Pamja e katërt:

Që njeriu të bëhet me të vërtetë njeri, i duhet Besimi. Ky besim i jep atij shansin të bëhet sulltan, mbret. Për të mos humbur këtë fat, detyra parësore e njeriut është: Të besuarit dhe të luturit ndaj Zotit xh. sh., Krijuesit të tij. Mosbesimi e ul njeriun në rangun e një kafshe të egër dhe të dobët. Ky fakt dhe tregimi i mëparshëm bëhet i besueshëm dhe i argumentuar katërcipërisht. Me ardhjen e njeriut dhe të kafshës në këtë botë, vihen re dallime. Duke krahasuar të veçantat e ardhjes së njeriut dhe të kafshës, do të kuptojmë se njeriu vetëm nëpërmjet Besimit mund të arrijë cilësitë e nevojshme.

Kafsha në këtë botë është e pajisur me të gjitha vetitë dhe cilësitë e një kafshe. Ajo nuk e ka të vështirë që brenda dy orëve apo muajve të njohë dhe reflektojë ndjesitë e realitetit ku jeton. Ndërsa njeriut i duhen njëzet e ca vjet të njohë veçoritë e jetës së vet, kur miza apo një zog mali ato i mëson për njëzet ditë.

Domethënë çdo tipar i secilës kafshë, frymëzohet dhe udhëhiqet nga Zoti xh. sh.. Nga kjo kuptojmë se kafsha si detyrë parësore nuk ka që çdo dhunti ta arrijë nëpërmjet studimit. Ajo nuk përparon duke mësuar dhe pasi të ketë kuptuar dobësinë e vet, të lutet. Sigurisht që, detyra e saj është që simbas aftësive të punojë, veprojë dhe në këtë mënyrë ajo të shprehë adhurimin e vet ndaj Allahut xh. sh., Krijuesit të vet.

Me ardhjen e tij në këtë botë, njeriu e ka të nevojshme të marrë njohuri për çdo send dhe është tepër i paditur ndaj ligjeve të jetës. Mbase edhe për njëzet vjet të jetës së vet ai nuk do të jetë informuar mbi të gjitha ligjësitë dhe të fshehtat e ambientit ku jeton. Proçesi i njohjes do ta shoqërojë atë deri në fund të jetës së tij, sepse nevojat e tij nuk kanë fund. Shpeshherë, ai do të ndihet i pafuqishëm dhe i pazotsi për t’u përballuar me vështirësitë e jetës. Në këtë botë njeriun Zoti xh. sh. e ka dërguar që të mësojë deri në momentet e fundit të jetës. Nga pafuqia dhe dobësia e vet ai brenda një apo dy vjetësh do të ngrihet në këmbë. Pas pesëmbëdhjetë vjetësh mund të jetë në gjendje të dallojë të mirën nga e keqja. Po qe se e ndihmon dikush, ai mund të marrë nga ana e të mirave dhe të braktisë të këqijat.

Detyra parësore e njeriut është të arrijë përsosmërinë duke studiuar dhe mësuar, duke u lutur dhe adhuruar.

Njeriu duhet të kujtohet se me mëshirën e kujt ka ardhur në këtë botë dhe kush ia ka dhënë atij përsosmërinë e pakursyer. Ai duhet t’i drejtohet vetes: “Me Bujarinë e kujt po edukohem si jo më mirë? Nga po më vjen kjo fisnikëri që po më ushqen kaq bollshëm dhe po më kuron nga sëmundjet?”

Prej mijëra krijesave, vetëm njeriu ka shansin që me gjuhën e varfërisë dhe dobësisë së tij, duke u lutur ta kthejë fytyrën nga Ai, që gjithmonë lexon këtë gjuhë dhe ia pranon lutjet sipas nevojave që ka.

Njeriu me krahët e pafuqishëm dhe me varfërinë e tij, nëpërmjet Besimit tek Zoti xh. sh. dhe lutjeve ndaj Tij, mund të fluturojë në majat më të larta të hapësirave.

Njeriu në këtë botë ka ardhur që duke studiuar të mësojë dhe me lutje e besim tek Zoti xh. sh., të përsoset vazhdimisht. Cilësitë dhe aftësitë e çdo gjëje varen nga dituria që njeriu ka ardhë për të, bile miniera, drita dhe shpirti i të gjitha diturive të vërteta, është prania dhe dijenia e ekzistencës së Zotit xh. sh., “Marifetull-llah” (zgjerimi i diturisë në ekzistencën e Tij), thelbi i të cilit është Njësimi i Zotit xh. sh. si Një dhe vetëm Një.

