U ngrit djali dhe mori abdes, shtroi saxhaden, vuri fesin dhe u lidh në namaz. Përballë kësaj tablloje, duke u gëzuar dhe u përmalluar së tepërmi, filluam të qanim. Nga njëra anë unë dhe në anën tjetër gruaja, po qanim nga gëzimi. I bëja dua Allahut që të mos ishte kjo një ëndërr.
Allahu na kishte dhuruar për së dyti djalin tonë të cilin e kishim humbur, djalin tonë të vetëm, i cili ishte çdo gjë e jona. Si të mos qajmë nga gëzimi.
Folëm gjatë e gjatë... dhe doli e vërteta në shesh. Shihni se çfarë ka bërë të mundur Allahu dhe ç’ka ndodhur?
Kur djali kishte shkuar në Ankara për t’u regjistruar në universitet, ishte njohur me një që ishte nga qyteti ynë, i cili e kishte ndihmuar shumë. Edhe ai studionte në të njëjtin universitet me djalin tonë, në vitin e fundit. Pastaj ai e ka marrë edhe djalin tonë të jetojë në shtëpinë ku rrinte vetë dhe disa të rinj të tjerë që studionin në të njëjtin universitet.
Kështu pra edhe djali ynë ka ndryshuar krejtësisht në saje të atyre të rinjve që ka ndenjur me to.
Profesor, gjëja më interesante është kjo:
Në kohën që djali ynë ka filluar të banojë me ata të rinj, i kanë dhënë të lexojë edhe librin tuaj “Njeriu që kërkon vetveten”. Pastaj ka filluar të lexojë edhe komentin e Kur’anit, duke filluar kështu edhe namazin dhe adhurimet e tjera.
Kurse unë në mënyrë që të përfitojnë edhe im bir, e kisha vendosur librin “Njeriu që kërkon vetveten” në dhomën e tij. Por në fakt djali ynë e kishte lexuar para nesh këtë libër.
Kur e pa librin në dhomën e tij, tha:
“Baba kush ta dha këtë libër?” Edhe unë që të mos mërzitet, i thashë:
“Ma dha një mik i imi që ta lexoj. Dhe unë e lexova dhe e pëlqeva. Kështu që e vendosa këtu, që edhe djali im të përfitojë.”
Kurse ai tha:
“Baba, jam shumë i lumtur që edhe ju po lexoni komentin e Kur’anit. Gjithashtu u gëzova edhe më tepër kur po marr vesh se shkoni edhe nëpër bashkëbisedime fetare (ders) dhe që po i kryeni me rregull të gjitha adhurimet. Edhe unë mendoja që t’ia jap këto libra nënës dhe babait tim që edhe ata të përfitojnë.”
Shiheni punën e Allahut, që edhe ne të njëjtën gjë kishim menduar.
I Madhi Allah i kishte pranuar përgjërimet tona, duke na e mbushur shtëpinë tonë të zymtë që ishte si në zi, me një qetësi të plotë shpirtërore.
Profesor, Zoti qoftë i kënaqur me ju. Çfarë nuk bëj që të lexohet libri i juaj. Çdo natë mundohem t’ia lexoj dikujt. Juve ju bëj shumë dua.
Allahu që na dha këtë qetësi dhe lumturi shpirtërore, ia dhëntë të gjithëve këto dhe gjithashtu edhe besimin.

08.04.1999
Halil İbrahim Berber
Manisa

O Zot, babai im të mos vdesë pa besuar!

