Jeta shoqërore e cila ka qenë për mua fakultet mjekësie, më ka mësuar mjekimin e këtyre gjashtë sëmundjeve, nga barnatorja e Kur’anit, nga ku si ilaç kam marrë gjashtë fjalë dhe jam i bindur se për mjekimin e sëmundjeve të popujve tanë, ato janë bazë themelore.

Fjala e parë: “El-emel”, do të thotë të mos e shkëpusim shpresën kurrë nga mëshira e Zotit (xh.sh.).

— O bashkësia islame, po jap sihariqin: Në të vërtetë po duken shenjat e agimit të diellit të lumtur, që do t’i gëzojë muslimanët dhe së pari do t’ju gëzojë juve popujt arabë dhe osmanllinjtë, sepse lumturia e të gjithë muslimanëve varet mbi lindjen që është afruar. Përkundrazi atyre që pesimizmin e kanë tek hunda e tyre, me një bindje të padyshimtë unë po bërtas aq sa të më dëgjojë e gjithë bota se:

Ardhmëria do të jetë vetëm e islamit. Dhe në të ardhmen sundimin do ta marrin në dorë të vërtetat e Kur’anit dhe të besimit. Pra duhet të durojmë vështirësitë e tanishme dhe t’i bindemi caktimit të Zotit të madhëruar dhe fatit tonë, që neve na pret një e ardhme e shkëlqyer dhe të huajve një e kaluar e trazuar. Për këtë kam marrë mësim nga shumë argumente. Tani nga ato po ju sqaroj një argument e gjysmë. Le ta fillojmë nga parathënia:

Të vërtetat e Kur’anit, shpirtërisht dhe fizikisht mbajnë vlera të përsosura të përparimit.

Ana e parë e përparimit është e tillë: Të mos harroni kurrë se, historia reale është dëshmitarja më e saktë e së vërtetës. Dhe ja historia po na e tregon. Saqë edhe kryekomandanti i Japonisë që i mundi rusët, ka dëshmuar në mënyrë të tillë në lidhje me fenë islame:

“Jo unë, por historia na dëshmon se muslimanët derisa kanë përjetuar të vërtetat islame, kanë përparuar dhe kanë arritur në qytetërimin e duhur. Muslimanët kur janë larguar nga të vërtetat islame, po aq janë larguar edhe nga qytetërimi dhe kultura e vërtetë. Kështu janë përballur me fatkeqësi dhe kanë rënë të mundur. Në fetë e tjera ndodh e kundërta. Pra, sa më tepër janë liruar nga feja e tyre që kanë qenë të lidhur fanatikisht, aq më tepër janë qytetëruar dhe kanë përparuar. Dhe kur kanë mbajtur lidhje me fanatizëm ndaj fesë së tyre, kanë mbetur mbrapa dhe kanë hasur në probleme të ndryshme. Këtë na e tregon qartë historia.

Gjithashtu që nga shekulli i lumtur i Pejgamberit tonë (a.s.m.) e deri tani, asnjë rast nuk na tregon se një musliman me hulumtimet e mendjes së vet ka kaluar në fenë e krishterë, apo ka preferuar ndonjë fe tjetër jashta islamit. Këtë argument nuk e rrëzon imitimi i disa njerëzve të thjeshtë që pranojnë ndonjë fe tjetër pa fare argument. Ateizmi është një çështje tjetër. Ndërkaq çdo ditë, shumica e fanatikëve më të mëdhenj, që janë anglezët dhe rusët e vjetër, logjikisht me hulumtime, dita ditës po e lënë fenë e tyre, duke pranuar islamin, ku nganjëherë edhe grupe grupe me gjykimin e mendjes, janë bindur dhe kanë pranuar fenë islame. Këto po jua them duke u paraqitur argumente bindëse nga historia.

Po qe se ne me punët tona, sqarojmë përsosmërinë e moralit të fesë islame dhe të vërtetat e besimit islam, atëhere me siguri do ta pranojnë islamin edhe komunitetet e feve të tjera dhe ndoshta edhe ndonjë shtet apo kontinent.

