra të tjera. Bëhu një rob i përgjithshëm dhe njëkohësisht një përfaqësues i të gjithëve. Atëhere do të bëhesh si një shembull i bukur i Gjithësisë! Kur thua:

"17_12032010030052.jpg"

TEMA E DYTË

Njeriu është krijuar si shembull i bukur. Atij i është dhënë një aftësi e rrallë dhe e gjerë. Hapësirat e dijeve të tij janë universale. Ato radhiten nga e rëndomta, deri tek gjenialja, nga shtresa më e ulët, deri tek ajo më e larta. Tek ai janë gdhendur një mori karakteresh, që nga më i ligu, deri tek më i moralshmi (arshi ala).

Bota e njeriut ndryshon radhë pas radhe, duke filluar nga grimca më e padukshme dhe deri tek dielli gjigand. Njeriu i ka në dorë të gjitha çelësat e shkallëve për të arritur në sferat më të larta apo në të kundërt, për të zbritur në thellësitë me të errëta. Kjo tregon se njeriu nuk është unik dhe i njëtrajtshëm. Kapaciteti dhe mentaliteti i tij ndryshon, ç’ka do të thotë se ai është në evolim dhe ndryshim të vazhdueshëm, drejt përsosmërisë apo rëndomësisë së tij.

Me këto prova të pandërprera njeriu do të jetë në gjendje të përballet çdo çast. Përpara tij shtrihen dy rrugë dhe ai do të jetë i detyruar të zgjedhë atë më të mirën, rrugën drejt lumturisë së përjetshme, apo rrugën e vuajtjeve të pambarim. Ai që është krijuar si një mrekulli e Zotit xh.sh. dhe si një krijesë e çmuar dhe e vetëdijshme, a do të dijë se cilën rrugë të zgjedhë? Apo në këtë zgjedhje të tij do të anojë nga veset, si disa njerëz që humbin në këtë botë? Njeriu duhet të jetë largpamës dhe i zgjuar, sepse është krijuar sipërfaqësues i Gjithësisë.

Tani, brenda pesë pikave do të rendisim arsyet e zhvillimit të njeriut dhe shkaqet e prapambetjes së tij.

Pika e parë. Njeriu është një krijesë e bukur, e pajisur me aftësi të shumanshme. Nevojat e tij janë të shpërndara në të gjitha fushat e jetës, dëshirat e tij shtrihen deri në përjetësi. Ashtu siç e do një lule të vetme, do edhe të gjithë pranverën madhështore. Siç do dhe kënaqet me bukuritë e një kopshti të vogël, po ashtu edhe parajsën madhështore e dëshiron. Siç ka dëshirë dhe mall të takohet me shokun e tij më të dashur, po ashtu ka dëshirë të njihet dhe të shohë me padurim të madh edhe Zotin e Lartmadhërishëm dhe të Bukur.

Siç ka dëshirë të vizitojë shtëpitë e farefisit të tij, ashtu ka dëshirë të takohet me nëntëdhjetë e nëntë përqind të dashamirëve që kanë vdekur prej kohësh dhe tani janë në jetën e përtej varrit. Është në dobinë e njeriut të shpëtojë nga ndarja e përjetshme duke u mbështetur tek Fuqiploti, që mund t’i mbyllë derën e kësaj bote. Fuqia e këtij Zoti arrin deri atje, sa t’i grumbullojë të gjithë këta njerëz në një Mah’sher të Çuditshëm, në jetën e ardhme: njërën botë ta sajojë dhe tjetrën në të përjetshmen ta dërgojë.

Në këtë gjendje që ndodhet njeriu, nuk i mbetet gjë tjetër, veçse ta adhurojë Atë që ka në dorë frenin e secilit send, në duart e të cilit ndodhen arkat e thesarit të pambaruar, Atë që vend nuk ka dhe kudo ndodhet, që është i gatshëm dhe larg pafuqisë dhe dobësisë, të cilit nuk i gjendet asnjë e metë dhe që ndodhet përmbi të gjitha lartësitë. Ai duhet adhuruar dhe lavdëruar në çdo çast.