Njeriu është i pajisur me pafuqi dhe varfëri të pafundme. Atij gjithë jeta i duhet për t’u pajisur dhe kompletuar, për t’u përballur me vështirësi të mëdha dhe të pallogaritshme. Ky vlerësim i tij të lë të kuptosh se për të përmbushur detyrat e tij të pashterrshme dhe për të ekuilibruar pafuqinë e tij, njeriu si detyrë parësore ka Besimin e pastër ndaj Krijuesit të tij, Zotit xh. sh.. Atij duhet t’i lutet përjetësisht. Baza e duasë, lutjes, është adhurimi, ashtu si dora e një fëmije, e cila, që në fillim të jetës së vet nuk mund të plotësojë nevojat e veta më elementare. Për të përmbushur kërkesat e tij fëminore ai qan apo grindet, gjersa prindërit t’ia plotësojnë ato. Kjo duhet kuptuar se jo vetëm me veprim, por edhe me gjuhën e paaftësisë ai lutet në një farë mënyre. Kështu fëmija i arrin qëllimet e veta.

Edhe i rrituri në një farë mënyre i ngjan atij shembulli. Ai midis qënieve të gjalla është më naziku dhe më i përkëdheluri. Ngjan shumë me fëmijën e vet. Do apo nuk do, në derën e Mëshirës së të Plotfuqishmit do të trokasë. Me dobësinë apo pafuqinë e tij ai do të shkojë drejt saj për të plotësuar qëllimet dhe dëshirat e veta. Për të arritur këto nevoja njeriu nuk duhet të qajë si fëmijë, por do të lutet tek Krijuesi i tij. Duhet që nëpërmjet lutjes t’i shprehë Atij mirënjohjen dhe falënderimin, për të gjitha ato qëniet, që i ka vënë në shërbim. Të veprosh ndryshe, pra të mos shpallësh këto falenderime ndaj Zotit, nuk është brenda logjikës njerëzore. Nuk duhet të bëhesh si një fëmijë që në njërën anë ulërin prej pickimit të një insekti dhe nga ana tjetër në inat e sipër thotë që: “Unë me fuqinë dhe logjikën time i bëra të më shërbejnë mua këto qënie, edhe pse janë disa herë apo disa mijëra herë më të mëdha dhe më të fuqishme se unë. Me logjikën time këto qënie të pasjellshme i bëra të nënshtrohen dhe binden ndaj meje!”

Të pranosh këtë fakt, ti bën një çmenduri dhe bukëshkalje, duke mohuar cilësitë njerëzore, të cilat nuk pajtohen me vlerësimin tënd dhe nuk meriton veçse një dënim të tmerrshëm.

Pamja e peste:

Besimi, për të plotësuar detyrën e krijimit të njerëzve, e bën të nevojshme lutjen. Këtë e ka saktësuar Kur’ani me ajetin:

5_24022010152127.jpg

Me ajetin tjetër e urdhëron njeriun të lutet:

5_24022010152131.jpg

Por, po qe se njeriu e zë në gojë shpesh këtë fakt, duke thënë se po lutem, por lutja nuk po më pranohet, ky ajet në përgjithësi përgjigjet: “Secila lutje ka një përgjigje”. Atëherë ju replikoni: “Të përgjigjesh është një gjë tjetër dhe të pranosh është gjë shumë tjetër”. Secila lutje ka një përgjigje, por për ta pranuar këtë dhe për të dhënë pikërisht atë që kërkon, kjo nuk përputhet me Diturinë e Tij Absolute”. Për shembull: Një fëmijë i sëmurë bërtet: “O doktor, shikoma pak plagën dhe më jep këtë ilaç!” Dhe mjeku, pasi dëgjon ankesën, i jep ilaçin e duhur duke ia plotësuar kërkesën, por duke iu referuar shkencës së mjekësisë. Mjeku e di më mirë se fëmijës i nevojitet ilaç tjetër për kurimin e dhimbjeve, një ilaç më i efektshëm, ndërsa ilaçi që kërkon fëmija, nuk bën efekt, ndaj dhe mjeku nuk ia jep, edhe pse i lutet. Pra All-llahu i Madhërishëm, ngaqë është Mbizotërues Absolut dhe Mbikëqyrës, secilin nga robtë e vet nuk ia lë lutjen pa përgjigje.

Në qoftë se ndokush është në gjendje të trishtuar, All-llahu atij i paraqitet shpirtërisht duke i thënë: “Robi im, mos u trishto dhe mos u frikëso! Unë, Krijuesi yt, jam pas teje!” Zoti më mirë se kushdo tjetër e di se cila nevojë duhet përmbushur më parë, sepse kjo lidhet me Diturinë e Tij të Kulluar dhe të Mrekullueshme. Ia plotëson apo jo kërkesën dikujt, kush më mirë se Ai mund ta di?

