Bediuzzamani jetën e tij e kaloi duke e shpenzuar për dituritë e ndryshme, duke i përdorur në argumentimin e kuptimit të Kur’anit famëlartë. Ato argumente i ka përdorur si shkallë për t’ia arritur qëllimit, pikësynimi i të cilit ishte vetëm dituria e Kur’anit famëlartë, që iu bë edhe udhërrëfyes dhe mësues i tij.

a) Veprimtaria e tij për edukimin në Van

Bediuzzamani që quhej edhe Molla Saidi i famshëm, shkonte edhe nëpër rrethinat e Vanit. Organizonte tubime për diskutime dhe bisedime mbi temat e diturisë, në lidhje me çështje të rëndësishme. Nga ana tjetër u merrte me klanet dhe grupimet e kohës, duke i shtyrë ata që t’i hedhin armiqësitë që kishin mes vete dhe të pajtoheshin me njëri-tjetrin. Këta njerëz nuk kishin mundur t’i pajtojnë as organet shtetërore.

Pas një pajtimi që bëri, i pati thënë njërit prej kryetarëve të klaneve, Mustafa Pashait, duke i bërtitur:

— Akoma nuk je penduar?

Ai: “Zotëri! Çka të flisni nuk iu dal nga fjala”. Në këtë rast ky i fundit, mundohet që t’i jepte Bediuzzamanit një kalë dhe ca para. Por ai i thotë: “Ti deri tani a nuk e mësove që unë askujt nuk i kam marrë para?” Dhe në këtë mënyrë ia refuzon ato. “Veçanërisht nga zullumqarë si ti, a është e mundur që t’i marr? Më duket se ti e ke prishur pendimin, shëndosh e mirë nuk do të mundësh të arrish deri në Xhizre”. Dhe me të vërtetë duke shkuar në Xhizre, Mustafa Pashain e mbysin në rrugë.

Bediuzzamani gjatë kohës që kaloi në Van, interesohej me problemet e botës islame. Atëhere, qëllimin më të madh e pati të ndërtojë një universitet në Van dhe Bitlis, duke e quajtur “Medreset-uz-Zehra” njëlloj si Universiteti i famshëm i El-Ez’herit në Kajro.

Ai donte të realizojë rinovimin e medreseve, ku të mësoheshin si lëndët fetare, po ashtu edhe ato shkencore. Bediuzzamani gjatë verës, nxënësit e tij i çonte në bjeshkë dhe financiarisht i mbështeste vetë. Bediuzzamani gjatë qëndrimit në Van, përmblodhi argumente për t’iu përgjigjur nevojave të kohës, duke themeluar një metodë të re. Ai i udhëzonte nxënësit e tij duke i sqaruar të vërtetat e fesë me mjete sa më të përshtatshme, në mënyrë që të kuptohen sa më mirë . Bediuzzamani në periudhën kur Hasan Pashai ishte prefekt i Vanit, mblodhi hoxhallarët e lartë dhe fëmijët më të zgjuar të zonës dhe ngriti një medrese. Në këtë institucion dritëdhënës, jepeshin mësimet e shkencave ekzakte dhe sociale, si algjebra, gjeometria, matematika, fizika, historia, gjeografia dhe lëndët fetare. Vetë Bediuzzamani shërbente në këtë edukim, që fatkeqësisht zgjati vetëm 6-7 muaj, për arsye të disa ambiciozëve.

Një ditë duke shkuar në medresenë e tij që ishte në majë të kalasë së Vanit, rrëzohet dhe këtë ngjarje e tregon kështu:

“Nxënësit e mi të vjetër e dinë mirë se kalaja e Vanit është e ndërtuar prej guri dhe është e lartë sa dy minare. U nisëm të shkojmë tek një shpellë e vjetër. Duke u ngjitur për në kala më rrëshqitën këmbët dhe fillova të bie poshtë duke mos patur asnje pikë mbështetjeje. Me një zë të lartë bërtita: “Allah, davaja (ideja) ime” (pra më të rëndësishme se jetën e vet, ai mbante idealin e tij).

Ndërkohë një forcë e mbinatyrshme sikur të isha mbështetur në një vend të sigurtë më shtyu dhe rashë tre metra brenda shpellës. Kjo nuk ishte gjë tjetër vetëm se një mbrojtje nga All-llahu (xh.sh.).”

b) Lajmi i Tahir Pashait i shndërroi mendimet e Bediuzzamanit

Jeta e Bediuzzamanit në Van kaloi shumë e frytshme. Në këtë periudhë një ëndërr që pau dhe një lajm që mori nëpërmjet Tahir Pashait, bënë shndërrime të stuhishme në mendimet e tij. Në lidhje me ëndrrën që ka parë thotë:

“Para Luftës së Parë Botërore pashë një ëndërr me kuptim të vërtetë. Isha në malin Ağrı. Në çast mali mori flakë dhe copat e tij u shpërndanë nëpër rruzullin tokësor. Në këtë gjendje të tmerrshme pashë se e ndjera nëna ime, ishte pranë meje. I thashë: “Nënë mos u frikëso! Sepse ky është urdhëri i All-llahut (xh.sh.). Ai është Mëshirues dhe i Gjithëdijshëm”. Unë duke qenë në këtë gjendje, një person i bekuar duke më urdhëruar më tha: “Sqaroje mrekullinë e Kur’anit të lartë.”

U zgjova dhe kuptova se do të bëhet një revolucion i madh dhe pas këtij shndërrimi do ta sulmojnë Kur’anin dhe do të shkatërrohen kalatë që e mbrojnë Kur’anin. Pastaj vetë Kur’ani do ta mbrojë veten e tij dhe mrekullitë e tij do të bëhen një mbrojtje prej diamanti për të. Dhe kështu kuptova se me sqarimin e mrekullisë së tij, do të angazhohet një njeri i paaftë si unë.”