Për njeriun Zoti është Një dhe i Vetëm, Fuqizor dhe Ngadhënjimtar, Mëshirëplotë, i Bukur dhe Sundimtar i Përsosur, sepse Ai pa asnjë të metë plotëson çdo nevojë të njeriut, ngaqë Fuqia dhe Dituria e Tij është e Pafundme.

Meqenëse e Vërteta është vetëm një, vetëm Atij, All-llahut xh.sh. i falemi (i bëjmë ibadet).

Tani o njeri, a e kupton se je rob vetëm i Atij dhe nga të gjitha qëniet ti ke përfituar një pozitë më të lartë? Në qoftë se nuk e adhuron Atë, atëhere je ende një rob i ulët dhe nën nivelin e krijesave të palogjikshme. Po qe se mbështetesh tek “uni” dhe aftësia jote, duke braktisur mbështetjen tek Zoti i Madhëruar xh.sh.. dhe duke ecur në rrugë të gabuar, një ditë do tëpërfundosh në ferr. Kryelartësia jote duke adhuruar vetveten, duke thënë se çdo gjë “e bëj unë”, do të të lërë në rrugë pa krye. Aftësia jote dhe bëmat e tua s’do të kenë as vlerën e krahut të bletës apo të milingonës. Si rrjedhim, do të të duket vetja i dobët dhe i mjerë, sa një merimangë apo mizë. Barra e ligësive të tua është aq e madhe dhe e rëndë, sa pesha e një mali të lartë, apo sa dëmi i sëmundjes së murtajës.

Pra o njeri, ti ke dy rrugë:

E para, krijim, ekzistencë, dobi, realizim, veprimtari... dhe...

E dyta, rënie, shkatërrim, grindje, mosrealizim, dhe vendqëndrim vagabondash.

Në rrugën e parë, me aftësi je më poshtë se bleta apo zogu i malit, më i pafuqishëm se merimanga. Kur të kalosh në anën tjetër, atëhere fuqia jote i kapërcen edhe malet, edhe qiejt. Barrën më të rëndë, që malet s’kanë mundur ta ngrenë, pra amanetin e Zotit xh.sh., pa frikë e merr mbi shpinë.

Pas kësaj, me fuqitë e tua mundohesh të shfrytëzosh një sipërfaqe të gjerë sa të gjithë qiejt dhe malet. Kur ke si qëllim të bësh mirë, mund të bësh aq sa të arrijë krahu apo forca jote. Në qoftë se ti o njeri, priresh nga e keqja dhe e bën atë, atëhere do të sjellësh vetëm shkatërrim dhe dhunë duke përhapur panik. Mosbesimi është si një konglomerat i paditurisë dhe i pavërtetësisë së fenomeneve. Kjo e keqe e madhe e poshtëron Gjithësinë, Emrat e Bukur mbi të gjitha është një e keqe që tërë qëniet i nenvlerëson, sepse për çdo gjë mohon Mjeshtrin e saj. Mosbesimi njeriun e hedh në nivelin më të ulët dhe e poshtëron.

Të gjitha krijesat që kanë një rang të lartë pranë Zotit xh.sh. dhe janë ngarkuar për përmbushjen e detyrimeve ndaj Tij, janë një Mesazh i Bukur edhe pse janë vendosur në rangun e lartë, me një detyrim të caktuar, si një Mesazh i Bukur dhe si një farë nëpunësash të Tij, mosbesimi i ul ata në nivelet më të rëndomta dhe më të pakuptimta. Në këtë rast atyre u hiqet e drejta e pozitës dhe nuk mund të jenë më pasqyrues të Zotit dhe Përfaqësues të funksioneve të Emrave të Bukur.

Numrët kliko dhe vazhdo: <<< 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 >>>