Me anën e shkencave fizike, njerëzit do të vërejnë se me siguri njerëzimi s’mund të jetojë pa fe dhe kokëbosh, bile edhe mosbesimtarët e tmerrshëm do të detyrohen që të hyjnë në fenë e vërtetë islame. Sepse kjo krijesë e dobët, njeriu, pikëmbështetjen e vet do ta gjejë vetëm në fenë islame. Varfëria e tij nevojit gjëra të panumërta dhe dëshirat e tij zgjaten deri në perjetësi. Pikëzgjedhja e këtyre problemeve është tek bindja dhe besimi në mjeshtërinë e gjithësisë. Pra për njerëzit e zgjuar, nuk ka derë tjetër shpëtimi, përveç se të besosh ekzistencën e Tij...!

Në qoftë se zemra e njeriut nuk ka marrë pjesën e duhur të besimit, ajo do të pasohet me shkatërrime materiale dhe shpirtërore, duke rënë në gjendjen e kafshës më të ulët.

Përfundimisht, në këtë shekull njerëzimi është zgjuar me luftëra, ngjarje të tmerrshme dhe zhvillime teknolo-gjike. Kështu që ka ndjerë virtytet dhe aftësitë e tija të përgjithshme, e në këtë rast ka mundur ta kuptojë se të gjitha këto aftësi të tij, nuk i janë dhënë vetëm për një kohë të shkurtër të kësaj bote. Ai është anëtar i jetës së përjetshme, ku në krijimin e tij mban dëshira të pasosura. Për këtë arsye secili ka filluar ta ndiejë se kjo jetë e përkohshme, nuk i mjafton për të plotësuar dëshirat dhe shpresat e pafundme që mban ai.

Madje po qe se njeriu pyet imagjinatën që është forca e tij, se a dëshiron t’i jipet një milion vjet me një jetë luksoze, e pastaj të zhduket për t’u mos u ringjallur kurrë, me të vërtetë në qoftë se është i zgjuar dhe nuk i ka humbur principi “njeri”, imagjinata e tij në vend që të gëzohet, megjithë zemër do të qajë duke thënë: -I mjeri unë, çfarë më duhet kjo, kur në të nuk ka lumturi të përjetshme.

Nga kjo pikëpamje secili anon seriozisht që të kërkojë fenë e vërtetë. Para së gjithash, ai për të shpëtuar nga ekzekutimi i vdekjes së përjetshme, do ta kërkojë vdekjen normale që të shpëtojë vetë. Këtë e dëshmon gjendja e botës së sotme.

Shkurtimisht ne muslimanët që jemi nxënës të Kur`anit, jemi të lidhur me argumentet dhe të vërtetat e besimit, të cilat i pranojmë me logjikë, mendje dhe zemër. Ne nuk imitojmë kënd, ashtu si pasuesit e feve të tjera duke imituar priftërinjtë e tyre e duke lënë argumentet. Për këtë arsye meqë në të ardhmen do të sundojë mendja, dituria dhe shkencat fizike, Kur`ani i famshëm që është argument i pashmangshëm i tyre, në të vërtetë do t’i sundojë mendjet.

Dhe besoni se kanë filluar të tërhiqen dhe të hapen perdet që kanë qenë përpara diellit të fesë islame. Para dyzet e pesë vjeteve filluan të duken shenjat e agimit të mëngjesit së lumtur. Në 1371 (hixhri) filloi dhe do të fillojë agimi i vërtetë. Edhe në qoftë se ky është një agim i rremë, pas tridhjetë-dyzet vjetëve, do të agojë mëngjesi i vërtetë.

Tetë pengesa ndaj të vërtetave të besimit, na penguan që të mos mbulohet tërësisht e kaluara jonë. Pengesa e parë, e dytë dhe e tretë, janë injoranca, egërsia dhe fanatizmi. Këto tre pengesa u thyen me punë e me bukuritë e qytetërimit dhe filluan që të shpërndahen.

Pengesa e katërt dhe e pestë janë sundimi i priftërinjve dhe i murgjëve dhe imitimi i ithtarëve të tyre fanatikisht. Edhe këto dy pengesa me lirinë e mendimit dhe hulumtimet e të vërtetave, kanë filluar të gjejnë fundin.