Lutja ndaj Zotit xh. sh. është një adhurim (ibadet) dhe frutet e saj do të vilen në jetën e ardhshme. Me lutjet tona (duatë) ne përcaktojmë edhe qëllimin e tyre të menjëhershëm. All-llahu më mirë e di se çfarë vlere kanë ato për këtë jetë apo për jetën e ardhshme.

Çdo lutje ka kohën dhe qëllimin e vet. Kërkesat nuk janë qëllimi kryesor i lutjes. Për shembull, lutja që bëhet për të rënë shi, më tepër se kërkesë është koha e një adhurimi për All-llahun. Thatësia është koha e saj reale, pra e Adhurimit, dhe lutjet nuk janë për të sjellë shiun. Është e vërtetë se, në qoftë se këto lutjet kanë pasur si qëllim kryesor rënien e shiut, atëhere kuptohet se në to ka munguar sinqeriteti ndaj Zotit xh. sh., e si rrjedhojë nuk miratohet lutja e tyre. Njëlloj të gjithë e dimë se me perëndimin e diellit ka ardhur koha e faljes së namazit të mbrëmjes, ndërrimi i diellit me hënën përcakton ato kohë të veçanta që quhen “Kusuf” dhe “Husuf” dhe që janë dy kohë të ndryshme adhurimi.

Domethënë me argumentet e veçanta të natës dhe të ditës, kur Madhëria e Tij dritën e shndritshme e mbulon me errësirën e zezë, do t’iu kujtojë robëve të Vet se është koha kur duhet të bëjnë adhurimin e tyre. Nuk është e thënë që, pikërisht këto dy lloj adhurimesh bëhen me qëllimin e vetëm që të agojë dita apo të vijë nata. Edhe shkencërisht dihet se errësira është e kufizuar. Ajo do të vazhdojë derisa të agojë dita e re.

Po kështu, thatësira ka kohën e lutjes dhe të adhurimit të vet. Në mënyrë të njëjtë, pllakosja e fatkeqësive, apo sulmi i egërsirave ka kohën e vet të përcaktuar, ku All-llahu xh. sh. e fton njeriun të pranojë dobësinë e tij dhe me anë të lutjeve të adhurimit të mbështetet tek Ai. Megjithëse ne shumë lutemi dhe fatkeqësitë nuk mbarojnë, kjo nuk do të thotë se lutja jonë nuk është pranuar. Mbase është më mirë të themi se nuk ka ardhur koha kur lutja të na pranohet. Në qoftë se Zoti e tërheq fatkeqësinë nga ne, gjatë kohës që ne jemi lutur dhe kemi bërë adhurimin tonë, kjo është akoma më mirë dhe koha e lutjes në këtë çast merr fund, sepse nevoja u zgjidh.

Domethënë, lutja në vetvete përmban një lloj sekreti të adhurimit. Adhurimi duhet të jetë i sinqertë dhe i pastërt ndaj Zotit xh. sh. dhe për Hirën e Tij. Pra gjithmonë duhet besuar në Mëshirën e Zotit, në kujdesin e Tij, sepse Ai ka një Dituri të Kulluar dhe universale. Mos të dyshojmë kurrë në këtë të Vërtetë Absolute. Me këto argumente qiellore, tepër reale, vërtetohet se të gjitha krijesat e All-llahut bëjnë nga një “tespih” dhe adhurim të veçantë. Secila nga ato bën një “sexhde”, gjë që do të thotë se çdo qënie, sipas mundësisë dhe gjendjes së vet, lutet dhe bën dua ndaj All-llahut xh. sh..

Si shembull mund të sjellim bimët dhe kafshët, të cilat me një gjuhë dhe aftësi të veçantë, kërkojnë nga Krijuesi një fytyrë të vetën, ku të pasqyrohen të gjithë Emrat e Bukur. Gjithashtu, secila krijesë me gjuhën e nevojës, për të arritur sukses dhe për të vazhduar jetën e mëvonshme, në mënyrë të veçantë shprehin kërkesat e tyre ndaj Fisnikut. Për të përmbushur këto kërkesa të domosdoshme jetësore, ato përpiqen që duke u lutur t’i përmbushin ato, në formën e ushqimit, sipas aftësisë së tyre. Po me gjuhën e paaftësisë, ato bëjnë një lloj duaje për të shpëtuar nga fatkeqësitë. Çdo qënie që është me shpirt kërkon mbështetjen e fortë të All-llahut xh. sh..

Këto tri lloj lutje, në qoftë se diçka nuk i bëhen peng, gjithmonë janë të pranuara.

Lloji i katërt është lutja jonë e cila është edhe më e fuqishme. Ajo ndahet në dy pjesë:

¬— Njëra lutje është me punë dhe mirëqënie.

— Tjetra, me zemër dhe me gojë.

Numrët kliko dhe vazhdo: <<< 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36 37 38 39 40 41 42 >>>