— Vdekjen nuk e mendoja, thoja ndoshta më burgosin, apo më internojnë, por nuk është e rëndësishme, meqë e ndërpreva një punë që e ka ndaluar Zoti (xh.sh.), ç’rëndësi ka për mua vdekja.

Një apo dy orë pas ngjarjes, prefekti e thërret Saidin pranë tij nëpërmjet dy policëve. Saidi kur hy në dhomë, prefekti ngrihet dhe e pret Saidin në këmbë dhe zgjatet t’ia puthë dorën. Pasi i tregon vendin për t’u ulur, i thotë:

— Çdokush e ka një mësues dhe ti je mësuesi im.

Prefekti i Vanit, Omer Pashai, pa e marrë parasysh se Saidi ishte i ri, nga inteligjenca dhe virtytet e mira të tij, e çon në shtëpinë e vet dhe ia cakton një dhomë duke i thënë:

— Ti këtu do të studiosh argumentet e besimit!

Prefektit i kishte vdekur gruaja dhe në shtëpi kishte gjashtë vajza beqare. Një ditë njëra nga këto kërkon të hyjë për një punë në dhomën e Saidit. Ai duke menduar se kjo është diçka jashtë namusit, i bërtet asaj duke e përzënë nga dhoma dhe e mbyll derën me forcë. Vajzës i vjen shumë rëndë dhe e hidhëruar kthehet mbrapa.

Në të njëjtën ditë një servil qeveritar, i thotë këto fjalë në vesh prefektit:

“Si mundësh ta lësh Saidin vetëm në shtëpi? Vajzat e tua janë të reja e të virgjëra.. Gruan nuk e ke.. Kurse Saidi është një i ri adoleshent. Si mund ta pranosh këtë.”- dhe në këtë mënyrë i fut dyshime në zemrën e prefektit.

Prefekti në mbrëmje kur erdhi në shtëpi, i doli përpara vajza duke qarë dhe i thotë:

“Baba! Ky Saidi që ke lënë në këtë dhomë është i çmendur, nuk na lë as në dhomë të hyjmë.

Kur dëgjoi prefekti fjalët e vajzës, përkundrejt mërive të huaja, vrapon në dhomën e Saidit të ri, të ndershëm e me namus dhe i thotë:

“Secili ka një prijës, e prijësi im je ti!”, - dhe pastaj ia puthë edhe dorën. Pas kësaj ngjarjeje, nderi dhe respekti i prefektit ndaj Saidit dyfishohet.

Bediuzzamani vetë thotë këto fjalë:

“Kush e ka lexuar biografinë e jetës sime e di mirë se para pesëdhjetë e pesë vjetëve, duke qenë në moshën njëzet vjeçare, për respektin që kishte ndaj diturisë, me ngulm m’u lut pashai që të banoja në shtëpinë e tij. Aty qëndrova dy vjet dhe ai kishte gjashtë vajza, tre ishin më të vogla, të tjerat më të mëdha.. Të mëdhatë, as për dy vite që qëndrova në shtëpinë e tij, nuk i njoha, se cila ishte e madhja apo e dyta, sepse nuk i shikoja me vëmendje që t’i njoh. Është për t’u habitur se pati ardhur tek unë një mysafir që ishte edhe teolog dhe për dy ditë secilën vajzë mundi t’i dallojë nga njëra-tjetra se cilat janë. Shokët që kisha pranë duke u habitur me këtë gjendje timen, më pyetën:

— Përse nuk i shikon?

I thashë atyre:

— Nuk më lejon t’i shikoj nderi i diturisë.”

Bediuzzamani në shtëpinë e Omer Pashait mori parasysh që t’i studiojë të gjitha shkencat bashkëkohore, veçanërisht të konstatojë se me cilat armë armiqtë e sulmojnë fenë duke na futur dyshime. Ai i studioi edhe librat e filozofisë islame dhe komentet e Kur’anit, të quajtur “Metali” dhe “Meuakif,” shkencat dhe gjithashtu studioi edhe gramatikë, morfologji e logjikë, ku që të gjitha këto përbënin dyzet libra, të cilat i mësoi përmendësh në dy vjet.