Si ato të mëparshmet edhe pengesa e gjashtë dhe e shtatë, kanë penguar hapjen e dritës së diellit islam. Kështu që veprat tona negative si dhe tirania dhe imoraliteti, janë kundërshtarë të parimeve të Kur`anit. Tashmë ka përfunduar tirania individuale dhe kjo është shenjë që pas 30-40 vjetësh, do të mbarojë edhe tirania e klaneve dhe duke dalur në shesh humaniteti i fesë islame edhe rezultati i imoralitetit do të duket qartë. Kështu që edhe këto dy pengesa do të zhduken.

Pengesa e tetë: Disa çështje të fesë nga shkencëtarët janë imagjinuar si kundra shkencës dhe kështu është bërë pengesë për përhapjen e fesë. Si shembull, me urdhër të All-llahut (xh.sh.) dy engjëj, Sevr dhe Hut, të cilët janë mbikqyrës të rruzulit tokësor, janë konsideruar si një ka dhe peshk gjigand. Shkencëtarët duke e mosditur të vërtetën e kësaj çështjeje, kanë kundërshtuar fenë.

Ja pra kjo edhe sikur sot të mos realizohet, pas 30-40 vitesh, kur njerëzit të pajisen me tre forca: me bukuritë e të vërtetave shkencore e sociale dhe të qytetërimit, do t’i mundin tetë pengesat. Kështu do të dalë në shesh dëshira për të kërkuar të vërtetën dhe së bashku me edukatën dhe dashurinë njerëzore, do të dërgohen në front kundër atyre tetëve. Tani pak nga pak kanë filluar të ikin. Inshallah pas gjysmë shekulli do të bëhen copë-copë.

Është e famshme fjala: “Virtyti më i saktë është ai që për saktësinë e virtyteve të veta si dëshmi, ka edhe dëshminë e armiqve”.

Tani nga qindra shembuj të saj, do t’u parashtrojmë vetëm dy:

E para: Filozofi i famshëm amerikan i shek. XIX, Carlyle, duke e çuar zërin lart me artikuj në gazeta dhe libra, ka shpallur të vërtetat ndaj filozofëve dhe dijetarëve të fesë së tyre, duke thënë kështu:

“Feja islame lindi si një zjarr i shkëlqyer. Fetë e tjera u përpinë si degët e druve të thatë.

Më parë meriton t’ia vëmë veshin fjalëve të Muham-medit (a.s.m.), sepse janë të vërteta. Po qe se ke ndonjë dyshim në fenë islame, ke bërë një gafë të madhe ndaj të vërtetave dhe nevojave të qarta e të pamohueshme të islamit.”

Ky filozof i famshëm, këtë e ka theksuar në shumë vende të veprave të tij.

Shembulli i dytë: Në shekullin e kaluar, mendimtari më i famshëm evropian, Princ Bismarku thotë:

“Unë, megjithëse i kam hetuar gjerësisht të gjithë librat hyjnorë, për arsye se janë përballuar me falsifikime, tek asnjë nuk kam mundur të gjej përpikmërinë që kam kërkuar. Por Kur`ani i Muhammedit (a.s.m.) ishte larg prej këtyre. Në çdo fjalë u përballa me dobi dhe të vërteta të mëdha. Nuk ka asnjë vepër si Kur’ani që i shërben lumturisë së njerëzimit.

Kjo vepër nuk mund të jetë fjalë e njeriut. Për këtë kush thotë se e ka shkruajtur Muhammedi (a.s.m.), ai ka mohuar domosdoshmërinë e diturisë. Pra është e saktë se Kur`ani është fjala e All-llahut (xh.sh.)”.