I nderuari zotëri Halit!
Dëshiroj që letrën time ta filloj duke ju uruar suksese në jetën tuaj. Në bisedën tonë telefonike u përpoqa që t’ju shpjegoja ndjenjat e mia, por e shoh se nuk kam arritur krejtësisht t’ju shpjegoj dëshirën time. Për këtë arsye pas dy viteve, duke marrë adresën tuaj, vendosa t’ju shkruaj një letër. Nuk e di se sa mund të shpreh në letër atë që dua, por të paktën shpresoj që t’ju shpjegoj gjendjen time. Mendoj se më njihni. Në bisedën telefonike ju kam folur për veten time. Më vjen keq që jemi njohur në muajt e fundit të vitit të fundit shkollor.
Në fillim më lejoni t’ju shpjegoj se nga kam ardhur ose më mirë origjinën time, më vonë do t’ju flas për stuhinë e fuqishme që shpërtheu brenda vetes. Rreth jetës time universitare keni dijeni edhe ju. Isha një njeri pa synime dhe pa një qëllim të caktuar në jetë. Nga ana e besimit isha shumë i dobët dhe i pamjaftuar. Nuk mund të quhesha as ateist as edhe besimtar. Për këtë arsye nuk më interesonte mesazhi i zbritur nga Allahu (xh.sh.). Nuk isha i mësuar me ndjekjen e obligimeve fetare dhe brenda vetes nuk kisha një dëshirë të tillë. Ndonjëherë më rrethonte dyshimi se “A ka Zot apo jo?”
Përgjegjësja e vetme për gjendjen time ishte familja ime. Jam fëmijë i vetëm. Një motër më ka vdekur kur ishte dy vjeçe. Si rrjedhojë jam rritur duke m’u plotësuar të gjitha dëshirat dhe kapriçot që kisha. Gjyshi i nënës time ka qenë një hoxhë shumë i mirë. Për këtë arsye nëna ime sado pak është besimtare. Por ajo nuk i do disa grupe ose njerëz fetarë. Gjithmonë përpiqet të mbrojë veten duke thënë se “pse ato përzihen në fenë dhe besimin tim?” Jeta, mendimet dhe vlerësimet e saj nuk janë sipas islamit. Babai im ka kryer studimet jashtë shtetit. Një njeri që nuk i beson obligimeve (vlerave) fetare, është materialist. Kur nëna thoshte që kishte frikë Zotin; “Zoti është i madh”, etj., ai gjithnjë tallej me të. Për rritjen time si një njeri modern dhe i civilizuar babai gjithnjë më thonte se për këtë ishte e domosdoshme qëndrimi im larg nga “feja dhe besimtarët”. Çdo herë më paralajmëronte të kisha kujdes fëmijët që kishin ndonjë lidhje me fenë, që ai i quante të prapambetur. Me këtë botëkuptim fillova universitetin. Shokët e mi ishin njerëz të mendimeve të njëjta me të miat. Një nga shokët ishte edhe Mete Sonmez. Ma merr mendja se ju e njihni. Një njeri ateist, ekstremist dhe pabesimtar i çdo lloj vlere fetare. Me atë kisha një shoqëri të mirë. Mete sigurisht që kishte ndikuar tek unë rreth çështjes së mosbesimit. Mendimet e tij ishin shumë ekstremiste. Kur unë ndonjëherë pa e kuptuar thoja që “Zoti e di”, ose “inshallah”, ai menjëherë më kundërshtonte duke më thënë se, “s’ka Zot”. Kur besimi i njeriut dobësohet, brenda tij krijohet një zbrazëti dhe ai njeri kthehet në një qënie të paqetë, të parregullt dhe të pamëshirshme. Kjo gjendje më çoi drejt një shqetësimi psikologjik.
Ku jam? Ku do të shkoj? Përse jetoj dhe cili është qëllimi im? E të tjera pyetje... Nuk kisha themelet që ndërtojnë mënyrën e jetës dhe filozofinë e jetës së njeriut. Edhe Mete nuk ndryshonte nga unë. Para syve të mi dhe të tij çdo gjë na dukej e pakuptimtë dhe kjo na çoi në një gjendje kritike.
Kisha kuptuar mirë se pse njerëzit materialistë dhe ateistë ishin të pamëshirshëm dhe të paqetë. Të njëjtën gjë e jetonte edhe babai im.
Dhe ja erdhëm në vitin e fundit ose më mirë të them në muajt e fundit të shkollës. Ju kishit filluar të hynit në leksionet tona. Të gjithë nxënësit e pëlqenin sjelljen tuaj. Shoku im Mete edhe pse nuk pëlqente asnjë pedagog apo nxënës, dukej se ishte i interesuar pas jush. Ju një herë qenkeni interesuar me të dhe paskeni pirë çaj bashkë. Atë ditë kur erdhi në shtëpi tha që: “Çdo pedagog më sheh nga lart dhe me përbuzje, ndërsa prof. Haliti më ofroi të pi çaj me të”.
Si rezultat i atij dialogu Mete kishte ardhur në bashkëbisedimet tuaja. Unë kam qenë në shtëpi ato ditë. Kur u ktheva vura re një ndryshim tek ai. Fjala e parë që më tha ishte: “Unë zbulova një botë të re”. Kur e pyeta se si ishte ajo botë që kishte zbuluar, m’u përgjigj duke thënë:
“Nuk ta shpjegoj dot, duhet të shkojmë bashkë dhe të dëgjojmë”.
Një ndër ato mbrëmje erdhëm tek ju për të dëgjuar bisedën tuaj. Disa nga ata që ishin aty ishin shokët tanë, ishte krijuar një grup i madh studentësh. U prezantuam një nga një. Tek unë ndikoi shumë afrimiteti, interesimi dhe ngrohtësia e juaj. Njerëzit aty ishin shumë të sinqertë dhe të dashur për njerëz si ne, të mësuar me fytyra të ftohta e hipokrite. Ky vend u bë shumë tërheqës, ose më mirë të them që u magjepsëm. Gjëja e dytë që ndikoi tek unë ishte hyrja e përgjithshme që bënit në bisedën tuaj. Na thatë që çdo njeri, çdo botëkuptim, çdo mendim është i rëndësishëm; që çdo grup ka të vërtetat dhe gabimet e tij. Gjithashtu theksuat që gjëja më e rëndësishme është njohja e vetvetes. Me disa shembuj treguat pavlefshmërinë e jetës kur njeriu nuk njeh veten e tij. Ju nuk nxorët në plan të parë ndonjë ideologji apo mendim politik. Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte qëndrimi juaj tek çështja e njeriut. Çdo njëri prej nesh ishte i interesuar për këtë, por më shumë isha unë. Gjatë bisedës lexuat një pjesë nga libri i titulluar “Ndriçimet”. Pjesa që ju lexuat kishte ndezur tek unë dallgë të mëdha të kureshtjes. Aty jepej një shembull të cilin po jua shkruaj:
“Kur pejgamberin Junus e hodhën në det, atë e gëlltiti një peshk. Ishte natë, koha ishte me shi dhe deti ishte i trazuar. Gjëja e vetme që mund ta shpëtonte pejgamberin Junus nga kjo stuhi, duhej që dikush të thërriste peshkun në breg. Në qoftë se të gjithë njerëzit do të ishin udhëtarë në një natë të errët, në një det me stuhi, asnjëri nuk mund ta ndihmonte Junusin (a.s.). Ai që mund ta shpëtonte ishte vetëm Allahu. Junusi (a.s.) për këtë iu lut Allahut dhe shpëtoi.”

Numrët kliko dhe vazhdo: <<< 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 >>>