Bediuzzamani mbante dy gjendje te kundërta.

E para, kur e kishte logjikën e hapur, me çdo gjë që përballohej nuk ishte e mundur të mos e kuptonte.

E dyta, kishte raste që rrinte i mbyllur përbrenda, jo të lexojë, por edhe të flasë i vinte rëndë.

Në të njëjtën periudhë filloi që të mësojë Kur’anin përmendësh, duke lexuar nga dyzet faqe në ditë, duke mësuar pjesën më të madhe të Kur’anit, por pastaj e la në gjysëm për dy arsye:

Njëra, këndimin e shpejtë të Kur’anit e quante si mosrespekt që i bëhej. E dyta, ishte i mendimit që më shumë është i nevojshëm kuptimi i Kur’anit dhe të vërtetat e Tij, sesa leximi përmendësh. Për këto arsye u mor me mësimin përmendësh të dyzet librave të shkencave ekzakte dhe të fesë islame, duke i përdorur ato si çelës i të vërtetave të Kur’anit. Çdo ditë duke lexuar nga pak, mundi t’i mbarojë për tre muaj.

Një natë Bediuzzamani sheh në ëndërr Shejh Muhammed Kufrevinë (k.s.), i cili i thotë: “Eja më vizito se unë po largohem”. Menjëherë vrapon drejt tij, kur sheh se Shejhi po fluturonte.

Në këtë rast zgjohet dhe sheh se ora ishte shtatë e mbrëmjes, përsëri bie të fle. Kur ngrihet në mëngjes merr vesh për vdekjen e shehut, i cili kishte vdekur në shtatë te mbrëmjes.

"12_11032010113310.jpg"

5- Jeta e Bediuzzamanit në Van

Meqenëse nuk kishte ndonjë dijetar të njohur në qytetin Van, prefekti i Vanit, Hasan Pashai, e fton Bediuzzamanin atje. Me këtë ftesë Said Nursiu shkon në Van dhe aty qëndron pesëmbëdhjetë vjet.

Kur ishte në Van duke biseduar me nëpunësit, Bediuzzamani thoshte se në këtë shekull për të refuzuar dyshimet e imponuara në fe nga armiqtë e islamit, nuk mjafton vetëm filozofia, është shumë e nevojshme të studiohen edhe shkencat fizike.

Në këtë periudhë duke hulumtuar themelet e shkencave filloi që t’i sdudiojë edhe shkencat fizike e sociale, duke filluar nga historia, gjeografia, matematika, gjeologjia, fizika, kimia, astronomia dhe filozofia. Dhe jo duke marrë mësim nga ndonjë profesor, por duke i studiuar vetë, duke i kuptuar shumë mirë të vërtetat e tyre. Ai pra ishte bërë një autodidakt i mirëfilltë.

Bediuzzamani kur ishte në Van gjendja e tij në disa çështje kundërshtohej me dijetarët e rrethit. Si p.sh.:

1- Që të bëhen ndikuese fjalët, askujt të mos i marrësh ndonjë dhuratë, para apo rrogë. Ja ai vetë në të gjithë jetën e tij nuk ka qenë pronar i ndonjë malli. Megjithëse ka përjetuar vetminë dhe varfërinë, vazhdimisht ka vuajtur edhe fatkeqësitë e tmerrshme të internimeve dhe burgimeve dhe përsëri askujt nuk i ka marrë ndonjë para apo dhuratë pa kompensim me ndonjë gjë. Për këtë janë dëshmitarë nxënësit e tij.

2- Mosbërja e pyetjeve ndaj dijetarëve. Njëzet vjet i ka dhënë përgjigje vetëm pyetjeve të tjerëve. Kur e pyetnin për këtë veprim, thoshte: “Unë nuk dyshoj për diturinë e dijetarëve, prandaj është e tepërt t’i bësh edhe pyetje atyre. Po qe se dikush dyshon tek unë, le të pyesin t’u jap përgjigje.”

3- Edhe nxënësit e vet i ka penguar të marrin zekatin apo dhuratën e ndokujt, I shtynte ata të punonin vetëm për hir të All-llahut (xh.sh.). Shumë herë furnizimin e nxënësve e bënte vetë.