A e pe se çfarë thotë Carlyle dhe Bismarku që janë arat e logjikës së Evropës dhe të Amerikës. Përsëri unë duke u mbështetur në Kur`an, i cili ka ndikuar edhe në këto filozofë gjenialë, me tërë fuqinë time them se:

— Evropa dhe Amerika janë shtatëzënë me islamin dhe do të vijë një ditë që do të lindin shtete islame. Në të ardhmen gjykimin do ta ketë në dorë islami. Ana e parë e fesë islame tregon sukseset shpirtërore, kurse ana e dytë tregon me forcë anët e përparimeve materiale dhe ua vërteton se në të ardhmen sundimin në dorë do ta këtë islami. Sepse në zemrat e personalitetit të muslimanëve, shpirtërisht janë vendosur pesë forca të përbashkëta dhe të palëkundura, ku Kur’ani i thotë muslimanëve:

“Puno që të tregosh shembujt e këtyre mrekullive. Udhëtimin në rrugën e dy muajve, bëje për një ditë, ashtu si profeti Sulejman (a.s.). Mjekoji sëmundjet e tmerrshme si Hz. lsa (a.s.). Nga guri i fortë nxirr ujin jetësor si Musai (a.s.) dhe në këtë mënyrë shpëtoje njerëzimin nga etja! Gjeji dhe vishi rrobat që nuk i djeg zjarri! Dëgjo zërat më të largët të lindjes dhe të perëndimit si disa profetë të cilët kanë dëgjuar informatat e tyre, zbute hekurin e fortë ashtu si brumi, si profeti Davud (a.s.), që me to përballonte nevojat e secilit zanat! Ashtu siç po bëni shumë dobi prej orës dhe anijes, që është mrekulli e profetit Jusuf dhe Nuh (a.s.), ashtu bëni dobi edhe nga mrekullitë e tjera të profetëve duke i ndjekur ata.

Tani kur t’i krahasosh këto, do ta kuptosh se në secilin send Kur’ani është gati që t’i japë njerëzimit arsimin e duhur të përparimit, duke e vërtetuar se ai është një arsimtar i përgjithshëm.

Forca e parë e Kur’anit tregon se është mjeshtri i përsosmërisë dhe ka mundur të edukojë shumicën më të madhe të pesëqind e shtatëdhjetë milionë individëve (popullsia muslimane e asaj kohe në botë. Shën. i red.). Feja islame me një qytetërim të vërtetë pozitiv, ka edukuar duke mbajtur me vete shkencat sociale dhe ato fizike.

Forca e dytë: Islami është mësuesi i vërtetë i qytetërimit e i teknikës dhe shkaku i arritjes në përsosmëri. Kjo është një forcë e tillë që nuk mund ta thyejë dhe ta heshtë askush.

Forca e tretë: Janë fenomene të cilat të shtyjnë që të përpiqesh që me ndjeshmëri të vyera t’i coptosh qeverisjet despotike. Kjo forcë është shkak i arritjes tek përparimi i duhur i njerëzimit, që të garanton një dëshirë për t’u lakuar nga përsosmëria e paarritshme.

E katërta: Është besimi që është pajisur me trimëri për të mos u përulur në padrejtësinë e mizorëve dhe për t’i dalë krah të shtypurve. Pra themeli i drejtësisë islame është që, ndaj mizorëve të paraqitesh trim dhe në këtë rast t’i përkrahësh të pafatët dhe t’i dalësh krah shtresës së dobët.

E pesta: Është nderi i lartë i fesë islame, ku secili është i detyruar që të lartësojë fjalën e All-llahut (xh.sh.). Mos të harrojmë se në këtë kohë lartësia e fjalës së All-llahut (xh.sh.) është mbi përparimin material dhe mbi hyrjen tek kultura e vërtetë. Mos dyshoni në besimin islam, sepse ai muslimanët i ka angazhuar me të vërtetat e larta. Këtë urdhër të rëndësishëm do ta sjellë në vend, personaliteti shpirtëror i popullit musliman.

Ashtu si në të kaluarën, shkaku i përparimit të fesë islame ka qenë shkatërrimi i fanatizmit të armikut, thyerja e inatit dhe ndërprerja e dhunës ndaj armiqve, të cilat janë realizuar me forcën e armës. Në të ardhmen në vend të armës dhe shpatës vendin do ta marrë kultura e vërtetë, përparimi fizik e shpirtëror dhe drejtësia e vërtetë. Kështu a e kuptuat se me çfarë virtytesh do t’i luftojmë armiqtë në të ardhmen?

Numrët kliko dhe vazhdo: <<< 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36 37 38 39 40 41 42 43 44 45 46 47 48 49 50 51 52 53 54 55 56 57 >>>