Pak kohë pasi kishte parë këtë ëndërr, Tahir Pashai i tregon një gazetë në një artikull të së cilës ishte shkruar një lajm i tillë:

“Në parlamentin anglez, kryetari i kolonive,  në fjalimin e tij duke mbajtur Kur’anin në dorë, ka thënë:

— Ky Kur’an përderisa gjendet në duar të muslimanëve, ne nuk mundemi t’i sundojmë ata. Duhet të përpiqemi që ta heqim atë nga duart e tyre, ose t’i ftohim ata nga ky libër.”

Ky lajm i tmerrshëm ndikoi jashtëzakonisht tek Bediuzzamani. Pas këtij lajmi të hidhur tha se: “Unë do t’i tregoj të gjithë botës dhe do ta vërtetoj se: “Kur’ani është një diell që nuk shuhet dhe askush nuk mund ta shuajë atë kurrë!”

Kështu filloi pastaj që të gjitha përpjekjet e tij t’i shpenzonte me të vetmin qëllim, që të heshtë të gjithë mosbesimtarët e botës.

Për të përparuar më tepër lexoi lloj-lloj librash dhe pasi mësoi për planet atentatore të Evropës; ia vuri vëmendjen fermanit të Kur’anit, që në një ajet thotë: “fe arid anhum” (largohu prej atyre), vlera numerike e të cilit është 1316, ku sipas hixhrit përkon me datën e këtyre ngjarjeve. Bediuzzamani të gjitha dituritë që pati marrë i shumëfishoi edhe më shumë, duke vazhduar deri në fund të jetës me këtë qëllim, që të sqarojë mrekullitë e Kur’anit, të cilat u bënë për të një prijës i pathyeshëm.

6- Jeta e parë e Bediuzzamanit në Stamboll

Në shpirtin e Bediuzzamanit pasi që lindi dëshira e ndërtimit të medresesë të cilën e emërtoi Medreset’uz-zehra, për të realizuar këtë plan, vendosi të shkojë në Stamboll. Për këtë arsye kuvendoi me mikun e tij Tahir Pashain, i cili i kishte dalë Saidit gjithmonë në krah. Prefekti i Vanit, Tahir Pashë Shkodrani, shkroi një letër për ta përcjellur për në kryeqytet drejt sulltanit.

“Mes dijetarëve kurdë, i famshëm për logjikën superiore, Molla Saidi ka nevojë për ju. Për këtë arsye mbështetet tek mëshira e bujarit të Kalifatit të lartë dhe për këtë shkak mori rrugën për t’u lartësuar tek ju. Në këtë mënyrë, megjithëse nuk i ka mbetur çështja e ndonjë dijetari pa zgjidhur, prapë duke e quajtur veten si nxënës, deri tani nuk kemi mundur që ta bindim që të veshë petkun e dijetarëve. Molla Saidi është ai që mban vlerat e besnikërisë ndaj bamirësisë së madhe të Hz. Muhammedit (a.s.m.) dhe vazhdimisht me sinqeritet i dërgon përshëndetje dhe është lutës ndaj tij. Atë, e ka edukuar Zoti me bindshmëri ndaj Tij. Mendimi im i ulët në këtë mënyrë është se nga krahinat kurde, nga dijetarët që janë përgëzuar me ardhjen tek porta e mëshirës suaj, Molla Saidi nga të gjithë është me moralin më të mirë dhe me bindshmërinë tek personaliteti i juaj i lartë dhe me adhurim është një person i devotshëm ndaj Krijuesit të gjithësisë. Për këtë arsye ky person më shumë se të gjithë, e meriton lehtësinë për kryerjen e punës së tij që përpiqet për muslimanët. Me plotësimin e kërkesës së këtij personi do të meritoni nder deri në ditën e kiametit, nga të gjithë muslimanët dhe veçanërisht nga populli kurd . Ky është shkaku që na shtyri t’i hyjmë këtij guximi dhe përsëri jemi të bindur se urdhëri është i juaji që jeni sulltan dhe zëvendës i të Dërguarit të All-llahut (xh.sh.).

Prefekti i Bitlisit, Tahiri.

“16.11.1907, vula, nënshkrimi”

12_11032010114814.jpg

Valiu (prefekti) i qytetit të Vanit dhe Bitlisit. Tahir Pashë Shkodrani duke parë inteligjencën e Bediuzzamanit e ka nderuar shumë atë.

Burimet e datës së ardhjes së Bediuzzamanit në Stamboll , konstatojnë se janë në momentin kur ai ka ngritur kokën nga shkencat e larta, për t’u kthyer në dituritë e pastra të Kur`anit famëlartë dhe ka marrë pozitën si shërbëtor i Kur`anit, d.m.th. nga muajt e fundit të vitit 1907.

Bediuzzamani, kur erdhi në Stamboll, për të tërhequr vëmendjen e sulltanit dhe të stambollinjve mbi gradën e dijes së kurdëve nuk ndërroi formën e veshjes kombëtare dhe në këtë mënyrë paraqiti lutjen për të kërkuar ndihmë, që në qendrën e krahinës kurde, të ndërtohet një universitet me emrin Medresetu’z-Zehra. Kudo që shkonte njerëzit mbeteshin të mahnitur, duke mos mundur të sjellin paralelizma mes veshjes së Saidit me diturinë e tij gjeniale. Në rastin e parë bëri një lutje me këto fjalë:

Numrët kliko dhe vazhdo: <<< 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36 37 38 39 40 41 42 43 44 45 46 47 48 49 50 51 52 53 54 55 56 57 >>>