4- Të jetojë larg nga pasuritë e përkohshme. Për këtë thoshte: “E gjithë prona ime duhet të jetë aq sa të mbahet vetëm në një dorë”. Kur e pyetnin përse kështu, u përgjigjej se: “Do të vijë një kohë kur secili do ta ketë lakmi gjendjën time dhe gjithashtu pasuria nuk më jep kënaqësi. Unë në këtë botë e shoh veten si një mysafir”.

Pasi u nda nga Vani prefekti Hasan Pashai, në vendin e tij erdhi Tahir Pashai , i cili edhe ky e donte shumë Bediuzzamanin dhe ndaj tij u paraqiste shumë i sjellshëm. Tahir Pashai me lajmet që i jepte në lidhje me ngjarjet në Evropë, bëri që Saidi të përfitonte shumë nga ai. Ai gjithashtu i mblidhte shpesh dijetarët në rezidencën e tij dhe bënte diskutime rreth diturisë. Kjo ndihmoi shumë në përsosjen e Bediuzzamanit.

Tahir Pashai i cili kishte studiuar librat e shkencëtarëve dhe filozofëve evropianë, i bënte Bediuzzamanit pyetje të forta.

Një fakt interesant është se megjithëse Bediuzzamani ishte në mësim e sipër të gjuhës turke (për arsye se ishte nga zonat kurde të Lindjes), përsëri i jipte përgjigjet pa ngurrim.

Një ditë shkoi pranë Tahir Pashait, ku atje pau librat që përmbanin përgjigjet e pyetjeve që i bënte Pashai. Në një kohë shumë të shkurtër i zotëroi edhe ato libra përmendësh.

Në qytetin Bitlis, pati mësuar përmendësh dyzet libra themelorë të dijetarëve të famshëm. Duke qenë në Van, këtyre i shtoi edhe pesëdhjetë të tjerë të shkencave të ndryshme. Këto nuk ishin vetëm libra rreth fesë, por në mes tyre ishin edhe libra të fizikës, filozofisë dhe historisë.

Në bllokun e kujtimeve të vëllait të tij, Abdulmexhidit, janë regjistruar këto fjalë:

“Për pesembëdhjetë ditë mësoi përmendësh pjesën më të rëndësishme të Kur’anit. Nga Enciklopedia e Fjalorit, me një lexim mësoi permendësh një faqe me gjashtëdhjetë rreshta. Për të mos harruar se çfarë kishte mësuar, qoftë nga dituritë e fesë, apo nga shkecat fizike, ai ishte i detyruar që t’i përsëriste ato libra që ishin sa tridhjetë Kur’anë.”

Vëllait të tij, Bediuzzamani i kishte thënë se duke i përsëritur dijet që kishte mësuar, Tahir Pashai kishte kujtuar se po bënte dhikër apo lutje e dua.

Koha tregoi se jeta e Bediuzzamanit që kaloi me çudira të jashtëzakonshme, ishte një përgatitje për të ardhmen nga Kaderi (caktimi) i Zotit (xh.sh.). Në një vend tjetër ai thotë:

“Kur isha i ri, duke qëndruar në konakun e Tahir Pashait në Van, i cili vetë më pati caktuar një dhomë, çdo natë para se të flija, dy orë e gjysmë i kaloja duke përsëritur librat që kisha mësuar përmendësh. Në këtë kohë kam ditur përmendësh nëntëdhjetë libra. Për tre muaj mbaroja përseritjen, duke punuar nga tre orë në natë. Vëllezër, e falenderoj shumë All-llahun e Madhëruar që më dhuroi këtë fuqi që të përpiqem për mbrojtjen e diturisë, të cilat shërbejnë si shkallë për të arritur në të vërtetat e Kur’anit famëlartë. Unë në këtë mënyrë munda të arrij që të shoh se çdo ajet i Kur’anit, e ka kapluar gjithësinë, pastaj duke më mjaftuar Kur’ani, nuk ishte e nevojshme që të lexoj ndonjë libër tjetër...”

Numrët kliko dhe vazhdo: <<< 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36 37 38 39 40 41 42 43 44 45 46 47 48 49 50 51 52 53 54 55 56 57 >>>